Elia Zaharia, edhe pse nuk ka shumë vite në skenën teatrore me rolet që ka sjellë deri më tani në teatër ka marrë jo pak vlerësime. Aktorja është mirëpritur nga publiku për interpretimet e saj në pjesë të ndryshme teatrore, ku ka spikatur talenti dhe profesionalizmi.

Këto ditë ajo po zhvillon provat në Teatrin Kombëtar të Komedisë, pasi do të sjelli para publikut personazhin e Marinës në komedinë “Dashuria e harruar”, një personazh që ajo e vlerëson jo pak, i cili ka bërë që të jetë për herë të parë në një komedi shqiptare.

Në intervistën dhënë për gazetën, ajo tregon se është gjithmonë kërkuese në jetën e saj artistike, dhe pohon se rolet i pranon kur i thonë diçka dhe jo vetëm se është një punë që duhet bërë. Thotë që skenën e ka dashur që në fëmijërinë e saj, dhe pohon se aktrimi është një profesion që kërkon shumë punë dhe energji, gjë që e ka parë dhe tek nëna e saj, aktorja e njohur Yllka Mujo. Elia Zaharia aktorja dhe njëkohësisht dhe e fejuara e princ Lekës, tregon se gjithmonë e ka vlerësuar mendimin e të fejuarit të saj në jetën artistike, duke theksuar se e ka ndihmuar jo pak. Por cilat kanë qenë momentet më të veçanta, më emocionuese në jetën e saj dhe sa e rëndësishme ka qenë për karrierën artistike familja e saj, Elia na i rrëfen gjatë kësaj interviste.

-Në sezonin artistik që lamë pas ju keni qenë në skenë për publikun, ku jeni vlerësuar jo pak për rolet që keni interpretuar. Këto ditë ju shohim pranë Teatrit Kombëtarë të Komedisë, me një tjetër projekt teatror që vjen në skenë nga regjisori Erion Kame, i cili edhe e ka shkruar këtë pjesë. Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin tuaj për këtë projekt teatror, i cili do t’ju rikthejë sërish para publikut?
Me regjisorin Erion Kame unë bashkëpunoj për herë të parë si aktore në këtë vepër, por dhe vite më parë unë kam bashkëpunuar me të për teatrin, ku kam përkthyer veprën “Muzika dy” që ai e vuri në skenën teatrore. Ishte një vepër që unë e përktheva nga frëngjishtja, dhe në këtë vepër interpretonte dhe mamaja ime. Ishte ky bashkëpunim, i cili tregoi se do të vijonim dhe më tej me teatrin, pasi ishin shije të përafërta për teatrin. Ne kemi dhe një miqësi të hershme familjare, ku mamaja ime ka bashkëpunuar për shumë shfaqje me regjisorin e mirënjohur Gëzim Kame, por dhe me Erionin. Kështu që unë jam nisur me një hap të sigurt në këtë bashkëpunim për veprën “Dashuria e harruar” që pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Më pëlqen mënyra se si ai punon, është kërkues në punë dhe di se çfarë të kërkojë nga një aktor dhe të çojë në rrugën e duhur. Ne të tërë në këtë shfaqje e shikojmë me shumë besim, dhe kam bindjen se do të jetë një shfaqje shumë serioze. Edhe pse është komedi, kjo nuk do të thotë që nuk punohet me seriozitet, përkundrazi komedia kërkon që të jesh shumë e vërtetë dhe të përcjellësh atë që do tek publiku.

-Për ju është hera e parë që jeni protagoniste në një komedi në skenën shqiptare. Regjisori ju ka besuar në këtë vepër rolin e Marinës, por çfarë sjell ky personazh?
Është një rol interesant, dhe nuk dua të zbuloj shumë pasi dua të lë diçka për shfaqjen kur të vijë në skenë. Marina është një personazh në mëdyshje, ka vështirësi për të vendosur. Ndodhet mes dy historive, asaj me bashkëshortin e vet që ka ndërtuar një jetë dhe një dashurie të re, e cila gjithashtu e pasionon. Marina është e dyzuar dhe nuk vendos dot, dhe gjatë komedisë ndodhin shumë gjëra, që do t’ia deformojnë pikën konjuktive të tërë personazheve.
-Kur jua propozuan këtë rol, çfarë të pëlqeu?
Marina është një personazh që më tërhoqi. Është gjithmonë në dilemë, dhe i ndodhin gjëra për të cilat ajo është dhe nuk është shkaktare. Gjithmonë jemi të dyzuar mes arsyes dhe zemrës, kemi dhe tendenca që mund të duken pasionante, por nuk janë dhe aq të arsyeshme. Marina është tek çdo femër. Ajo do ta ketë shumë të vështirë deri sa të marri një vendim. Kur e kam lexuar pjesën pashë që të gjithë personazhet ishin të spikatur, unë po të zgjidhja nuk do të dija kë të zgjidhja. Flas për Marinën, sepse ky rol mu propozua dhe e dua shumë si rol. Unë nuk i pranoj asnjëherë gjërat vetëm sa për të bërë një punë më shumë, por e pranoj rolin kur duhet të më thotë diçka, të më zgjojë diçka, prandaj them se është një rol shumë interesant.

-Ishit në veprën “Shtrigat e Salemit” shkruar nga Arthur Miller, e sjellë nga regjisori Spiro Duni në Teatrin Kombëtar. Si u ndjetë këtë herë në këtë vepër, ku ashtu si në skenat e botës pati jo pak sukses dhe në skenën shqiptare?
“Shtrigat e Salemit” është një vepër që është shumë e njohur. Është bërë dhe film. Në këtë vepër Abigeli ishte një personazh kompleks dhe në emër të dashurisë ajo shkatërron një fshat të tërë, duke çuar në litar shumë njerëz deri aty sa ajo shpërfytyrohet si personazh dhe harron dhe arsyen fillestare se pse, përderisa ajo çon në litar dhe njeriun që donte aq shumë. Është një femër që kapërcehet nga mllefi, hakmarrja, xhelozia. Fillimisht ajo është një 17 vjeçare e dashuruar, ishte një rol interesant, sepse kishte një metamorfozë dhe ishte e vështirë sepse brenda pak skenave kërkohej që të vinte kjo metamorfozë. Por unë pata fat, sepse ishte një kast aktorësh i jashtëzakonshëm dhe me një regjisor i cili punoi mjaft mirë. Kam një respekt të madh për të, ndoshta sepse është dhe regjisori i parë që më ngjiti në skenën e teatrit, ku unë e kisha ëndërruar që fëmijë.

-“Amaro Amore” nga italiani Carlo Bruni ju prezantoi në skenën teatrore së bashku me nënën tuaj, aktoren e njohur Yllka Mujo. Çfarë mund të na thoni mbi eksperiencën këtë herë në këtë vepër?
“Dashuri e hidhur” ishte interesante, sepse ishte një sjellje e re e “Romeo e Zhuljetës”. Një krijim i autorit dhe regjisorit italian Carlo Bruni, i cili bëri me ne një laborator. Ai u frymëzua nga personazhet që gjeti, ata realë, dhe e pasuroi veprën e tij me copëza të jetëve tona. Roli im të paktën u shkrua edhe i frymëzuar nga ajo çfarë solla gjatë këtij workshopi që bëmë. Nëse roli i Zhuljetës ishte i shkruar, roli i Rozalinës që unë interpretova u shkrua nga fillimi, sepse ajo tek Shekspiri vetëm përmendet dhe nuk ka tekst. Në këtë rast ne i dhamë jetë dhe secili nga ne solli dhe gjëra personale. Unë solla monologun e freskoreve. Unë i kam dhe pasion dhe i kam koleksionuar për një kohë të gjatë, dhe integrova në rol dhe gjuhën e erashkës. Ky ishte dhe një interpretim i veçantë, sepse isha për herë të parë me nënën time në skenën e teatrit, pasi më herët kam debutuar në kinema në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” vite më parë dhe ka qenë viti 2002.
-Bashkëpunimi me nënën tuaj duket se ju ka falur jo pak emocione në teatër dhe kinema, mendoni se duhet të vijojë?
Sigurisht që mendoj se duhet të ketë dhe bashkëpunime të tjera. Unë nuk jam ngopur në skenë me të, sepse tek “Amaro Amore” ishte vetëm një moment ku unë i hidhja një fjalë dhe ajo ishte në një pod, që ishte i ndërtuar në publik, zhvendosej në shumë ambiente, dhe pjesa tjetër e monologut i adresohej publikut. Konkretisht unë me nënën time unë nuk kam pasur mundësi që të luaj, paçka se kemi qenë brenda një projekti. Dhe kam një dëshirë të madhe që të jem sërish me të në një tjetër projekt.
-Edhe vëllai juaj ka vijuar rrugën e artit, ai është më shumë drejt kinemasë, por si janë bisedat tuaja më të për artin?
Padyshim që bisedojmë, dhe Amosi është një djalë shumë serioz dhe më vjen mirë sepse në këtë profesion duhet të jesh serioz. Jo se është vëllai im, por mua më pëlqen mënyra se si evoluon. Atij i pëlqen shumë të lexojë, dhe për mua kjo është një nga gjërat kryesore të këtij profesioni. Amosi e do shumë kinematografinë.
-Do t’u pëlqente të ishit të tre në një projekt kinematografik?
Kush nuk do të donte. Kjo është një ëndërr profesionale që unë e kam, Amosi e ka, me siguri dhe ime më.

-Në sezonin artistik teatror ju keni sjellë role të ndryshme dhe keni qenë jo pak e angazhuar. Ju ka lodhur kjo punë deri tani?
Sinqerisht ju them që nëse ky profesion do të lodhte unë nuk do ta kisha nisur aktrimin. Është një profesion që kërkon angazhim fizik, emocional, përqendrim. Që në fillim unë e dija se çdo të thotë ky profesion, e di nga nëna ime. E di se sa energji ka marrë dhe vazhdon ti marri aktrimi. Por unë e kam me pasion dhe i kam dhënë tetë vite studimi. Aktori duhet ta dojë këtë profesion.
-Si kanë ndikuar studimet në Francë në formimin tuaj artistik, dhe sa ju kanë shërbyer në zhvillimin e jetës artistike në Shqipëri?
Kam studiuar tetë vite në Francë, në tre shkolla të ndryshme dhe të gjitha për teatër. Një konservator, shkollë private dhe universitet. Kam dashur që të kompletoj bagazhin tim, por unë kam pasur fat sepse Parisi, Franca, janë vende që arti nuk mungon. Ka një përqendrim, energji të jashtëzakonshëm, dhe vetëm në rrethinat e Parisit ka rreth 3 mijë teatro. Megjithatë unë gjithmonë e kam projektuar veten në skenën e teatrit në Shqipëri, kjo ndoshta ka të bëjë dhe me kujtimet e fëmijërisë sime. Unë kam lozur në disa skena, edhe në Paris dhe në Festivalin e Avijonit, por gjithmonë në një cep të zemrës sime kam thënë që emocionin që mund të ma japë teatri shqiptar nuk mund të ma japë skenë tjetër. Është e vërtetë që ka mungesa në teatrin shqiptar, por unë mendoj që me kohën do kalojnë sepse Shqipëria do të hapet nga ana artistike. Unë jam kundra asaj që gjërat ti presim të vijnë gjithmonë nga të tjerët. Informacioni është, ka mundësi dhe nëpërmjet internetit, librit, për tu pasuruar dhe më shumë nga ana artistike. Jam dakord që ana ekonomike kushtëzon shumë gjëra në teatër, por nuk mund ta ndalojë zhvillimin.
-Deri tani më shumë ju keni qenë e angazhuar në teatër, çfarë mund të na thoni për rrugën tuaj në kinema?
Mua më pëlqen kinemaja, edhe pse këto vite jam përqendruar më shumë tek teatri. Unë kam pasur propozime dhe në kinema, por është ajo që ju thashë më parë, që nuk dua të bëj një rol vetëm se duhet, por duhet të kem një rol i cili do të ngjallë diçka tek unë. Deri në momentin që kjo nuk është atëherë unë nuk kam pse të pranoj një rol të tillë. Unë dua të kem një rol që të më flasë, të më ngrohë.
-Sa ju ndjek në jetën teatrore nëna juaj, dhe a është kritike ndaj jush?
Më ndihmon shumë dhe është gjithmonë pranë meje. Unë i kërkoj gjithmonë mendime para premierave, gjatë provave. Kam shumë besim tek ajo, sepse e di që asnjëherë nuk do të thotë diçka për të më bërë qejfin, dhe interesi i saj është dhe interesi im. Është prind, është dashuri e pakushtëzuar. Kam besim absolut tek ajo dhe më ndihmon, është shumë e drejtë në gjykimet e veta.
-Jeni një aktore re, por a keni ndonjë rol të cilin mendoni ta bëni pjesë të galerisë së personazheve tuaja në skenë?
Dramaturgjia ka perla dhe aktorët kanë ëndrra, por një nga rolet që unë kam dashur ka qenë Abigela tek “Shtrigat e Salemit”, dhe kjo dëshirë mu realizua. Patjetër që ka dhe role të tjerë që do të doja të interpretoja.
-Deri tani treguat se keni jo pak angazhime artistike, por si është koha juaj e lirë?
Për diçka jam e talentuar më shumë se çdo gjë tjetër. Jam shumë e talentuar për të mos ti lënë vetes asnjë minutë për të marrë frymë (qesh). Nëse ka ndonjë njeri që di ta mbushë dhe kohën e lirë me angazhime, jam unë. Çuditem me veten, sepse kam ëndrra për pushimet dhe mendoj plazhin, malin, por kur vjen vera unë e gjej veten gjithmonë të mbingarkuar me punë. U bë vite që unë pushoj shumë pak. Angazhohem shumë, por nëse do ta quaj kohë të lirë, një nga dashuritë e mia të mëdha është piktura.
-Publiku ju kujton dhe për interpretimin tuaj në këngë. Pse u shkëputët nga ajo?
Kënga ka qenë zhanri i parë që unë kam prekur në art me grupin “Spirit Voice”, më pas dhe në Francë kam pasur bashkëpunime atje me kompozitorë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, vazhdoj ta dua muzikën, por në këtë kohë kam qenë e angazhuar më shumë me teatrin, pikturën, por kjo nuk do të thotë që i kam vënë kryqin muzikës.
-Treguat se keni jo pak angazhime në art, por princ Leka, njëkohësisht dhe bashkëshorti juaj, sa ju ka ndihmuar në jetën tuaj artistike?
Leka është gjithmonë pranë meje dhe unë jam shumë e lumtur për këtë. Ai është shumë artdashës, i pëlqen kur unë merrem me pikturën teatrin dhe muzikën. Është gjithmonë një mbështetje për mua dhe më ndihmon dhe në zgjedhjet që bëj. E kam kënaqësi që të ndaj opinion me të. Të tria pjesët teatrore që kam punuar në Shqipëri i kemi lexuar bashkë, dhe më ka ndihmuar dhe për tekstin. Ai është prezent në jetën time aq sa dhe unë përpiqem të jem në prezent në jetën e tij. Ne mbështesim njëri-tjetrin, edhe pse zgjedhjet që kemi bërë janë të ndryshme në anën profesionale. Vjen në shfaqjet e mia në teatër, i ndjek me shumë interes. E marr shumë për bazë mendimin e tij, por dhe mamaja e tij ka qenë një pedagoge arti për pikturë, dhe ka një shije estetike të kultivuar, mesa duket e ka të trashëguar dhe jep mendime shumë të drejta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here