EdiAntikiteti jo shpesh krijohet e futet në aktrim si fuqi njerëzore me role aktorësh. Kjo për regjisorin kosovar Ilir Bokshi nuk paraqet asnjë problem, sepse po një situatë e tillë, me mbretin Edip si personazh me një fat të caktuar, që e çon deri në vrasjen e babait, martesën me nënën nga trupi i së cilës ka dalë, e me të cilën bën edhe një fëmijë, vjen në një shfaqje me 16 aktorë nga 74 sa kishin marrë pjesë në audicion. Pas inskenimit në Teatrin Kombëtar në Tiranë, shfaqja “Edipi mbret” të mërkurën mbrëma ka ardhur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, bashkëpunimi i parë konkret midis dy teatrove të dy shteteve.

“Ky është bashkëpunimi i parë le të themi në letra midis Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Është një punë e lezetshme dhe e lodhshme e cila është kurorëzuar mirë në Shqipëri, e tash ka vazhduar udhëtimin edhe në Kosovë” tregon regjisori Bokshi.

Të mërkurën në mesditë, në një konferencë për media, para premierës së shfaqjes, aktorët e saj nuk dukeshin të lumtur për ardhjen në Kosovë, madje njëri prej tyre ka pyetur se pse Teatri Kombëtar është një gropë e tillë. Pyetje të ndryshme mbi fjetjen gjatë ditëve të qëndrimit në Prishtinë kanë qarkulluar mes kastës së aktorëve. Aktori kryesor nuk ka të flasë për rolin që mishëron ai, duke thënë se s’mund të flasë për Edipin. Roli dramatik i tragjedisë antike “Edipi mbret’, shkruar nga Sofokliu, mbi figurën e së cilës janë thurur për shekuj teori arti e teori psikologjike, pasqyron në fabulën e saj incestin dhe tragjedinë njerëzore.

“Ne njihemi shumë moti me Bokshin, por sigurisht që ky është bashkëpunimi ynë i parë. Shfaqja ka një harmoni perfekte e cila nuk parandodh shpesh, dhe do të ishte mirë të ndodhte si e tillë” ka treguar aktori Helidon Fino, në rolin kryesor të shfaqjes, atë të vetë mbretit Edip. Drejtoresha e TKK-së, Elmaze Nura, tregon se atë e kanë komplimentuar për bashkëpunimin e dy teatrove dhe prodhimin e produktit- shfaqjes e cila është prezantuar në Tiranë gjatë mbajtjes së Konventës Teatrore Botërore, që mbahet 2 herë në muaj në njërin prej kryeqyteteve të shteteve anëtare të saj, këtë vit bashkë me Kosovën në formacion si anëtare e re.

“Shpresoj që edhe këto tri ditë në Prishtinë publiku do të mahnitet nga shfaqja, e cila ka marrë kritikën e duhur në Tiranë. Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimeve të tjera të cilat do të rrjedhin midis dy teatrove, për të cilat edhe kanë filluar bisedimet” ka treguar Nura. Me një skenografi të pastër, ku në qendër është Dielli, bien në sy daullet të cilat si element dhe si objekt përdoren nga vetë aktorët, ndërsa ritmet dhe këngët si zbërthime emocionale dhe artistike.

Muzikën e shfaqjes e ka krijuar Trimor Dhomi, kostumet Vesë Kraja ndërsa skenografinë Petrit Bakalli. Në rolet tjera në shfaqje paraqiten Yllka Mujo, Ema Andrea, Lulzim Zeqja, Olta Dako, Ermela Teli, Eftiola Lacka etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here