Elsa Lila, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare ka vendosur që pas më shumë se një viti ta prezantojë të voglën e saj Evitën, me publikun e gjerë, përmes një kopertine të veçantë në revistën “Shqip”.

Disa muaj pas rrëfi mit që na besoi në “Bluetooth”, Elsa Lila vjen këtë herë në një intervistë të gjatë për Arjan Konomin, ku ndan detaje vërtet interesante nga jeta e saj gjatë këtij viti të parë me Evitën. …

Një ndër to, që do ta lexoni më të zgjeruar në revistë, ka qenë momenti dramatik, ku Elsa për pak e humbi Evitën. “I vetmi moment ku bota m’u shemb dhe sytë m’u errën e trupi më dridhej si nën një elektroshok ka qenë një episod ku Evita shpëtoi mrekullisht.

Ishte rreth një muajshe e gjysmë, ora rreth 11 e natës dhe ajo flinte e qetë. Një instinkt i çuditshëm më tha: Çohu Elsa dhe shko kontrolloje vajzën. Kur iu afrova shtratit të saj, me tmerr zbulova se ajo nuk po merrte frymë dhe kishte marrë një ngjyrë që dua ta harroj.

E mora në krahë dhe ndërkohë që bërtisja për ndihmë nëpër shkallët e pallatit e lëvizja fort me gjoksin e saj të vogël mbështetur në pëllëmbën time.

Pas disa sekondash të gjata tmerri që mua m’u dukën si orë, ajo papritur qau, u rikthye përsëri dhe unë nuk kam fjalë për të përshkruar emocionin e fuqishëm, lotët, trupin që më dridhej deri në palcë dhe fytyrën që kishte marrë ngjyrë blu. Evita qante dhe unë lumturohesha.

Një engjëll e kishte mbrojtur, ndoshta gjyshja e saj Eva dhe stërgjyshja e saj Dallëndyshja që nuk janë më. Më çuan instiktivisht ta kontrolloja sërish ndonëse pak çaste më parë kisha qenë pranë saj.

Pak sekonda më vonë dhe do të kishte qenë tepër vonë. Por nuk dua ta mendoj”, – ka treguar Elsa për revistën. Më tej, gjatë intervistës me Konomin, këngëtarja me zërin brilant ka treguar se tashmë i është rikthyer pijeve të qejfit, madje të parën gotë me alkool ajo thotë se ia ka dhënë Arjani.

Deri tani, siç na ka treguar edhe në “Bluetooth”, Elsa e ka ushqyer Evitën me qumësht gjiri dhe si pasojë ia ka kursyer vetes alkoolin dhe duhanin. “Gotat e para të alkoolit m’i ke qerasur ti Arjan, kur erdha në Tiranë në fund të majit. Deri në fund të prillit vazhdoja t’i jepja qumështin e gjirit Evitës, kështu që nuk kam prekur asnjë gotë që kur isha shtatzënë.

Kur erdha në Tiranë, ti më rikujtove kënaqësinë e ndarjes me një shok të një gote kokteili dhe ndjesinë e përhumbjes e relaksimit që të jep. Tani që jam në Madagaskar, më në fund mund ta shoqëroj Alessandron mbas darke me një gotë rum tipik të vendit, vërtet shumë i shijshëm”, – ka vijuar ajo. Për të zbuluar më shumë nga jeta e saj dhe për të parë të plotë setin e mrekullueshëm fotografik, mund të shfletoni revistën.

Njohja me Alessandron
Takimi me të ka qenë sa i veçantë aq edhe romantik. Përpjekja e saj për t’u shkëputur për pak çaste nga kjo botë e zhurmshme, në një tjetër, ku mbizotëron paqja dhe qetësia e ka njohur me zhytësin profesionist. Një dashuri me shikim të parë në ishullin e Madagaskarit.

Pasioni i zhytjes ka qenë ai që i ka bashkuar në një det të tërë fantazish dhe realitetesh. Përpos pasioneve të njëjta, kanë shumë gjëra që i bashkojnë. Karakteri, shpirti i lirë, adhurimi që kanë për fëmijët. Të dashuruar kokë e këmbë pas gjetjes perfekte të njëri-tjetrit, ata bien dakord dhe në një tjetër ide, anti-konformizmin që kanë për martesën.

Kanë vendosur të mos martohen. Kështu është shprehur edhe vetë Elsa në intervistën e para një viti, e bindur për ritualin e njëjtë të kësaj forme të jetuarit. Megjithatë është e sigurt për diçka tjetër, është shumë e dashuruar, dhe shumë e lumtur.

Rikthimi në muzikë
Për artdashësit largimi i saj nga skena këto vite s’është përqafuar fort, ama lajmi i mirë është që ajo do të rikthehet. Shumë shpejt madje. Ajo do të vijë me një projekt muzikor, pjesë e të cilit do të jetë edhe engjëlli i saj. Aktualisht Elsa është zhvendosur në Madagaskar, ndërkohë që jeta e saj është ndarë mes dy kontinentesh, Afrikës dhe Europës.

Evita, si Elsa me ngjyra
Gjatë bisedës së shkurtër telefonike që bëmë për një nga kopertinat e muajit mars në suplementin “Bluetooth”, Elsa na e përshkroi pak të voglën e saj. “Evita ka sy të mëdhenj blu, flokë ngjyrë gruri, është komike si tip, ekspresive dhe shumë e lëvizshme. Është një miks midis meje dhe Aless. Sytë blu për fat të mirë i ka nga i ati.

Megjithatë një miku ynë, piktor i njohur dhe natyrisht me një sy të rafinuar estetik kur na pa së bashku, tha: Evita është si Elsa me ngjyra, Elsa si Evita bardh e zi”, – tregoi këngëtarja. Dhe siç duket ka pasur të drejtë. Evita e saj është e mrekullueshme, e ngjashme me ato bebet e reklamave, pas të cilëve afeksionohemi.

Shkrimin e marsit e mbyllëm me dëshirën për të zbuluar sa më parë portretin e Evitës. Tani që ëngjëlli i Elsës u zbulua (falë kopertinës së “Shqip”), s’na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë jetë të gjatë Evitës së vogël, Elsës dhe Aless. Qofshin gjithmonë të lumtur bashkë, siç Evita dhe Elsa janë në këtë foto. Gazeta Shqiptare

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here