Më drithëroi, më mori me vete dhe më bëri të reflektoj. Ky ishte emocioni kur dëgjova për të parën herë këngën “SUUS”.

Emocioni u bë edhe më i fuqishëm kur ky reflektim i një kënge kaq personale, bëri që në 50-vjetorin e festivalit në RTSH të thyhet edhe tabuja kolektive, që një shqiptar i Kosovës nuk mund ta fitojë atë dhe ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.

Lumturia rritet kur e mendon se një këngë kaq intime dhe pa tendencë imponimi audio-vizual mori miratimin e jurisë profesionale, por edhe të publikut njëkohësisht. Një moment ky i rëndësishëm për të gjithë ne, që shënon një dritë për një kthesë dhe një etje për vlerën e vërtetë dhe për krijimin e sinqertë në dimensionet e ndryshme të krijimtarisë shqiptare. Një moment si ky shënon njëkohësisht edhe idenë për një përfaqësim të gjerë të shqiptarëve të bashkuar dhe pa kufi.

Prandaj, në një moment si ky, krejt çka mund t’u them shumë ziliqarëve, zërave kundërshtues dhe injorantëve që gjithëherë gjejnë mënyra për të minimizuar suksesin apo këngën që ka goditur në shenjë, është vetëm një “SUS”. Me siguri shumica prej jush e dini tanimë domethënien e kësaj fjale (në turqishte ka kuptimin – hesht ose mbylle, që këtu përshtatet më shumë) “SUS”! Vetëm kaq mund t’iu them të gjithë atyre që nuk kanë durimin as për 4 minuta ta dëgjojnë klithmën “SUUS” të Ronës. “SUS”! Ju që nuk keni ndjesinë më të vogël të mundshme të bashkëndieni me

“SUUS”-in e Ronës.
“SUS”! O ju shqiptarë që kurrë nuk e ngrini zërin për asgjë të pavlerë, të pashije e papërmbajtje që po deformon mendësitë dhe shijet tona.

“SUS”! Ju që e keni humbur apo shitur “SUUS”-in tuaj që moti, apo edhe nuk e keni pasur ndonjëherë.
“SUS”! Ju apatikë dhe lakmitarë që po jetoni në terrin e mbështjellë me xixëllima e vrima…
Për një shqiptar nga cilado anë e kufirit, e që ka pak rëndësi, “klithma” e Ronës ka kuptim më të gjerë sesa si një klithmë personale (SUUS).

Ajo reflekton gjithë përplasjet tona shpirtërore në kërkim të shumëçkaje të munguar e të mohuar dikur. Dhe, jo çdokush kishte zgjedhur rrugën e drejtë e të sinqertë për ta “realizuar” apo për ta “rigjetur” veten në konditat e tranzicionit dinamik politik, social, kulturor dhe ekonomik. Shqiptarët sot, të trazuar dhe të etur, në “kërkim” të gjetjes së vetes gjithandej, në fakt po e humbasin veten, duke mohuar një gjeneratë, një histori, një vlerë dhe një pedigre të mëhershme.

Mohimi i vetvetes, ngarendja pas pazarit dhe pas tjetrës ka sjellë shpirtin shqiptar në udhëkryqin më të madh të mundshëm sot. Në këtë udhëkryq, vetëm ata që ndjekin “SUUS”-in e tyre e gjejnë rrugën e vërtetë deri te caku, sado e vështirë, sfiduese dhe e gjatë të jetë ajo.
Pazarxhinjve shpirtërorë dhe bërrylave të tyre në kërkim të “SUUS”-it të tyre të munguar iu them “SUS”! Mendimi a vlerësimi i këtyre për “SUUS”-in e Ronës dhe Florentit nuk është i nevojshëm, ata nuk mund të shohin në “SUUS”-in e Ronës asgjë më shumë se veten e munguar. Në pamundësi për të ndryshuar gjërat, kështu të zhveshura dhe varfëruara skajshmërisht, Rona kërkon një strehë, ku të paktën mund të qajë lirshëm, e ajo është kënga e saj. Andaj, ju që jetoni pa hije “SUS” dhe dëgjoni “SUUS”…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here