eda-zari-dhe-prinderitZhane Zari akuzon të bijën për falsifikim dokumentesh në marrjen e pronave të familjes, ku pjesëtarë janë edhe fëmijët e tjerë.

Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe një dyqan 64 metra katrorë në  lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë. ..Të gjitha faturat u paguan nga im shoq,  Ismaili, kur ishte gjallë, ndërsa këstin e fundit të shtëpisë e pagoi Eda. Para  1 muaji, kur hapa dokumentet e shtëpisë, pashë që ajo me shkrim dore kishte  shtuar emrin e saj Eda, para Ismail Zari, që është babai i saj, i cili kishte  blerë shtëpinë.

Më shumë sesa një rrëfim denigrues, ky është një negocim publik që një nënë e  panjohur, kërkon të bëjë me vajzën e saj me famë si këngëtare xhazi. Fjala është  për artisten 41-vjeçare Eda Zari, e cila jeton prej vitesh në Gjermani me  bashkëshortin gjerman dhe dy djemtë e saj. Kemi parë deri tani anën plot  shkëlqim të medaljes, por Zhane Zari, e cila ka kontaktuar vetë me gazetën tonë,  tregon për konfliktin shumë personal me të bijën. Nuk do të dëshironte të bënte  një deklaratë të tillë, që shumë nëna do e quanin gabim, aq më tepër nëse ky  veprim do i prishte imazhin e shkëlqyer të vajzës artiste. Por duke u përpjekur  të gjejë një avokat në Tiranë, historia nuk mbeti vetëm brenda familjes dhe  tashmë ajo e sheh të arsyeshme ta bëjë vetë publike. Ajo rrëfen se si e bija e  saj i ka përvetësuar dy pronat e familjes duke falsifikuar dokumentet dhe  ndërprerja pas kësaj e komunikimit me të bijën e famshme.

Znj. Zhane,  cila është kontradikta me vajzën tuaj këngëtare, Eda Zari, të cilën ju vendosni  ta bëni publike?

E kam të vështirë më besoni, se jam një grua që i  ka kaluar të ’70-at dhe kurrë s’e kam menduar se do përballesha në këtë moshë me  vajzën time të vogël, Edën, të cilën bashkë me bashkëshortin e çuam që 17 vjeç  në Gjermani, ku filloi studimet në Muzikë, pra i mundësuam një jetë ndryshe për  ta çuar më tej talentin e saj…

Po çfarë ndodhi atëherë?

Arsyeja është që unë konstatova se Eda ka përvetësuar padrejtësisht dy prona të  familjes, duke falsifikuar dokumentet, dhe kjo më çuditi. I kërkova sqarim në  telefonon, po ajo u mërzit shumë dhe tashmë nuk komunikojmë më fare.

Për çfarë pronash bëhet fjalë dhe kur e zbuluat ju një fakt të  tillë?

Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe një dyqan 64  metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë. Për apartamentin në Durrës m’u  desh të kërkoja dokumentet e kontratës së shitblerjes që im shoq, i cili tashmë  nuk jeton më prej pesë vjetësh pasi humbi jetën në një aksident tragjik, e  kishte blerë në emrin e tij. Apartamenti kushtoi 50 milionë në atë kohë dhe ne i  paguam në dorë personit që na e shiti vetëm 20 milionë. Pjesën tjetër ramë  dakord ta shlyenim me këste mujore, që ishte 1 milion e gjysmë të vjetër në  muaj. Të gjitha faturat u paguan nga im shoq, Ismaili, kur ishte gjallë, ndërsa  këstin e fundit të shtëpisë e pagoi Eda. Para 1 muaji, kur hapa dokumentet e  shtëpisë, pashë që ajo me shkrim dore kishte shtuar emrin e saj Eda, para Ismail  Zari, që është babai i saj, i cili kishte blerë shtëpinë. E telefonova dhe i  kërkova të më jepte sqarime se përse e kishte bërë një veprim të tillë pa më  thënë mua dhe ma preu shkurt, që shtëpia ishte e saj, pra e kishte blerë ajo.  Unë me të drejtë i kërkova të më thoshte arsyen, se më kishte marrë dokumentet  origjinale, të cilat i kishte falsifikuar, duke shtuar para emrin të babait  emrin e saj. Pra nga blerësi Ismail Zari, ajo e kishte bërë Eda Ismail Zari, dhe  mua në shtëpi më kishte lënë vetëm fotokopjet. Kur ia thashë në telefon u  nevrikos shumë, ndaj nuk di se si ta gjej të vërtetën dhe gjuhën me të.

E si vepruat pas kësaj?

Shkova te noteri që ishte marrë me  këto dokumente dhe ai u acarua kur i kërkova dokumentin. Më tha të pija një kafe  derisa ta gjente dosjen, dhe pastaj më dha një dokument që vërteton se Eda është  pronarja e shtëpisë. Por unë dyshoj se është falsifikuar gjithçka.

Po  Eda çfarë argumenti ju dha?

Eda këmbëngul që shtëpinë në Durrës e ka  blerë vetë ajo, ndërsa  unë jam dëshmitare që atë shtëpi e kam blerë unë me  bashkëshortin.

Por dikush mund të dyshojë në këtë që ju thoni, duke pasur parasysh  se të ardhurat e Edës nga koncertet janë të mjaftueshme. Më saktë, me çfarë  parash e keni blerë apartamentin ti dhe bashkëshorti i ndjerë, ndërkohë që keni  qenë në pension?

Unë kam punuar si banakiere kur kam qenë e re,  ndërsa im shoq ka qenë ushtarak, por më vonë jemi marrë me biznes. Ne kemi pasur  një dyqan 64 metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë, që më vonë e bëmë  supermarket. Madje kishim mundësi ekonomike që të çonim Edën që 17 vjeç në  Gjermani për studime, vajzën më të madhe e çuam pas saj po ashtu në Gjermani që  të kujdesej për Edën, ndërsa djalin, që sot është 50 vjeç, e çuam në Holandë.  Kur ikën ata në Gjermani, menduam që këtë pronë ta ndanim mes vajzave, por donte  pjesë edhe djali. Me anë të një notereje e hodhëm shtëpinë si pronë të Edës, e  cila në mirëbesim do ia dhuronte pjesën motrës më të madhe, pasi ajo nuk mund të  ishte e pranishme në Tiranë. Por, edhe pjesën time edhe të burrit të dyqanit Eda  e hipotekoi si pronë të sajën, të cilën e kishim lënë me qira 800 mijë lekë në  muaj. Madje ajo tani i ka thënë qiradhënësit që të mos m’i japë më mua paratë e  qirasë, por asaj, sepse është ajo pronarja e shtëpisë dhe kështu kam ngelur pa  para, të vetmet të ardhura që kisha.

Cila është gjendja ekonomike e  Edës në Gjermani, pse është ngutur të bëjë një gjë të tillë?

Eda  jeton shumë mirë, pra në gjendje shumë të mirë ekonomike në Gjermani. Burri  gjerman punon financier në një kompani të mirë, dhe bashkë me dy djemtë e tyre,  i madhi 18 vjeç dhe i dyti, katër vjeç, jetojnë në një shtëpi shumë të madhe dhe  të bukur. Këto dy vitet e fundit nuk kam shkuar tek ajo, pasi s’kam qenë mirë  nga gjendja shëndetësore.

Po ajo udhëton shpesh drejt Tiranës dhe ku  akomodohet kur vjen këtu?

Po patjetër që vjen, akomodohet në hotel,  pasi i ka të gjitha të paguara, meqë është një artiste shumë e pëlqyer.

Atëherë një arsye sipas teje cila është, që ajo i ka përvetësuar këto dy  prona?

Unë ia kam bërë të qartë që sa të jem gjallë do i kem unë  pronat. Dhe, kur unë të mos jem më, do ndahen në proporcion të drejtë mes tre  fëmijëve. Sado të mërzitet, unë dua të tregohem e drejtë me të tre fëmijët, e  ndoshta kjo është një arsye. Megjithatë ajo mendon se i takojnë dhe se ka të  drejtë.

Të ka çuditur ty veprimi i saj, po dy fëmijët e tjerë janë  përfshirë në këtë çështje?

Po si nuk më ka çuditur, unë kam bërë  shumë fjalë në telefon. Po ashtu djali dhe vajza mbajnë anën time. Më thonë që  ka bërë shumë gabim dhe i kanë folur të dy.

Cili është komunikimi me  vajzën tuaj momentalisht, ke tentuar ta zbutësh këtë konflikt?

Jo,  tashmë nuk komunikojmë fare, ajo është shumë e inatosur me mua.

Keni  pasur gjithmonë marrëdhënie të vështirë me njëra-tjetrën?

Jo, kemi  qenë shumë mirë. Unë shkoja shpesh në shtëpinë e saj në Gjermani, dhe i kam  rritur djalin e madh që 40-ditësh, pasi asaj i duhej të ndiqte studimet.

Ka miq Eda në Tiranë, që ti i ke takuar dhe ua ke shprehur këtë problem?  Ke marrë mendim nga ata për t’i dhënë një zgjidhje të zgjuar?

Jo,  nuk e kam bërë bisedë me miqtë e saj. Nuk dua të merrem me fjalë apo të  diskreditoj vajzën time, vetëm dua të vendoset e drejta në vend.

Të  drejtën e vendos Gjykata, do ta hedhësh në gjyq vajzën tënde apo mendon si ta  vësh në sedër?

Në fakt, dua të gjej avokatin e duhur për të zgjidhur  këtë çështje. Për sa i përket sedrës, nuk mendoj se Eda vendoset në sedër  kollaj. Jeta në Gjermani e ka bërë të ftohtë.

Ti tashmë jeton vetëm  në Tiranë, kujdesej ajo për ty?

Unë jetoj vetëm dhe, tani që jemi  konfliktuar, ajo nuk kujdeset fare për mua. I

a ke kërkuar që të  flisni me qetësi dhe ta zgjidhni ndryshe këtë çështje, po ajo juve?

Po patjetër që ia kam kërkuar, po është e nevrikosur për momentin. Gjithsesi,  jam duke folur me avokatë, që të më këshillojnë më të mirën, pasi është pak e  vështirë pasi është e njohur, ka një karrierë dhe unë si nënë i mendoj të  gjitha. Dëshiroj shumë që të rregullohet e jo të prishet më tepër kjo punë,  sepse është një çështje delikate që më takon mua dhe asaj. Dhe që mua sërish më  pëlqen të besoj se është një dalldi e saj e momentit.

Po bashkëshorti  i saj gjerman është në dijeni të kësaj mosmarrëveshjeje mes jush?

Jo, nuk është në dijeni.

Dhe pas këtij rrëfimi, cila është frika jote  më e madhe?

Frika ime më e madhe është të mos humb përgjithmonë  komunikimin me time bijë, që sido që të jetë puna më dhemb, se e kam fëmijë. E  megjithatë, ajo që dëshiroj është të vendoset drejtësia, nuk dua në asnjë mënyrë  ta turpëroj vajzën time apo të humb lidhjet me të.

Burimi: Vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here