Nga koha kur tundte flokët e gjatë në skenat e festivaleve shqiptare e kur këndonte e ëndërronte për ta çuar vendin drejt Europës, për Elton Dedën kanë kaluar shumë vite.

I rikthyer pas shumë vitesh publikut dhe skenës shqiptare –për të dytin vit radhazi është protagonist në konkursin e talenteve “The Voice” –ai flet për evoluimin e muzikës shqiptare, por sipas tij, më shumë drejt orientalizmit sesa asaj muzike që aspironte brezi i tij.

Flet mbi amatorizmin, përçudnimet që i bëhen muzikës, mungesën e profesionalizmit e shumë të tjera. Për një profesionist si ai kritika nuk bën lëshime. Ai i thotë të gjitha, pa kursyer askënd dhe asgjë !

Si e ke përcjellë muzikën shqiptare nga jashtë? Si duket krahasuar me kohën kur ishe shumë aktiv në skenë?

Të mos i ngatërrojmë gjërat. Në kohën kur unë isha aktiv në skenë këndohej me zë, jo me b….. Për aq sa e kam ndjekur gjatë viteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dhimbje kam qenë dëshmitar i torturës së notave nga amatorët.

Po evoluimi 20-vjeçar i saj si ka qenë?

Në 20 vitet e fundit, ajo që ka ndodhur me muzikën shqiptare është vetëm deformimi dhe agonia e saj. Kjo, për meritë edhe të disa strukturave dhe individëve injorantë që nuk kanë pasur as më të voglin vizion për të ardhmen dhe thjesht nga padija dëmtuan disa gjëra që i kishin gati nga breza më përpara.

Sa u përket ndikimeve të huaja, nga priret të përqasë elementë muzika shqiptare, nga Perëndimi apo muzika ballkanike e orientale?

Këtu ka një problem tjetër, pasi nuk di se ku ta marrësh bazën për këtë analizë. Tregu muzikor shqiptar është i përmbytur nga orientalizmat, turqizmat, sllavizmat dhe greqizmat. Stimulimi nga ana e medias është i mbushur me Rap, Techno, Hip-hop dhe RnB duke eliminuar muzikën Pop. Kështu që, sido ta marrësh, i kemi të gjitha në muzikë. Vetëm një gjë e vockël na mungon: ndonjë gjë origjinale, qoftë kjo edhe tallava, por të jetë origjinale.

Po elementët kombëtarë të muzikës? A kemi muzikë tipike shqiptare?

Kam pasur fatin dhe nderin të mësoj në shkollë nga dy profesorë të mrekullueshëm folklori dhe e them me bindje se kemi një folk të pasur dhe të denjë për të krijuar forma alternative muzikore ngritur mbi bazën e tij. Këtu hyjnë në skenë profesionistët, ata që dinë më shumë se bazat e thjeshta muzikore, sepse të përdoresh folk në muzikë- le të themi komerciale- është tepër delikate. Ndryshimi mes amatorit dhe profesionistit është se amatori vjedh, kurse profesionisti krijon. Unë them që tani na duhet të vëmë bazat e muzikës POP, të ecim me botën. Do të vijë koha edhe për folkun tonë të bukur.

Cila nga gjinitë e muzikës mendoni se po ecën në Shqipëri?

Tallavaja dhe RnB-ja e vjedhur dhe e kopjuar. Gjithashtu edhe “striptizmi muzikor” është një gjini në rrugën e duhur të zhvillimit kulturor në Shqipëri.

Kush ka ecur më përpara, muzika popullore apo e lehtë? Mendoj pak më shumë muzika e lehtë, duke parë se ku është katandisur muzika popullore sot.

A mendoni se tregu është orientuesi i muzikës sot?

Tregu nuk mund të japë asnjë lloj orientimi, pasi ai është konsumatori që ble mallin, të cilit i është vënë etiketa e kontrollimit. Në Shqipëri fatkeqësisht mungon një institucion kritike i mirëfilltë për muzikën POP/Rock dhe gjinitë e tjera, mungojnë menaxherët e mirëfilltë, mungojnë agjentët e tregut. Kjo sjell edhe anomalitë e shijeve dhe korruptimin e vlerave artistike.

A shihet kënga si mall në Shqipëri?

Sigurisht! Ajo ashtu është në të gjithë botën. Kënga është si ushqimi i përditshëm, konsumohet përditë dhe rregullisht. Një komb, kushdo qoftë ai, nuk jeton dot pa disa vlera të paracaktuara formash artistike. Problemi është që, shumica e mallit (këngë) është e skaduar dhe e prishur. Konsumatori po ushqehet me ushqim pa vlera.

A ndikon media në evoluimin e muzikës?

Media është funksion i rëndësishëm i zinxhirit të madh të furnizimit me vlera. Ka impakt të padiskutueshëm dhe edukativ. A mund të kishte më shumë në dorë për të bërë? Sigurisht që kishte. Megjithatë po të flasim për masmedia të mirëfilltë dhe jo për media qesharake që nuk di se ç’transmeton, mendoj se roli i saj ka qenë pozitiv.

Muzika komerciale kritikohet, bëhen diferencime të këngëtarëve apo kompozitorëve që bëjnë muzikë komerciale dhe atyre të muzikës ‘cilësore’. Ç’mendon rreth etiketimeve?

Etiketimet janë të dëmshme në këtë rast. Çdokush ka të drejtën të konkurrojë në një shoqëri të lirë. Ky është ligj kapitalist ndërkombëtar. Shoqëritë e zgjuara dhe të emancipuara e bëjnë vetë dallimin midis këtyre gjërave. Jam i bindur se, edhe shoqëria shqiptare do të shkojë në një fazë të tillë dhe do të bëhet e ndërgjegjshme se kush janë prototipat që të etiketohen si të tillë.

A është domosdoshmërisht një këngë komerciale jo e mirë dhe e anasjellta?

Jo! Absolutisht jo! Këngët komerciale i duhen shoqërisë dhe njerëzve. Nuk mund të ishte e bukur bota sikur të gjithë artistët të shkruanin muzikë alla “Pink Floyd” ose vetëm Jazz. Do të ishte e mërzitshme madje. Njerëzit kanë nevojë të argëtohen në disa raste dhe të mendojnë në disa të tjera. Unë jam kundra talljeve me vjedhje të rëndomta, që nuk sjellin asgjë të vlefshme. Muzika duhet të ketë disa pika referimi, dreqi ta hajë! Jo çdokush që zgjohet keq nga gjumi, ngrihet dhe thotë: “Unë do të bëj një album muzikor tani, se e ka bërë edhe komshiu im”. Këtë, vetëm një bord kritikësh muzikorë e zgjidh. Një bord demokratik dhe i hapur ndaj çdolloj rryme që vendos kriteret. Gjermanët kanë një kushtetutë për cilësinë e birrës, ne s’kemi asnjë “patrullë” kritikësh që të drejtojnë pak shijet e shoqërisë drejt një arti më të bukur, më cilësor, më të këndshëm.

Nga klubet me muzikë live te programet televizive me format muzikor dominon repertori i huaj. A duhet përfshirë më shumë muzika shqiptare apo këto formate duhet të vazhdojnë kështu, siç janë në të gjithë botën?

Do të ishte mirë të përfshihej më shumë muzika shqiptare, sigurisht. Por këngëtarët që këndojnë në klube shumë pak këngë të tyre origjinale kanë. Mund të këndonin më shumë cover-a shqip, megjithatë duke parë se në çfarë raportesh janë kualitetet tona me ato botërore, mendoj se argëtimin më cilësor e sjell repertori botëror. Megjithatë, po të shkruajnë shumë kompozitoret dhe grupet, unë do të pranoja të dëgjoja vetëm shqip nëpër Pub-e.

Si ju duket muzika e prodhuar vitet e fundit në vend?

Po rikthehet rock-u dhe popi. Cilësia e incizimeve është përmirësuar ndjeshëm. Ka kompozitorë të rinj që po tentojnë të eksplorojnë nivele të tjera. Unë e shoh me sy pozitiv.

Si protagonist i një talent-show, si duken të rinjtë shqiptarë që aspirojnë për karrierë muzikore?

Me plot gojën mund ta them që të rinjtë tanë janë plotësisht të aftë të barazohen me nivele të larta interpretimi. Janë jashtëzakonisht të talentuar, me ambicie e vullnet. Sa për përgatitjen e tyre te “The Voice” kam mbetur pa fjalë. Pavarësisht mungesës së theksuar në literaturë dhe kulturë muzikore, janë padyshim një brez që do të sjellin risi dhe do të bëjnë diferencën më vonë. Madje pres akoma më shumë.

Po entuziazmi është po ai që ka pasur brezi juaj në vitet ’90?

Sa për entuziazëm, do të thosha që brezi im, i viteve 90’, kishte gjëra të tjera plus, faktorin revolucion, ndërrimin e sistemeve, ide të reja. Sot komercializimi global është mbytës dhe këtu rinia jonë nuk ka asnjë faj. Nuk është faji i saj që bota ndryshon për keq.

Po përgatitjet e përvitshme për “Eurosong” si ju duken?

Për “Eurovizionin” nuk kam asnjë lloj konsiderate dhe këtë e kam thënë edhe herë të tjera. Nuk jam njeri që shtirem dhe bëj komplimente për gjëra që i shoh larg vizionit tim artistik. Sa për përgatitjet e stafit që shkon në ‘Eurovizion’, vlerësoj jashtë mase punën që bën për t’u paraqitur sa më denjësisht në këtë aktivitet pa pikë rëndësie. Këtu them me veten time që profesionistët e mirë duhet të vlerësojnë artin e tyre dhe jo aktivitetin. Sa herë jemi paraqitur në Eurovizion, jemi paraqitur denjësisht dhe e keni parë vetë sesi jemi vlerësuar. Ai aktivitet duhet hedhur në recycle bin.
/MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here