Jo shumë e njihnin Eda Zarin, shqiptaren e famshme që luante një muzikë kaq unike në skenat e huaja. Ajo erdhi me “Toka Incognita”, një portë që Eda Zari e hapi me finesën dhe thjeshtësinë e një artisti, duke përfshirë në një atmosferë emocionuese publikun kryeqytetas.

Kjo ishte vetëm pak muaj më parë, një mbrëmje vjeshte, shija e së cilës te publiku që ishte në sallë është ende e freskët. E larguar nga Shqipëria që 17 vjeçe, Eda Zari kthehet kësaj here jo me muzikë, por me një rrëfim për veten e saj.

Ikjen nga Shqipëria, dashurinë, ndjesinë si nënë por edhe si grua, të gjitha këto Eda i rrëfen në këtë intervistë për suplementin “Madame Mapo”. Një surprizë tjetër për ata që e duan muzikën e saj është se Eda Zari do të bëhet pjesë e festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, përkatësisht me një sërë koncertesh të hapur në verë.

Pas koncertit të parë recital në Tiranë, mund të thoni si u gjendët mes publikut shqiptar?

Mund të them që nuk është hera e parë që ndodhesha para publikut shqiptar, por hera e parë që isha në një recital të tillë, gjithmonë në kuadër të albumit tim më të ri. Ajo që është më interesante për mua është të gjendesh në gjirin e njerëzve të tu, spektatorit tënd dhe të marrësh ngrohtësi të cilën e kërkon prej vitesh. E them këtë, sepse duke qenë përherë në koncerte, në vende të ndryshme, bëhet një rutinë dalja në skenë dhe merr përherë nga publiku i atij vendi një jehonë të caktuar që të përkëdhel. Dëshira gjithmonë ka qenë që pse mos të merret ky emocion edhe në vendin tënd, gjë që për çdo shqiptar është legjitim. Është thjesht fakti i të qenit shqiptar, gjë që, në çdo artist, në një moment të caktuar u kthehet rrënjëve. Vjen te pika ku ke filluar.

Shumë artistë shprehen që nuk ka si duartrokitjet e publikut shqiptar. A është më emocionuese ngrohtësia e një publiku që ti realisht nuk përfaqëson, që nuk njeh?

Në fakt unë nuk e ndaj këtë gjë. Publiku mbetet publik. Nuk ka rëndësi nëse je në vendin tënd apo në Brazil p.sh. Për mua suksesi është sukses, nuk ka rëndësi publiku. Të kthehemi tek aspekti shpirtëror, është normale, sepse ti kërkon rrënjët, identitetin tënd. Nëse kthehesh në Shqipëri ku çdo artist ka pasur fillesat, kujtimet e para, është legjitime të kthehesh dhe të debutosh, të marrësh duartrokitje, pse jo edhe kritika. Arti është subjektiv, dikujt mund t’i pëlqejë Eda Zari, dikujt jo. Është gjithmonë një publik i caktuar që të ndjek dhe nuk mund të thuash je e njohur këtu apo atje. Është gjithmonë një publik i caktuar që vjen dhe dëgjon, siç dëgjon dikush muzikën punk, apo lloje të tjera. Kështu që edhe publiku im është interesant dhe gjëja më e vlefshme.

Si lindi ideja të krijohej kjo muzikë mikse me ndërthurje shumëkulturash dhe elemente të veçanta?

Kur shoh publikun shoh dëgjuesin, nuk e ndaj në asnjë lloj nacionaliteti. Në radhë të parë çdo ide që vjen është një pjellë e një inspiracioni që unë mund të kem dhe nga ai embrion fillon të krijohet një projekt tjetër. Duke qenë se kam lëvruar shumë zhanre të muzikës, edhe pse vetë kam studiuar muzikë klasike. Në një moment të caktuar vjen ajo dëshira për të sjellë si çdo muzikant tjetër internacional të bëjë diçka të veçantë. Ideja ishte të bënim një projekt që të përmbante të gjitha këto zhanre dhe stile muzikore të cilat mua më inspirojmë dhe t’i vendosim në diçka kompakte, pa cenuar asnjë element karakteristik, si një element nga Maroku, muzika keltike apo nga kultura të tjera. Të gjitha këto të paketuara bukur pa cenuar asnjë element për të dhënë diçka që është muzika jonë, një muzikë e sinqertë.

Fillimet i keni pasur vetëm apo me bandën tuaj Eda?

Ka qenë shumë e strukturuar ideja ime. Kanë qenë disa kompozime të cilat ishin në sirtar, që u krijuan nëpërmjet disa orkestruesve gjermanë, që unë kisha kohë që punoja. Ideja ishte që të futnin edhe ca elemente të muzikës së filmit, për ta bërë pak edhe më të gjerë atë barkun zhvillues të orkestrimit, mënyrës si janë aranzhuar pjesët, për t’i dhënë më shumë thellësi. Banda ka qenë e piketuar që në fillim. Ka qenë çdo gjë e mirëmenduar edhe pse në koncerte dukemi të gjithë spontanë apo duke improvizuar.

Eda, ju i krijoni vetë tekstet e këngëve…

Shumicën e gjithë teksteve të këngëve i bëj vetë. Nëse fillojnë dhe bëhen shumë duar në një tekst fillon dhe prishet gjella, kështu që unë në këtë pikë jam shumë diktatore (qesh). Aspekti i frymës demokratike në një bandë është që secili të jap një identitet si muzikant po pa cenuar atë që është esenca e krijuar nga unë, idesë primare.

Kur krijoni një tekst udhëtoni mbrapa në kohë apo jeni në një gjendje të ardhme?

Kjo varet. Unë në fillim krijoj muzikën pastaj tekstin. Është ideja që në bazë të muzikës unë inspirohem, pastaj se çfarë dua të them me këtë. Normalisht tema e dashurisë, temë që nuk del nga koha, gjithmonë trend, është një garanci për çdo dëgjues dhe aq më tepër që unë identifikohem. Mund të jetë një dashuri e nënës për birin, një dashuri e humbur, një dashuri që ende s’e ke gjetur dhe i këndon asaj. Tema e dashurisë gjithmonë më ka frymëzuar. Në jetë takojmë shumë njerëz të cilët lënë ose nuk lënë brazdë në jetën tonë. Aq më tepër ne femrat e kemi më të kristalizuar sensibilitetin tonë. Unë kam ato brazdat e mia ndaj gjithmonë fillesat kanë qenë për temën e dashurisë. Megjithatë ka edhe tema të tjera, meditative, të jetës, sociale, realitet etj.

Jeni nga ato femra që paralelisht me karrierën keni dhe familjen. Si është menaxhimi i të dyjave?

Ka raste kur jam aeroporteve, hoteleve dëgjoj lexoj të njëjtat pyetje. Bëhet ashtu si të më vijë, rrumpallë (qesh). Aty një plan, aty diçka tjetër. Unë kam një familje, e cila më jep gjithmonë një mbështetje të jashtëzakonshme. Unë nuk i ndaj dot. Madje edhe tim shoqi i kam thënë mos më vendos kurrë para pyetjes artin apo familjen, se i dua të dyja. Kjo ka qenë si të thuash një lloj “kontrate” midis nesh. Në aspektin e familjes mund të them që ka një plan të caktuar, por ndonjëherë ka edhe gjëra të paparashikuara. Përveç kësaj dua të them që është edhe me faza, jo përherë je në udhëtim. Është një punë non-stop, po për të mos e ekzagjeruar, siç bëjnë të gjithë bëjmë dhe ne.

Kthehemi pak pas në kohë. Si ishte për ju shkuarja në perëndim, i një vajze që vinte nga një vend i mbyllur?

Ishte më tepër një realitet i parë nga fokusi i një adoleshenteje që asnjëherë nuk ka qenë jashtë kufijve të Shqipërisë, asnjëherë nuk është përballuar me një realitet të një kulture të huaj.

Si e kujton?

Kur hedh sytë në atë kohë nuk e kam ndjerë. Ajo që më kujtohet që kur kam shkuar në Gjermani ka qenë vetë shkuarja aty me një respekt të jashtëzakonshëm për atë vend. Mendoja që çdo njeri do të fliste anglisht, mendoja që ata njerëz dinin gjithçka rreth muzikës rreth artit pamor, rreth librave… në këtë klan shoqëror që kisha këtu, mendoja që atje do të ishte më lart, më të mbushur në intelekt. Unë shkoja me një uri të jashtëzakonshme, t’i bëja të gjitha. Të merresha me çdo gjë dhe mendoja që të gjithë njerëzit atje ashtu ishin. Nuk ishte kështu në fakt, sepse njerëzit as gjuhën e tyre nuk e flisnin si duhej. Fillova të kuptoja që nivelet janë të ndara dhe është njëlloj kudo.

Si u gjendet me bashkëmoshatarët tuaj?

Mbaj mend vitin e parë në konservator. Ishim në orën e dramës dhe më bëri shumë përshtypje sesi moshatarët e mi diskutonin me njëri-tjetrin, tek mënyra si e jepnin kritikën si e merrnin, sa hapur flisnim për seksin, ndjesia e të dashurës. Ne në kurs kishim një djalë homoseksual, fliste për eksperiencat e tij dhe unë rrija dhe prisja ç’do bëhej. Kisha gjëra të pasistemuara në mentalitetin tim të deriatëhershëm. Fillova ta ndërtoja sërish mentalitetin tim, ato gjëra që i shihja si negative pa prekur ato që edhe unë kisha pozitive, të pastra, sepse edhe ne kemi gjëra të mira.

A paragjykoheshe për faktin që vije nga një vend si Shqipëria?

Paragjykimet janë edhe sot e kësaj dite, sepse janë pikërisht vendet e lindjes që shihen si vende që kanë mentalitet arkaik. Shqiptarët deri nga mesi i viteve ’90, edhe të huajt që ishin këtu e njihnin Shqipërinë vetëm nga një anë e medaljes dhe habiteshin kur ti thoshe që jam shqiptare. Atje ku ka dele të zeza ka dhe të bardha. Megjithatë, për vendet e vogla gjërat spektakolare janë gjithmonë negative. E keqja është që shumë shqiptarë përpiqen të bëhen gjysmë-italian ose gjysmë grek. Unë nuk e kam ndjerë shumë në kurrizin tim, ndoshta sepse muzika është internacionale.

Është më e lehtë që një femër të zhvillojë karrierën jashtë sesa në Shqipëri?

Unë marrë si shembull nënën time, e cila ka qenë përherë në punën e saj, ka pasur lekët e saj. Ka dhe gra të cilat luftojë për pavarësi, varet sesa ato duan të dalin nga ajo mënyrë të menduari.

Si e sheh femrën shqiptare sot?

Mua më duket se femra shqiptare ka qenë gjithmonë e pavarur, ka çarë me shpatë (qesh). Gjithmonë ka luftuar për të qenë në qendër të vëmendjes. Pastaj është pjesa tjetër e pashmangshme në të gjithë botën, ku gruaja shihet si objekt. Është vetë figura e femrës që shihet si e tillë, që një femër e has në momentin e parë dhe kjo është universale.

Kush është më krijues mashkulli apo femra, sepse edhe kur krijon një mashkull femra është sërish në qendër?

Është shumë komplekse kjo temë. Nuk mund ta them me përqindje këtë gjë. Di që të dyja palët mundohen të gjejnë një gjuhë të caktuar, të komunikojnë nëpërmjet statuseve që mund të kenë, por mendoj se femra flet më hapur për çështjet e zemrës sesa një mashkull.

Eda, a të ndihmon amësia në krijim?

Jo. Të jesh nënë ndoshta të ndërgjegjëson më shumë për t’i parë gjërat lakuriq, të vërteta siç janë, pa i zbukuruar. Të jesh nënë, nuk ka të bëjë me faktin nëse mund të krijosh më mirë apo jo. Ndonjëherë ato që nuk kanë fëmijë janë më të ndjeshme pikërisht për këtë aspekt. Nuk besoj se ka të bëjë shumë amësia.

Si një shqiptare, me tipare mesdhetare, jeni martuar me një gjerman. Si është marrëdhënia juaj?

Ndoshta unë jam e ngopur me këto patetizmat e mëdha. Si të thuash mentaliteti disi ballkanik që gjërat i themi në mënyrë të zjarrtë, që gjërat i themi me gjeste, me duar me trup. Ndoshta ka qenë një ngopje e mjaftueshme për të kërkuar diçka më esenciale. Im shoq është fizikan. Nuk është vetëm gjerman, por edhe fizikan. I bie që në këtë aspekt të jetë krejt i thatë, nga aspekti emocional. Ai shikon vetëm aspektin praktik, funksionon apo jo. Kjo është një gjë shumë e mirë që mua më qaset bukur. Është një balancë dhe mua më pëlqen që është e tillë.

Në bandën tuaj keni edhe djalin tuaj…

Po është djali i madh. Unë kam dy djem, njëri që është 17 vjeç dhe tjetri që është 4 vjeç. Mesa duket në padashje janë ndarë fëmijët, njëri nga e ëma dhe tjetri nga i ati. Djali i madh më ngjan shumë mua, edhe në muzikë, sensibilitet, ndërsa i vogli është si i ati, biond me sy blu. Tani në vitet e para kuptohet se cilën rrugë do ndjekë. Nuk është emocional, është i ftohtë, nuk është aspak grindavec. Komplet klasik si i ati. Djali i madh që i vogël ka ndenjur pas meje dhe ka marrë nga kjo gjë.

Eda, së fundmi, cilat janë projektet që të lidhin me Shqipërinë gjatë këtij viti?

Në kuadrin e albumit “Toca Incognita” është planifikuar të bëhen disa koncerte të hapura gjatë verës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Do jenë projekte që do të mbështeten edhe nga media. Do të kemi bashkëpunime edhe me artistë të huaj dhe do të jenë projekte që do të kenë gjithmonë jo vetëm sensin e spektaklit por edhe sensin e përçimit të emocioneve. Do të jetë një muzikë e veçantë 100% live kuptohet. Ndërsa në fund të vitit kam disa plane të tjera, pasi kjo periudhë është shumë e ngarkuar me koncerte nga Azia në Rusi.

Eda, si nis një ditë e zakonshme për ju?

Mund të jetë në orën 10:00. Një kafe me qumësht.

Si i keni marrëdhëniet me kuzhinën?

Gatuaj shumë mirë, jo për t’i bërë qejfin vetes, po duke qenë se kam dhe mamanë nga Përmeti kjo kuptohet.

U ke mësuar ndonjë recetë mikeshave gjermane?

Jo. Nuk dua t’ua mësoj. Dua t’i mbaj si gjëra sekrete.

Çfarë të bën melankolike?

Dashuritë e humbura.

Jeni ëndërrimtare?

Ëndërroj. Kam shumë qejf të ëndërroj, pavarësisht se në jetën private gjithmonë duhet të jem shumë praktike. Kam qejf iluzionet.

Për çfarë ju merr malli?

Për një përqafim të vërtetë, të ndjerë./mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here