Është vërtet për t’u çuditur se si e ka kapluar heshtja industrinë e muzikës kosovare. Meriton të quhet industri, pasi jemi mësuar të shohim çdo ditë projekte dhe bashkëpunime nga më të zjarrtat, e hite prej më të mirave.

Pas një fundjave të kaluar, kur shpërthyen reperët e të gjithë studiove rivale në shenjë të rrahjes së famshme të Noizyt dhe Babastars, që nuk ka si të mos përmendet në një ekskluzive të tillë, janë emra tjerë të cilët kanë heshtur në ndërkohë dhe po përgatiten për ‘shpërthimet’ e tyre.

Telegrafi ka mësuar me saktësi nga burimet se cilat do të jenë disa prej bashkëpunimeve më të mëdha të verës, ku spikasin emra të mëdhenj të skenës tonë.

1. Arta Bajrami feat. Capital T

Pas lansimit të albumit kohë më parë dhe hiteve të suksesshme siç ishte “Pa Fat”, Arta Bajrami do t’u kthehet bashkëpunimeve. Ajo ka punuar me reperin Capital T në një këngë e re, e cila sipas burimeve tona do të jetë në albumin e ri të reperit të ‘labelit’ 2HighRecords. Ky do të jetë bashkëpunim mjaft interesant, pasi dihet se të dy emrat e lartpërmendur njihen për këngët e tyre me tematikë qëndrore dashurinë.

2. TDS feat. Nora Istrefi

Pa dyshim tejet të suksesshëm me “Ka Je”, reperët nga Prishtina duan që të gjejnë përsëri se ku është Nora, për të ripërsëritur suksesin e madh. Nora, e cila ka bërë ‘boom’ me një imazh të ri në videoklipin “Ski me Ik”, mund ta shfrytëzojë bashkëpunimin e ri me TDS për të lënë gjurmë në verën që po vjen, e cila s’ka si të mos jetë një prej verave më të nxehta në aspektin muzikor.

3. Dafina Rexhepi feat. Don Arbas

Pasi i dhembi koka nga suksesi i këngës “Party and Bullshit”, këto ‘kokëdhimbje’ për këngëtaren Dafina Rexhepi pritet të vazhdojnë. Kjo pasi reperi Don Arbas do të rikthehet fuqishëm me një super këngë në bashkëpunim me bukuroshen, e cila pa dyshim se do të synojë pushtimin e diskotekave kosovare.

4. Ledri feat. Dafina Zeqiri

Pasi ia bëri me dije atë që ndjen në këngën “Pom Pëlqen”, Ledri Vula dhe e fejuara e tij Dafina Zeqiri, që të dy këta yje të BabaStars, do të vijnë me një bashëkpunim të ri që do të jetë në kuadër të albumit të ri të këngëtares super seksi. Për sukseset e këngës së re nuk ia vlen të flitet, pasi ai është i pa mohueshëm, por mbetet të shihet nëse Ledri do të mbajë imazhin e tij prej një gjentëlmeni, apo do të vazhdojë rrugën e marrë javë me parë – atë prej një gangsteri.

Këto janë vetëm disa prej bashkëpunimeve të pa publikuara për të cilat Telegrafi posedon informata të sigurta se do të lansohen, ndërsa kjo nuk është e tëra nga ana jonë, pasi në ditët në vijim do të publikojmë edhe bashkëpunimet dhe atë që mund të presim nga reperët më në zë dhe këngëtarët e zhanreve tjera.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here