Për të dymbëdhjetën herë me radhë, Tirana do të jetë nikoqire e vendtakimit të solistëve të muzikës klasike nga e gjithë bota. Festivali ndërkombëtar i muzikës operistike “Marie Kraja”, do të nisë rrugëtimin treditor më 28 të këtij muaji.

Gara prestigjioze operistike do të zhvillohet mes shtatëmbëdhjetë konkurrentëve nga bota. Gjysmëfinalistët tashmë janë përzgjedhur. Mes tyre janë edhe mexosopranot nga Kosova, Flaka Goranci dhe Ardiana Bytyçi.

Në fazën e parë të festivalit kanë marrë pjesë 150 këngëtarë, të cilët i janë nënshtruar vlerësimit të pesë jurive profesionale, të stacionuara në kryeqendrat botërore, New York, Paris, Madrid dhe Milano.

Festivali prestigjioz do të mbahet në sallën e Akademisë së Arteve nën patronazhin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Performancat e konkurrentëve do të jenë “live”, të shoqëruar nga orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar. Garuesit do të pranojnë “urdhrat” e dirigjentit të famshëm italian, Leonardo Quattrini.

Këngëtaret nga Kosova që do të jenë pjesë e garës për çmimet e “Marie Kraja”, kanë thënë se pjesëmarrja në këtë festival është një privilegj i madh.

Mexosopranoja Ardiana Bytyçi është shprehur e kënaqur që ka arritur t’i “mbijetojë” konkurrencës dhe të jetë një nga të përzgjedhurat për garën e madhe.

“Mendoj se konkurrenca është e denjë dhe kur e them këtë bazohem në fazën e parë të përzgjedhjes për gjysmëfinale. Për mua është mjaft me rëndësi pjesëmarrja në këtë festival, duke e pasur parasysh renomenë ndërkombëtare që ka”, ka thënë Bytyçi.

Ajo do të interpretojë ariet “Voi lo sapete o mama” nga opera “Cavaleria Rusticana” të Mascagnit dhe “Va laisse couler me larmes” nga opera “Werther” të Massnetit.

Pjesëmarrja në “Marie Kraja” për Bytyçin është e një rëndësie të veçantë.

“Në Shqipëri do të paraqitem për herë të parë. Kjo përvojë do të më mundësoj të bëj krahasime me paraqitjet e mia të mëhershme në festivalet ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Mexosopranoja Flaka Goranci ka thënë se për të është hera e parë që merr pjesë në këtë festival. Për çmimet e festivalit “Marie Kraja” ajo do të garojë me arien “Una voce poco fa” të operës “Il barbiere di Siviglia” të kompozitorit Rossini.

“E di që konkurrenca është shumë e madhe. Sikurse për çdo këngëtar, edhe për mua është shumë e rëndësishme të marr pjesë në një festival të këtij niveli”, ka thënë Goranci, derisa ka shtuar se edhe përgjegjësia është mjaft e madhe.

Atanas Mladenov nga Greqia, Albane Carrere nga Austria, Igor Stroin nga Bratisllava, Axier Sanchez nga Spanja, Umut Tingur nga Turqia, Blerta Zhegu nga Shqipëria, Dëshira Ahmeti nga Maqedonia, Luçiana Distante nga Brazili, Lada Kyssykova nga Kazakistani, Sara Heaton nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë disa nga konkurrentët që do të ngjiten në skenën e festivalit “Marie Kraja”

Në edicionin e kaluar të “Marie Kraja”, fitues i festivalit është shpallur baritoni italian Alessio Arduini. Çmimi i dytë i ka takuar sopranos turke Pervin Chakar, derisa në vend të tretë është radhitur sopranoja Alessandra Volpe.

Festivali i vokalit operistik “Marie Kraja” ka lindur si ide e Zana Çelës në vitin 1998 si nevojë për të pasur edhe në skenën shqiptare një aktivitet që do të nxiste zhvillimin e talenteve të rinj dhe përballjen e tyre me emra të tjerë të njohur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here