Një album i ri nga Dren Abazi & Zig Zag Orchestra, ku preferojnë t’i këndojë dashurisë si ndjenjë e lumtur që të çon në qiellin e shtatë, e jo si dhimbje që të bën të ndihesh përtokë. Përderisa në jetë dashuria është miks i të dyjave, Dren Abazi në albumin e ri përfshin vetëm  këngë “happy”. Ditarin artistik të tri viteve të fundit të karrierës muzikore ai e titullon “Afterparty”, për jetën e qejfit pas mesnate. Artisti i diplomuar për Drejtësi tregon për marrëdhëniet me femrat, në këtë shfaqje të parë në skenë jo më si një djalë melankolik. Ai zbulon anën tjetër të karakterit, atë të djalit që beson ende ta dashuria pa interes.
Një album i ri në këtë prag dimër. Sa kohë ke që punon për këngët e reja?
Ky album është punuar më ngadalë se zakonisht. Kam krijuar pothuajse tri vite, por jo rregullisht. Kam regjistruar një këngë pastaj kam pushuar, pastaj kam regjistruar tjetrën e përsëri kam pushuar, dhe ky ritëm pune ka qenë kështu edhe për shkak të angazhimeve të tjera që kam pasur.
Sa këngë ka gjithsej albumi dhe cilat kanë qenë muzat e frymëzimit?
Albumi përmban 10 këngë dhe frymëzimi është i ndryshëm. Gjithsesi, në përgjithësi te shumica e këngëve mbretëron një disponim, pasi këngët janë “të gëzueshme”, e që preferohen të dëgjohen me zë të lartë.
Për çfarë flitet në krijimet e tua, për ndjenja universale apo dhe histori njerëzore?
Të gjitha këngët janë këngë dashurie. Në një mënyrë apo tjetrën do t’i quaja këngë të qejfit, këngë të celebrimit të jetës. Në fund të fundit dashuria është tema që i këndojmë të gjithë.
Ky gëzim që ndihet në to, a lidhet me jetën tënde private të momentit?
Muzika domosdoshmërisht ndikon në mënyrën se si ndihet një njeri, kështu që unë preferoj më shumë të dëgjoj muzikë që më bën të ndihem më pozitiv. Mendoj që edhe muzika që unë luaj jep këtë refleksion te njerëzit e tjerë që e dëgjojnë.
Atëherë pse e ke titulluar albumin “Afterparty”, dhe kush i ka shkruar tekstet e këngëve?
“Afterparty”, domethënë party pas party. Unë mendoj që gjithmonë “afterparty”-t janë më të bukura nga ato formalitet që bëhen të parat. Si titull albumi mendoj që shkon shumë me konceptin e albumit dhe karakterin e muzikës, pasi muzika në të është kryesisht muzikë e gëzueshme, pra “happy” siç e thashë dhe më sipër. Unë jam autor i kompozimeve dhe orkestracioneve, ndërsa kam tekste të shkruara nga Antigona Qena, për këngën “Ti dhe unë” me Anjeza Shahinin dhe Olti Currin, për këngët “Pa frymë” dhe “Natën”.
Vendos ta promovosh fillimisht në Tiranë, pse jo në Prishtinë?
Unë me qëllim zgjodha pikërisht Tiranën si vendin e parë ku bëra promovimin e albumit dhe ku të mbaj koncertin e parë promovues. Kjo për shkak të mirëpritjes që gjithmonë më ka falur Tirana. Pas këtij promovimi, normalisht do mbaj disa koncerte promovuese në Kosovë, duke filluar nga Prishtina dhe pas Prishtinës kam koncertin promovues në Shkup. Pak a shumë në të tria këto kryeqytete shqiptare.
U shprehe që këto janë krijime të tri viteve të fundit, si do ta përshkruaje me pak fjalë jetën tënde në këto tri vite?
Po, në album përveç këngëve të reja, kam përmbledhur edhe disa nga këngët që veçse i kemi dëgjuar. Në sensin e punës këto kanë qenë vite me mjaft produktivitet dhe angazhim, me të mirat dhe të këqijat, sidoqoftë mund të them që kanë qenë tri vite të bukura për mua.
Je përfolur këto kohë për marrëdhënie me femra të ndryshme të ekranit. Ti je mashkulli që të ndjekin femrat apo që i ndjek?
Po, në momentin që vendos të bësh këtë punë që bëj unë, duhet të jesh i gatshëm për gjithçka. Me këtë dua të them që duhet të jesh gati të pranosh shumë herë të degjosh edhe fjalë të pavërteta për veten tënde.
Ke bashkëpunëtorë të ftuar në album, me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar?
Në album, përveç këngëve të zakonshme që kam, kam edhe dy pjesë që kam shkruar për kolonën zanore të një filmi koproduksion gjermano-shqiptar “Ëedding tape”. Në këto dy pjesë kam mysafire mexosopranon e njohur kosovare, Flaka Goranci.
Përveç Anjeza Shahinit, me cilën këngëtare femër do të mund të bësh duetin e radhës?
Të them të drejtën, s’e kam menduar këtë gjë. Sigurisht që ka këngëtare shumë të mira edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.
Po ashtu u shprehe se dashuria është tema që i këndojnë të gjithë. Në ditët që jetojmë, ekziston dashuria e vërtetë apo dashuria është kthyer në interes?
Unë ende besoj në dashurine pa ndonjë interes të madh (qesh).
Shprehja e fundit që qarkullon është “dashuria kushton”. Po ky album vetëm me këngë dashurie sa ka kushtuar?
2 mijë euro.
Në jetë ti fal dashuri më shumë apo kërkon të të falin?
Dashuria për të qenë kuptimplotë duhet të jetë reciproke, e jo vetëm dashuria… Në  jetë sa jep, aq edhe merr. burimi: panorama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here