Elhaida Dani: Jam ndër këngëtaret më të klikuara në “Eurosong”Varianti në shqip i këngës “I’m alive” do të publikohet ditët në vazhdim. Ishte shumë e rëndësishme për mua që të publikohet edhe versioni në gjuhën shqipe, pasi e ndiej më shumë sesa atë në anglisht. Kënga është e njëjta, ndryshon vetëm gjuha.

Një këngë pop për veten, gruan dhe pasionet e saj, me të cilën ka prekur zemrat e publikut që tani. Elhaida Dani sapo ka festuar 22­vjetorin dhe ndihet e plotësuar me “I’m alive”, përderisa ende pa dalë në skenë e “Eurosong” ka marrë mjaft vota nga publiku dhe ka bërë shumë fansa për vete. Në skenën e “Eurosong”, që këtë vit do të mbahet në Vjenë, ajo do të performojë në natën e parë gjysmëfinale, më 19 maj.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ajo flet për emocionet e një skene të pashkelur më parë dhe sa e sigurt është për të prekur finalen e “Eurosong” më 23 maj.

Pas variantit anglisht “I’m alive” ke njoftuar fansat e tu për publikimin shumë shpejt të versionit shqip të këngës, me të cilën konkurron në Eurovizion. Sa ndryshe vjen kënga në shqip?
Varianti në shqip i këngës “I’m alive’ do të publikohet ditët në vazhdim. Ishte shumë e rëndësishme për mua që të publikohet edhe versioni në gjuhën shqipe, pasi e ndiej më shumë sesa atë në anglisht. Kënga është e njëjta, ndryshon vetëm gjuha.

Sa mund të zbulojnë nga e vërteta jote nëpërmjet përmbajtjes së kësaj kënge? Ty çfarë të mban në jetë?

Më mban në jetë dashuria për familjen dhe miqtë më të ngushtë, e mbi të gjitha pasioni për muzikën. Besoj se kjo është ajo që i mban gjallë të gjithë, dashuria për të dashurit tanë dhe pasionet që kemi.

Zakonisht këngëtaret që janë ngjitur në skenën e Eurovizion kanë zgjedhur të transformohen. Ti do të shfaqesh sensuale apo agresive?
Një femër është gjithmonë sensuale në mënyrën e saj. Unë do jem vetvetja. Mendoj se është mënyra më e mirë të shfaqesh gjithmonë dhe kudo.

Kush është stilisti yt dhe çfarë veshje është ideuar për ty?
Veshja ime do të stilohet nga Miranda Dupi. Kemi menduar ta mbajmë surprizë për natën e parë të gjysmëfinales në Eurovizion.

Vazhdon të jesh ndër këngëtaret më të klikuara në faqen e Eurovizion? Kjo vëmendje e publikut para fillimit të festivalit të tremb apo të gëzon?
Po, jam ndër këngëtaret më të klikuara në Eurovizion dhe më vjen shumë mirë për këtë fakt. Të tregohem e sinqertë, është ajo që doja. Kjo është fitorja e çdo këngëtari, që kënga e tij të dëgjohet dhe të këndohet nga çdokush.

Cilët janë këngëtarët e tjerë që ti i sheh si rivalë të fortë?
Janë të gjithë artistë të mirë dhe të njohur. Këngëtarë dhe këngë shumë të mira. Do kem kënaqësinë të ndaj me ta të njëjtën skenë.
Realisht e mendon fitoren?
Pres të jap më të mirën e ta shijoj deri në fund këtë eksperiencë, cilido qoftë rezultati. Dua të dal kryelartë./Ballkan web/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here