“Fëmija është dëshirë e secilës femër dhe ëndërr që e dëshiron me shpirt secila. Edhe për mua kjo është njëra ndër dëshirat më të mëdha që Zoti ma ka plotësuar.

Në momentin kur kuptova se do të kem fëmijë, ka qenë momenti më i bukur që kam përjetuar ndonjëherë. Thjesht është e pamundur të përshkruhet me fjalë, atë vetëm mund ta ndiesh, ta përjetosh”.

Shumë e emocionuar është rrëfyer në një nga intervistat e fundit këngëtarja Edona Llalloshi, pasi ka sjellë në jetë vajzën e saj Doa. “Mua adhuruesit mund të më gjejnë në mbrëmje rinore, koncerte, në valët e radios dhe në ekranin e TV-së. Kur jam jashtë këtyre, ambienti im më i pëlqyer është shtëpia. Gjatë tërë kohës dua të jem me familjen.

Sa u përket këngëve të mia se a kanë të bëjnë me jetën time private, më duhet t’i pyes autorët e teksteve, sepse ajo është bota e tyre dhe unë ua besoj”. Ajo tregon se që nga fillimi, punën e saj muzikore e ka menaxhuar Rrahman Llalloshi (babai i saj), për të cilin thotë se ka qenë dhe është shumë i suksesshëm.

Edona është një këngëtare që karrierën nuk e ka ndërtuar me skandale, nuk “zhvishet” si të tjerat, nuk përdor ekstravagancën për ta joshur publikun. “Publiku e do këngën, e do zërin, emocionin, mesazhin që përcjell këngëtari. Gjërat e tjera po bëhen pjesë përcjellëse e një kënge.

Nuk e shoh veten në ato performanca. Më duken të tepërta. Dikush mund të luajë edhe me ekstravagancën, feminilitetin, ato nuk përjashtohen as në muzikën botërore. Mua më pëlqen estetika, por edhe thjeshtësia. Dua të besoj se jam brenda të dyjave”, kështu ka theksuar më tej Edona. Edona po ashtu ka treguar se muzikën nuk do ta lërë në asnjë moment, edhe pse familja gjithmonë do të jetë në radhë të parë.

“Sigurisht, edhe në të ardhmen muzikën nuk do ta lë në asnjë moment, por në plan të parë do të jetë familja dhe kujdesi ndaj fëmijës. Kam menduar që të përqendrohem vetëm atëherë kur të jem pak më e lirshme, sigurisht në vjeshtë, me qëllim që çdo iniciativë të marrë ta mbyll me sukses”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here