Këngëtarja e muzikës xhaz, Eda Zari, është dëshmuar të jetë shumë e adhuruar në Kosovë. Ajo mbrëmë mbajti koncertin e saj në Amfiteatrin e Shkollës Amerikane të Kosovës në Prishtinë në të cilën thotë se kaloi shumë bukur.

Në Prishtinë, Zari me bendin e saj vjen vetëm disa ditë pas premierës së albumit “Toka e panjohur” në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë.

Ajo dhe grupi i saj dëshirojnë të marrin miratimin e publikut shqiptar para se të dalin në një turne nëpër Evropë. Pas Tiranës dhe Prishtinës, gërshetimi i muzikës tradicionale shqiptare me xhaz do të shëtisë nëpër Evropë, duke filluar nga janari i vitit që vjen.

Për më shumë rreth këtij projekti muzikor dhe më gjerë flet Eda për “Zëri-n”.

Promovuat albumin tuaj edhe në Kosovë, me rastin e mbajtjes së koncertit tuaj, pak fjalë për të?

Tani është premiera e dytë në Kosovë pas Tiranës. Koncertin me rastin e promovimit të albumit e mbajta në Amfiteatrin e Shkollës Amerikane në Prishtinë në të cilin kaluam për mrekulli. Këtu në Kosovë sa herë që vij ndjehem sikur në shtëpinë time, kam shumë miq dhe adhurues të këngës sime.

Interesimi për koncert ka qenë shumë i madh, por e kam një vërejtje tek institucionet sepse këtu në Prishtinë nuk ka salla të koncerteve live, publiku është mësuar të dëgjojë koncerte play back dhe kështu që për të realizuar një koncert live është mjaft vështirë. Duhet respektuar në maksimum dëshirën e publikut. Në Shqipëri kanë traditë, kanë një kapacitet të konsiderueshëm të sallave.

Çfarë ju shtyri ta emëronit albumin “Toka incognita”?

Albumi “Toka incognita” nga latinishtja do të thotë tokë e panjohur, është thjesht aspekti metaforik i fjalës. Këtu bëhet fjalë për muzikën e panjohur shqiptare në ishujt muzikalë të panjohur. Jam munduar që me 12 këngë jo vetëm të paraqes elementet e këngës së bukur shqiptare por edhe t’i ndërthur edhe elementet e xhazit dhe muzikës botërore etnike që sjell për publikun.

Pra albumi është një përmbledhje e fortë e muzikës polifonike shqiptare, duke u qëndruar besnike tingujve të xhazit dhe në veçanti muzika polifonike e jugut të Shqipërisë kanë qenë vazhdimisht frymëzim për mua.

Me kë e përgatitët këtë album?

Ky album është me muzikantë 24 karat, si Abdel Rhani Kija, pjesë e grupit të këngëtarit Sting, pastaj kitaristi i famshëm Dominic Miller, djali 17-vjeçar i këngëtares Henning. Ndërsa tekstet dhe kompozimi janë të miat.

Keni përshtypjen se albumi do të pëlqehet në publik?

Kam përshtypjen se po, për shkak se që në fillim albumi ka marrë fjalë shumë të mira. Por këtë e tregon edhe fakti i publikut që kërkesat për koncert kanë qenë shumë të mëdha dhe biletat janë shitur shumë shpejt. Madje në ditën e fundit nuk ka pasur bileta dhe kështu një pjesë e publikut ka mbetur pa hyrë në sallë.

Me çfarë merreni jashtë këngës?

Jashtë muzikës nuk kam ndonjë profesion tjetër, jam e lidhur vetëm për krijimtarinë muzikore dhe asgjë tjetër.

Çfarë bëni në kohën e lirë?

Kam 2 fëmijë që i përkushtohem me shumë kënaqësi. Mundohem të jem një nënë e mirë dhe e dashur për ta.

Cili është projekti yt i radhës?

Tani planifikoj të organizoj një turne nëpër Evropë duke promovuar albumin tim.

Mesazhi për fund?

Të gjithë ata që janë të interesuar të dinë më shumë për projektet e mia muzikore mund të informohen në www.eda-zari.com.b

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here