Emigranti i dashurisëE kanë quajtur “Njeriu i njëqind zërave”, meqë është i aftë të këndojë bariton, tenor, bass. Mund të këndojë balada, romanca, rok, këngë popullore, epike, napolitane, dhe atë në disa gjuhë e gjithnjë në stilin e tij autentik.

Cili është aktiviteti juaj aktual?
Frederiku: Si gjithnjë arti. Çdo ditë punoj për muzikën, por risi është libri me poezi që pritet ta botoj.

Libri që unë po përgatis për botim ka 100 poezi, dhe një titull provizor “Zërat e shpirtit” të gjitha të shkruara gjatë emigrimit tim nëpër botë, por disa prej tyre i takojnë edhe kohës së adoleshencës. Kjo është hera e parë që unë dal para publikut me një tjetër profil, atë të poetit.

Në këtë fushë a mund t’na thoni ç’është muzika dhe poezia për ju?
Frederiku: Muzika është jetë, energji, pasion, është shpirti im, inspirimi im, ajo më ka ndihmuar të mbijetoj. Po them vetëm kaq sepse nuk duhen më shumë fjalë. Ndërsa në poezitë e mia flas për tematika që shtrihen në fusha të ndryshme dhe prekin probleme akute, që nga politika, problemet sociale, braktisja, dashuria etj. Është një poezi mendimi dhe reflektimi, që më ka shoqëruar nëpër rrugët e mia në botë, që nga toka e parë e huaj që shkela – Spanja – deri tek toka e premtuar – Amerika. Gjithashtu, janë mbresa udhëtimesh në të tjera vende evropiane ku unë si këngëtar kam dhënë koncerte apo nëpër vendet ku kam shijuar mrekullitë e natyrës. Poezia e bën të qajë dikë, e bën të të kuptojë. Poezia është arti i lidhjes, lidhjes mes jetës dhe ëndrrave. Kam aty një poezi amanet, ndoshta si një amanet për të gjitha vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftërave, të cilën e kam shkruar në vitin 1991, në Lubjanë, ku takova shumë kosovarë.

Express Rozë: Në krijimtarinë tuaj artistike shumë prej këngëve i janë kushtuar dashurisë. Cila është kuptimi i saj për ju?
Frederiku: Dashuria “e vërtetë” për mua ndodh vetëm në moshën e rinisë, e cila asnjëherë nuk përsëritet e njëjtë më në jetë. Pas moshës tridhjetëvjeçare s’ka dashuri, është një moshë e caktuar për dashurinë. Ajo që ndjejmë më vonë nuk është më dashuri, por një ndjenjë tjetër, dashuria e madhe ndodh vetëm në adoleshencë, e keni parasysh atë ndjenjën e pasionit të madh… Dashuria nuk ekziston në përjetësi, asnjë gjë nuk ekziston në përjetësi, por përjetësia jeton në jetën tënde. Po e shpjegoj këtë në mënyrë pak filozofike, sepse unë jam marr shumë edhe me filozofi e poashtu edhe me teologji.

Express Rozë: Ç’është arti sipas jush?
Frederiku: Arti është fuqia, arti të bën të mendosh. Çdo njeri është krijesë e Zotit, artisti është i krijuar dy herë nga Zoti…Përhumbja në një botë tjetër, larg nga jeta e përditshme. Zoti ta falë dhuntinë, po puna e kalit artistin, ai asnjëherë nuk bën të mendoj se është i përkryer, ai çdo herë duhet t’i shoh gabimet e veta në mënyrë që pastaj t’u kthehet atyre dhe t’i përmirësojë ato.

Express Rozë: Po kalojmë pak te jeta juaj private. Si ka qenë ajo?
Frederiku: Kam qenë i martuar tri herë. Herën e parë u martova në kishë, na martoi shteti , në fakt; dy herët tjera u martova shtetërisht (komunë), por u martova vetë. Tani bashkëjetoj më një grua tjetër, jetojmë në Shqipëri.

Express Rozë: Po Aida Ndoci, gruaja që ju shoqëronte në Festivalin Evropian të këngës?
Frederiku: Ajo qe gruaja ime e fundit. E kam njohur në Amerikë, ajo është rritur atje, unë kam shkuar pas Italisë dhe jemi njohur atje, u fejuam dhe pas një viti kemi hyrë edhe në martesë, bëmë dasmë e gjithçka tjetër, me një fjalë krijuam familje. Me kalimin e viteve diçka nuk shkonte, marrëdhënia jonë nisi të çalojë, dhe kështu i erdh fundi edhe martesës.

Express Rozë: Tani bashkëjetoni me një grua tjetër?
Frederiku: Po, si çdo burrë me çdo grua të botës.

Express Rozë: Keni tradhtuar?
Frederiku: Njeriu tradhton jo pse nuk e donë personin me të cilin është, por gjithnjë ka arsye të tjera, shpesh të pashpjegueshme. Por kur arrin një pjekuri në moshë gati çdo gjë e çmon dhe e vlerëson ndryshe, ke një tjetër respekt dhe nuk do t’i humbësh ato që i ke. Siç e thashë dhe më parë, unë kam zbuluar se dashuria pas një moshe, e humb atë pasionin e madh dhe shndërrohet në respekt e afërsi shpirtërore që e ndan me njeriun që ke pranë.

Express Rozë: Disqet tuaja sot prezantohen nëpër ueb faqet më të njohura të muzikës. Frederiku: Balada e gurit (Hear my plea) është kënga fituese në Festivalin e RTSH 2006, dhe kënga pjesëmarrëse në EuroVision 2007, në Helsinki, Finlandë, si e kujtoni këtë përvojë?
Frederiku: Është përvojë e bukur për çdo artist. Secili do të ndjehej i privilegjuar të përfaqësojë vendin e vet në një ngjarje kaq madhore, siç është Euro song kontest. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë ndjenjën që më pati përshkuar gjatë pjesëmarrjes dhe kënaqësinë që kam ndjerë. Jam krenar për këtë.

Express Rozë: Njiheni si familje artistësh
Frederiku: Po, unë dhe motrat e mia merremi me muzikë. Kjo ka ndikuar për të mirë dhe për një komunikim të ndërsjellë artistik.

Express Rozë: Tashmë jetoni në vendlindje pas një largimi të gjatë, ç’ju shtyu të ktheheni në Shqipëri?
Frederiku: Si shumë shqiptarë të tjerë edhe unë u detyrova të largohem, arsyet qenë të ndryshme. Në fillim ika në Spanjë, më pas në Itali, aty incizova edhe albumin tim të parë dhe pata komunikim e parë me publikun ndërkombëtar, më pas u largova për në Amerikë. Në Amerikë arrita suksese të tjera që pasuan edhe me shumë shpërblime, por gjithnjë kam dashur të kthehem në atdhe, sepse Amerika është e vështirë, e rëndë.

Express Rozë: Në Amerikë jeni nominuar me çmimin Grammy Music Award, a ju bën kjo të ndiheni një këngëtar i njohur mirë ndërkombëtarisht?
Frederiku: Grammy Awards është çmimi më i madh muzikor, kënga ime “Canterina”, këngë nga albumi me po të njëjtin titull i incizuar në Amerikë nga “Blu November Records” ka marrë shtatë nominime grammy…/gazeta express

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here