diellzakolgeciseksi-560x603Dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Petrit Beci, po vë në pikëpyetje edhe mbarëvajtjen e Festivalit të Këngës. Prej ditësh, mes ekipit realizues të festivalit dhe prezantueses së këtij edicioni, ish-misit e modeles kosovare Diellza Kolgeci ka pasur përplasje që mund të çojnë drejt tërheqjes së kësaj të fundit nga prezantimi.
Ndërsa miq të saj thonë se Kolgeci pat rënë dakord me Becin për detajet, e tani kërkesat e sa nuk po plotësohen, e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, bukuroshja nga Prishtina nuk ka dashur të prononcohet për çështjen, as për arsyet që kanë çuar në përplasje. Ndërkaq, interesimit të “GSH” i është përgjigjur Martin Leka (nëndrejtor i RTSH-së), të cilit, prej dorëheqjes së Becit, sipas ligjit ngarkohet që të kryejë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Si fillim, Leka bën me dije se Kolgeci nuk është tërhequr nga prezantimi dhe se palët janë në negociata. “Diellza Kolgeci nuk është tërhequr nga prezantimi i festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Ajo ka pasur disa kërkesa, plotësimi i të cilave nuk është i mundur. Ne jemi në negociata dhe vendimi përfundimtar merret nesër (sot)”, – sqaroi ai. Ndër-kaq, i pyetur nëse mes prezantueses dhe ish-drejtorit Beci, ka pasur një kontratë për të cilën është rënë dakord mes palëve, kontratë e cila tani po hidhet poshtë, z.Leka ka sqaruar: “Kur Beci më dorëzoi detyrën, nuk më foli për kushte të prezantueses. Unë, nuk mundem të anashkaloj preventivin e Festivalit të 52-të të Këngës, preventiv i cili është miratuar nga Këshilli Drejtues”. Sipas Lekës, nuk bëhet fjalë për kërkesa të mëdha, por për detaje.
Kërkesat
I pyetur konkretisht se cilat kanë qenë kërkesat e Kolgecit, Leka ka thënë si më poshtë: “Janë gjëra tejet të vogla dhe jo kërkesa të mëdha. E para, duhet të shkojmë ta marrim me makinë në Prishtinë sa herë që do t’i duhet të vijë; e dyta, kërkon që të ketë me vete menaxherin, domethënë ne duhet të mbulojmë edhe shpenzimet e tij në Tiranë; e treta, ajo kërkon që stilimin e veshjeve të saj të mos e bëjë stilisti ynë i TVSH-së por të ketë stilistin e vet, për të cilin ne duhet të paguajmë”. Si duket për të na siguruar se nuk bëhet fjalë për një tekë të RTSH-së, Leka shprehet se institucioni nuk e ka luksin të bëjë gjithë këto shpenzime. Ajo që është më e rëndësishmja, është se sa i takon pagesës për tri netët e prezantimit, është një shumë për të cilën është rënë dakord dhe nuk ka asnjë mëdyshje a problem. Takimi i sotëm, në ora 09:00, do të vendosë pikat mbi “i”, ose duke mbajtur Kolgecin me kërkesat e saj, ose duke lënë atë, për të bërë një zgjedhje të orës së fundit për festivalin e fundvitit, që mbahet në datat 26-27 dhe 28 dhjetor. Enkel Demi mbetet prezantuesi i sigurt, emri tjetër mbetet për t’u parë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here