Institucioni më i lartë kinematografik në Kosovë ka përzgjedhur anëtarët e jurisë që do të bëjnë vlerësimin e projekteve që do të financohen për këtë vit.

Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj, shkrimtari Eqrem Basha, dramaturgu Jahi Jahiu, dramaturgu e regjisori Jeton Ahmetaj dhe aktori Selman Jusufi, kanë marrë sinjalin e gjelbër nga Qendra Kinematografike e Kosovës për të nisur leximin e skenarëve.

Jurisë do t’i duhet të shfletojë fiks tridhjetë e tri projekte filmike, sa ka grumbulluar konkursi për financim të projekteve i hapur nga QKK në mesin e muajit janar.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Zeqir Hamiti, ka konfirmuar emrat e anëtarëve të jurisë që do të bëjë vlerësimin e projekteve. “E kemi caktuar jurinë e cila e ka marrë detyrën t’i lexojë skenarët dhe të përzgjidhen më të mirët”, ka thënë Hamiti.

Hamiti nuk e di saktë se sa kohë do t’i duhet jurisë për të bërë përzgjedhjen, por, sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të finalizohet para dy muajve.

Janë gjithsej 33 projekte dhe merr kohë derisa të lexohen. Nuk besoj se mund të përfundohen para dy muajve”, ka thënë ai.

I pari i QKK-së ende nuk e di se sa është buxheti që do të ndahet për institucionin që drejton, por kjo, sipas tij, nuk e pengon procesin e përzgjedhjes.

“Derisa të përfundohet leximi i skenarëve besojmë se do të miratohet buxheti dhe pastaj në bazë të rrethanave financiare i shpallim rezultatet”, ka thënë ai.

Në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për financim të projekteve kanë konkurruar fiks 33 projekte filmike. Dymbëdhjetë nga projektet konkurruese janë për film të metrazhit të gjatë. Po aq janë për film të shkurtër, ndërkaq për dokumentar kanë konkurruar shtatë projekte. Për film të animuar janë vetëm dy projekte.

Isë Qosja, Jeton Budima, Amir Vitia, Fatos Berisha, Visar Morina, janë disa nga regjisorët konkurrentë. Përveç tyre, skenar ka shkruar edhe aktori Enver Petrovci, që ka konkurruar bashkë me regjisorin Murat Dermani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here