Do të jetë edhe autor i spektaklit për këtë sezon.

Formati popullor me mbi pesë orë transmetim “E diell’, pritet të rinisë rrugëtimin e tij javën që vjen në “Top Channel”, tashmë me emrin e një tjetër autori dhe moderatori, që është Alban Dudushi. Lajmi që “Panorama Plus” botoi që në ditët e para të nëntorit se Alban Dudushi, do të ishte “truri’ tani e tutje i programit të orëve të gjata “E diell” në “Top Channel”, tingëlloi disi i parakohshëm, ndërsa dukej se punët e autorëve kosovarë Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku po shkonin mirë, të paktën në dukje.

Por vendim, që ishte marrë nga drejtuesit e këtij televizioni për ta ndërprerë kontratën me autorët kosovarë, u përpoq të mbahej sekret fillimisht për të mos krijuar keqkuptime në publik, ndërkohë që edhe për dy muaj Armendi dhe Aida do të vazhdonin ta bënin këtë program, deri në fillimin e sezonit të ri në janar 2012.

Ndërsa stafeta i lihet Alban Dudushit, i cili moderon prej shtatë vitesh programin e orëve të vona “Top show”. Ishte ky emri i propozuar nga Adi Krasta, pasi ai vendosi të hiqte dorë nga prezantimi i “E diell”, dhe mbajtjen e drejtimit të vetëm “100 milionë”. Dudushi hezitoi të jepte një konfirmin të lajmit në media për pranimin ose jo të kësaj oferte të re brenda televizionit ku punon, ndërkohë që Armend Rexhepagiqi pas mbylljes së ofertës pranoi që të fliste hapur, duke pranuar largimin nga puna në këtë televizion.

Pavarësisht faktit që nuk u fol shumë për pakënaqësinë e drejtuesve të “Top Channel”, për mënyrën e konceptimit të këtij programi nga çifti kosovar, komentet brenda televizionit ishin se programi me shumë rubrika dhe shumë prezantuese femra, i ideuar nga ata, nuk ngjiti në publikun shqiptar, i mësuar më së shumti me formatet italiane të këtij programi të së dielës, me shumë ritëm, debate me tema të lehta dhe show. Shikueshmëria e “E diell” nuk rezultoi në nivele të kënaqshme për “Top Channel”, ndaj u vendos që pas një mbledhjeje diskrete të vendosin për Dudushin, i cili merr përsipër jo vetëm prezantimin, por edhe autorësinë e rubrikës së tij, dhe po ashtu të jetë në mbikëqyrje të rubrikave të tjera.

Risitë e “E Diell”, Dudushi prezanton me Xhemin

Arsyeja pse Dudushi nuk pranoi të merrte përsipër fillimisht programin “E Diell”, ishte dhe programi i tij “Top show”, nga i cili ai nuk ka dashur të heqë dorë pas një periudhe prej shtatë vitesh program të orëve të vona. Ndonëse ende nuk janë vendosur piketat përfundimtare se si do të jetë i realizuar sezoni i ri “E diell”, dhe çfarë ndryshimesh do të ketë, deri tani mund të thuhet se Alban Dudushi do të jetë moderatori kryesor dhe do të ketë në krah Xhemi Shehun.

Ai do të jetë autor i pjesës së tij të prezantimit, dhe po ashtu do të jetë ai që do të vendosë për rubrikat e tjetra të emisionit, që ka shumë mundësi të vazhdojnë sipas një koncepti të krijuar traditë në këto vite program. Nuk dihet ende nëse do të vazhdojnë të jenë të pranishme ende Albana Osmani, motrat Marina e Luana Vjollca etj., gjithsesi autori i ri bashkë me drejtuesit janë duke punuar me detajet e programit të ri. Aida dhe Armendi hasën probleme me “E diell” që në maj të vitit të kaluar.

Ndryshimet që ndodhën te programi “E diell” pas largimit të autores italiane Alessia dhe riformatimit nga Armendi dhe Aida, duket se u shoqëruan me telashet e para në maj të këtij viti për çiftin e artistëve. Pas ndryshimit rrënjësor që i bënë formatit të të dielave në “Top Channel”, ata u përballën me mospërputhje idesh me drejtuesit, aq sa mediat kosovare shkruan për një mbyllje të kontratës së tyre me televizionin dhe rikthimin e tyre në Prishtinë që në fillim të punës së tyre .

Por më pas këta zëra u shuan dhe çifti kosovar mori përsipër sezonin e ri të programit sipas një kontrate televizive me TCH. Tashmë ata janë rikthyer në Prishtinë, duke mos e fshehur zhgënjimin e tyre, ndërsa e kanë komentuar këtë largim si fakt absolut se ideja e tyre televizive nuk arriti të kuptohej në Shqipëri./Panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here