Një fustan dhe një shami plot ngjyra bien në sy në fund të shkallëve të teatrit “Oda”.

Kafiteria e mbushur plot e huton pak, porse i zgurdullon sytë teksa sheh të birin e saj në fotografi. Naxhije Murselaj (53) që jeton në Fushë-Kosovë, ndonëse nuk di shkrim as lexim, tenton të kuptojë se çfarë kanë shkruar poshtë portretit të djalit të saj.

Madje nuk e di se fotografia e të birit bashkë me afro 20 të tjera janë pjesë e ekspozitës që për temë ka kthimin e romëve nga Gjermania. Ajo çuditet kur kupton se të mërkurën mbrëma është hapur festivali i filmit për dhe nga romët – “Rolling Film Festival”.

Nuk di gjë se a ka ekspozitë, filma apo muzikë. Djali më tha që të vij”, thotë Murselaj. Djali i saj gjashtëmbëdhjetëvjeçar nuk pranon fare të flasë.

Por të zhurmshëm janë moshatarët e tij. Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe 19 vjeçari Egzon Shabanaj dhe motra e tij 16 vjeçe, Nazife. Atyre nuk u pushon goja teksa flasin për jetën e përditshme të tyre, porse mbesin pa fjalë kur pyeten për filma.
“Filmat nuk i shikoj gati fare”, thotë Egzoni, teksa shprehet se ky vit është hera e parë që vjen në “Rolling Film Festival”.

Nuk jam duke i kuptuar të gjithë filmat, mirëpo mendoj se do t’i shikoj ndonjë këto dit”, thotë ai. Edhe motra e tij nuk është adhuruese e filmave.

Nuk kam ndonjë informacion për filmat e romëve”, thotë ajo, ndonëse edicioni i dytë i “Rolling…” është bërë me muzikë e poezi.

Muzikanti Driton Berisha dhe poeti Kujtim Paqaku kanë sjellë për një gjysmë ore poezi e këngë të përcjella me kitarë. Për Berishën i cili ka performuar edhe në edicionin e parë të “Rolling…” dy vjet më parë, këtë vit organizimi i festivalit është më i mirë se ai në vitin 2009.
“Këtu është një energji pozitive dhe punohet me shumë dashuri”, ka thënë Berisha.

Ngjyra” që flet për ngjyrën e romëve dhe “Bëhu si ne”, kanë qenë dy nga shumë poezitë që ka recituar poeti Paqaku. Këto dy poezi për të janë një himn për romët. Përtej të gjithave “Rolling…” u përket filmave. Këtë vit sipas drejtorit artistik të festivalit Sami Mustafa është treguar kujdes në përfaqësimin e kulturës rome, traditës, historisë, si dhe rinisë.

Edhe këtë vit në ‘Rolling Film Festival’ ne do të ofrojmë një koleksion të mrekullueshëm të filmave dokumentarë, poezive, muzikës, fotografive, artit dhe videove të shkurtra”, ka thënë ai.
Teksa në natën e hapjes “Rolling…” është hapur me filmat “Welcome home” dhe “Cigarettes and Songs”, deri këtë të shtunë do të shfaqen afro 15 filma.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here