Është një nga këngëtarët më të preferuar të femrave. Shumë herë i diskutuar për lidhje të shumta, por që asnjëherë prapa çdo thashethemi nuk ka pasur diçka konkrete.

Të paktën deri më tani për të nuk dimë asnjë histori dashurie. Ndoshta kjo, sepse vetë Dren Abazi preferon të mos flasë shumë për jetën e tij private. Madje nuk preferon t’u përgjigjet mjaft pyetjeve rreth privatësisë së tij.

“Jeta ime është e thjeshtë, e veçanta është se bëj muzikë”, përmbledh ai gjithë thelbin sa i përket kësaj teme.

Ndërsa shton se femra ideale do të ishte një femër e aftë për ta kuptuar, “sepse mendoj se jam pak i vështirë për të qenë i kuptuar nga të tjerët”. Gjithashtu, i pyetur se sa rëndësi ka pamja e një femre për të, ai tregon: “Normalisht, pamja është ajo tërheq në fillim, por gjërat e tjera janë më të rëndësishme”. Në këtë intervistë Dreni nuk vjen vetëm për të treguar më shumë rreth përditshmërisë dhe jetës së tij jashtë skenës, por mbi të gjitha për të folur për këngën më të re, “Natën” dhe muzikën. Sërish këtë verë ai sjell për publikun e tij një këngë mjaft alegro dhe të gjallë, në një rrymë muzikore karakteristike për “Zig Zag Orchestra”, e cila pëlqehet nga të gjitha moshat. E ndoshta tek kjo veçanti gjithëpërfshirëse Dren Abazi ka gjetur edhe çelësin e suksesit të tij.

Dren, sapo ke lançuar klipin e këngës më të re, “Natën”. Cili ka qenë impakti që ke marrë nga fansat deri tani?

Kënga është pritur mirë, duke u nisur nga klikimet dhe mesazhet që kam marrë. Është një këngë më verore, më e gjallë. Klipi gjithashtu i përshtatet këngës dhe është konceptuar që t’i pëlqejë një publiku të gjerë.

Kur bën një këngë të bukur dhe duhet të realizosh klipin, si e gjen fabulën që t’i përshtatet këngës?

Zakonisht punoj me njerëz që janë profesionistë të fushës. Në rastin konkret unë kam dhënë idenë, ndërsa ka qenë personi përkatës që merret me skenarin. Unë insistoj gjithmonë që teksti i këngës të pasqyrohet edhe në video. Mendoj se ia kemi arritur këtij qëllimi edhe në këtë realizim.

Duket sikur këngët e tua, pavarësisht ritmit janë të qeta dhe romantike…

Kjo nuk është e saktë, sepse kënga e fundit para kësaj “Pa frymë” është një këngë e lehtë, ta quajmë kështu.

Në këngët që ti bën, përcjell idenë se je një djalë romantik?

Unë jam shumë romantik. Është shumë mirë të jesh i tillë. S’ka asgjë të keqe. Pastaj vajzat i duan djemtë romantikë (qesh). Karakteri i orkestrës dhe muzika që ne luajmë është shumë e gjallë, shumë energjike dhe pozitive.

Ju bëni një muzikë të veçantë me “Zig Zag Orchestra”, po flasim për në Shqipëri por edhe jashtë, në Kosovë e më gjerë..

Kjo e bën më të veçantë mendoj unë, ky fakt. Edhe duhet të jetë kështu, sepse diferencën në art dhe muzikë e bën dallimi që ti ke nga të tjerët. Unë mendoj që muzika që ne bëjmë është e përshtatshme për të gjithë, është muzikë e qejfit dhe alegrisë.

Si e ke përjetuar suksesin shqiptar pas këngës me Anjeza Shahinin?

Normalisht që është diçka që më bën të ndihem mirë. Nuk është diçka për të cilën kam luftuar domosdoshmërisht, por më bëhet shumë qejfi dhe ndihem mirë. Publiku në Shqipëri më pëlqen shumë, më pëlqejnë njerëzit këtu.

Çfarë e bën këtë publik të veçantë?

Çdo publik është i veçantë, por publiku i ri për një artist është shumë më interesant.

E ndjen që njerëzit këtu të duan më shumë, apo është e kundërta me atë që ndodh në Kosovë?

Në Kosovë mund të jem më i zakonshëm, sepse jam rritur atje, kurse në Shqipëri jam ende një artist i ri, ta them kështu.

E ke vënë re këtë diferencë?

Kjo vihet re gjithmonë, sepse edhe grupe të tjera më të famshme suksesin më të madh e kanë pasur jashtë vendlindjes së tyre. Sidoqoftë, këtu është tregu më i madh.

Njerëzit ndonjëherë mendojnë se je mendjemadh. Si je në fakt në jetën e përditshme?

Njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme për diçka të caktuar. Nuk di çfarë të them, vetëm di që nuk më pëlqen vetja fare. Jam prej njerëzve që nuk më pëlqen vetja.

Është modesti nga ana jote kjo?

Jo, aspak. Është realiteti.

Dren, si nis një ditë e jotja në Prishtinë?

Dita nis normalisht, si e çdo njeriu. E veçanta është se kur jam në Prishtinë më pëlqen të rri shumë në shtëpi dhe të bëj gjërat që më pëlqejnë mua. Kaloj shumë kohë me miqtë, ose merrem me sport.

Sa orë në ditë kalon në studio?

Rri të paktën nga një orë çdo ditë.

Çfarë të motivon më shumë për të shkruar muzikë?

Zakonisht krijoj kur ndihem i qetë nga ana shpirtërore. Frymëzim më jep çdo gjë e bukur përreth meje.

Sa femrave në jetën tënde u ke kushtuar këngë?

Asnjërës.

Asnjë nuk të ka frymëzuar?

Jo. Më shumë do të kisha dëshirë të thosha po..(qesh).

Sa femra në ditë të vijnë rrotull?

Nga 100 në ditë. (qesh). Bëj shaka, po jam mësuar pak me këtë vëmendje rreth meje.

Nuk të bën përshtypje?

Më pëlqen të kem vëmendje, por jo të tepruar.

Ke pasur ndonjë rast kur ndonjë fanse të ka bezdisur në ekstrem?

Jo. Nuk më ka ndodhur diçka e tillë.

Si është femra ideale e Dren Abazit?

Një femër që do të më kuptonte, sepse mendoj se jam pak i vështirë për të qenë i kuptuar nga të tjerët.

Çfarë është dashuria për ty?

Dashuria është një fjalë, por brenda fjalës ndërthuren shumë gjëra të tjera. Është nevojë për dikë, respekt, ndihmë, mbështetje. Është komplekse mendoj.

Çfarë të tërheq më shumë tek një femër?

Pamja, mendoj që e ka magjinë shumë të shkurtër. Normalisht, pamja është ajo tërheq në fillim, por gjërat e tjera janë më të rëndësishme.

Sa herë del me një femër, krijohet një histori. A të kanë prishur punë ndonjëherë?

Punë nuk më kanë prishur, por nuk e di pse njerëzit merren me këto. Ka ndodhur shumë herë.

Kur frymëzohesh më shumë për të bërë muzikë?

Natën. Jam njeri që vuaj, rri shumë pa gjumë dhe shpesh, kështu që natën jam më krijues.

Çfarë të frymëzon natën?

Mendoj se kam kohë që të mendoj më shumë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here