Të jesh single, jo gjithmonë është zgjedhje. Të jesh single, bëhesh i frikshëm për shoqërinë.

Tregon forcë e dinjitet por dhe brishtësi. Të jesh single, mëson të dashurosh.

Po të jesh një mami single? Para se t’i përgjigjet pyetjeve të “Mapo weekend”, Ema Andrea ka zgjedhur t’i përgjigjet botës shqiptare, mbi të njëjtin fakt…

“Në këtë vend, ku roli i mamasë është pjata me gjellë dhe fshehja e gabimeve, ku roli i babait është i hijes së pushtetit, ku fëmijët kanë paranë prind të vërtetë dhe gënjeshtrën si përgjigje të pyetjeve dhe pasigurive të tyre, ku fjala e dhënë vlen sa një shishe birrë, ku marrëdhëniet vlejnë sa një shishe birrë, ku puna vlen sa një shishe birrë, pasioni sa një gjysmë shishe birre….ku nuk ka asnjë mendim që të jetë më i thellë se një shishe birre… megjithë respektin që kam për birrën…qëllimi më i madh i jetës së femrës është të martohet, me këdo. E këtu e mbyllin raportin me jetën, e qëllimi i mashkullit është të bëjë para dhe këtu e mbyll raportin që ka me veten dhe me jetën….

Fjala singël, duket si realitet librash, por në fakt nuk është kështu… do të thotë vetëm, ndryshe, me qëllime e ëndrra përtej asaj që të rrethon. Do të thotë ndonjëherë zgjedhje e dhimbshme dhe ndonjëherë fat i dhimbshëm…Nuk është fjalë telenovalash…..prapa kësaj fjale fshihet luftë dhe sfidë e përditshme e një njeriu të ndershëm me veten dhe të fortë në brishtesinë e vetë.

Dhe të jesh singël në këtë shoqëri birre e paraje, nuk është e lehtë…në këtë shoqëri primitive asnjë zgjedhje e ndershme për veten nuk është e lehtë, sepse kjo shoqëri ka frikë të ketë kontakt me ndjenjat dhe ëndrrat e veta.”

Me kë jeton?

Me botën time të dashur, me njerëzit e mi të dashur, një botë që bën të lumtur këdo që ka fatin të jetë pjesë dhe që jo çdokush mund ta përballojë pasi ka shumë vërtetësi dhe fisnikëri në botën ku unë jetoj.

Cila është gjëja më e bukur e të qenit mami single?

Nuk e di, ndoshta lidhja shumë e fortë me fëmijën dhe sensi i lirisë në vendimmarrje.

Por nuk jam e sigurt që kjo vjen prej të qenit singël, kështu që mbase mund të jetë fakti që ti një ditë arrin të jesh në paqe me dhimbjen dhe me mungesën në jetën tënde, ndoshta kjo të ben të kuptosh më shumë dhe të falësh me shumë.

Po gjëja më e keqe?

E njëjta gjë, pasi ke mësuar të falësh shumë, kjo e fundit merret e mirëqenë, kështu përplasesh me mosmirënjohjen, thashethmnajën që nuk lodhet kurrë, paragjykimet e mendjeve të palumtura e perverse, dhe çka të mbetet është një e hidhur e fortë në fund të qiellzës e ti vazhdon të jetosh me dhimbjen së cilës i ke shtruar divanin tashmë dhe e bën pjesë të të gjithë mobilimit të mangët të jetës tënde.

Para se të bëheshe nënë, ç’ çmenduri i ke lejuar vetes, duke qenë single?

Asgjë për t’u çuditur në këto vite. Në atë kohë kam kërcyer në rrugë, kam punuar deri në orët e vona, jam përballur me trimat e rrugës, kam sfiduar në gara seksin e kundërt, jam dashururar jashtë normave të moralit shqiptar, pra jo me qëllimin për t’u martuar, jam ndarë nga dashuritë e mia kur më kanë tradhtuar ëndrrat…..me pak fjalë, të njëjtën gjë që bëj edhe tani.

Ke dalë në “blind date”, në takim të sajuar nga të tjerët me dikë që nuk e ke njohur më parë?

Ouuuuuuu jam shumë mendjemadhe për të pranuar një takim të sajuar. Nuk kam qenë kurrë kaq e dëshpëruar për të njohur njerëz të rinj me këtë qëllim dhe nuk kam pasur kurrë nevojë për kësi sajesash. Unë besoj se marrëdhëniet vijnë natyrshëm në vende ku njerëzit ndajnë interesa të përbashkëta.

Si ka përfunduar?

Hiç, nuk ka filluar…..s’ka praaaaa.

Kush e ka “problem” beqarinë tënde?

Mamatë e shokëve……hahahhaaa. Askush nga familja ime. Kaq më intereson.

Gënjen ende kur del në takim me dikë? Kë gënjen dhe si?

Nuk gënjej dhe nuk kam pse.

Mbrëmjet e tua tipike të fundjavës si janë?

Në dimër, zakonisht janë në shtëpi, nëse nuk janë në punë. Në verë nëse nuk janë në punë, janë pranë natyrës. Rrallë qëllon të dalë për darkë apo për më gjatë…..gjithmonë e më rrallë.

Në ç’orë kthehesh në shtëpi, kur del natën?

Nëse ndodh që të dal për t’u argëtuar nuk e shoh orën e dorës, por vetëm orën e trupit tim i cili nëse është i lodhur më thotë kthehu në shtëpi dhe unë e dëgjoj me kenaqësi. Tirana by night më pëlqen gjithmonë e më pak. Askush nuk del për t’u argëtuar por për të rënë në sy, ose për t’u marrë me thashetheme. Si mund të argëtohesh në një shoqëri kaq vanitoze dhe të genjeshtër. Gjynah vetë argëtimi!!! Ka humbur kuptimin i shkreti, është bërë si punë.

Kur e ke dëgjuar për herë të parë urimin “me një fat të mirë” ose “në dasmë”?

Ohhhhh s’e mbaj mend ose nuk e kam vënë re kurrë……ndoshta asnjëherë nuk e kam dëgjuar…..jo për gjë, por fatin e mirë do ta kisha mbajtur mend se kam nevojë ta kem e ta dëgjoj….hahahahaaa

Çfarë mendon nëse e dëgjon?

Në fakt “në dasmë” më ka bërë gjithmonë për t’ë qeshur, se nuk më duket si qëllimi më i arrirë në jetë, të kesh një marrëdhënie të vërtetë mund të jetë mirë, por kjo nuk mjafton. Duhen edhe shume urime të tjera.

Të pëlqejnë dasmat e të tjerëve?

Nuk më vjen keq të shkoj….më pëlqen të vëzhgoj nusen dhe dhëndrin. Shpesh mund të kuptosh nëse po bëjnë lojën e të tjerëve apo janë vërtetë të lumtur dhe kënaqem me fisin: gjithmonë është i pakënaqur me ushqimin ose që e mat vlerën e dasmës me ushqimin që hanë dhe me fustanin e gjitones…kjo është pjesa sarkastike pastaj…..

Një popull që urimin më të rëndësishëm ka “në dasëm” dhe që në mënyrë konstante ankohet për dasmën me ushqim të keq dhe askush nuk mendon për çiftin apo për teatrin që janë të detyruar të bëjnë, por për lotët e mamit të nuses dhe buzëqeshjen e mamit të dhëndrit këto janë dasmat në përgjithësi…..ke çfarë mëson……natyrisht që ka edhe dasma të vërteta, por janë të rralla.

Po për tënden a mendon?

Jo…dhe nuk kam dëshirë të flas.

Shumica e miqve dhe mikeshave të tua janë të martuar apo single?

Të martuar dhe singël. Kam pak miq të vërtetë.

Sa shpesh fton njerëz në shtëpi?

Vetëm njerëzit që dua shumë dhe tek të cilët besoj mund të hyjnë në shtëpinë time dhe këta përveç familjes sime, janë dy ose tre.

Dhe të dashurit e mi vijnë tek unë paftuar, shtëpia ime është e tyrja gjithashtu. Prandaj janë pak.

Për çfarë shpenzon më shumë?

Për qiranë, hahaaaa, përveç mbijetesës dhe fëmijës…. vitamina, libra, udhëtime, etj.

Sa herë në javë gatuan?

Varet sa ditë pune ka java J. Nuk gatuaj meqenëse vazhdoj të ha gatimet e mamit.

Cili është specialiteti yt?

Kur gatuaj…hëm, eksperimentoj shumë dhe gatuaj shumë mirë. Ka njerëz që kanë pasur fatin ta provojnë gatimin tim…..ka shumë inteligjencë dhe dashuri brenda, vërtet….nëse duhet të gatuaj, e bëj më shumë impenjim dhe dashuri.

Mund të gatuash edhe vetëm për vete?

Jo asnjëherë nuk kam gatuar për vete……për Sarën po dhe për njerëzit e mi.

Cilin nga këto numra shërbimesh ke në celular: taksi, ambulancë, polici, elektricist, hidraulik, shërbim taksi.

Hëmmmm…taksi jo se kam makinë vetë, ambulancë jo, se kam mamin doktoreshë, polici jo se kam miq policë që bëjnë më shumë punë se institucionet, elektricist jo, se i rregulloj vetë prizat ose i sajoj vetë, hidraulik po dhe është shumë profesionist i mirë shërbim taksi jo se nuk kam nevojë asnjëherë pothuajse.

Deri kur do vazhdosh të jesh single?

Deri kur të bjerë borë në gusht ose deri kur të zgjohen kalorësit fisnikë e burrërrore nga kështjellat prej rëre të ëndrrave të vërteta. MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here