Ka fituar tashmë vendin e tij të rëndësishëm në tregun muzikor shqiptar, pasi këngët e Dr. Florit bëhen gjithmonë hite.

Krijimi i tij i fundit mban titullin “Ku ka si Tirona” dhe është një bashkëpunim me këngëtarin dhe humoristin Ermal Mamaqi.

Djemtë e kanë sjellë këngën me një videoklip shumë simpatik, i cili brenda pak ditësh mori më shumë se 100 mijë klikime. Arsyet e këtij suksesi dhe vendin që zë Tirona në jetën e tij, Dr. Flori na e rrëfen në këtë intervistë.

Cilat kanë qenë reagimet që keni marrë për këngën “Ku ka si Tirona”? Çfarë mendon se ka tërhequr më shumë?
Kanë qenë pozitive. Është pëlqyer si këngë dhe është pritur mjaft mirë. Mendoj që njerëzve iu ka pëlqyer çdo element dhe detaj i këngës dhe i klipit. Kanë pëlqyer tekstin, melodinë, nostalgjinë që përcjell, humorin…
Po Kaltrinës së vogël, i pëlqen?
I pëlqen dhe e këndon. “Ku ka si Tirona” është një këngë që me një të dëgjuar mbahet mend.
Po reagimet e disa artistëve, të cilëve me sa duket nuk u ka pëlqyer kjo këngë dhe e kanë konsideruar si tallëse, i ke dëgjuar?
Është mendimi i tyre dhe për mua nuk përbën ndonjë problem. Mund të them që vetëm këngë tallëse nuk është, përkundrazi. Kjo është një këngë nostalgjike për Tiranën… Pastaj “tallëse” është fjalë e keqe dhe unë nuk e kam zakon të tallem me njeri.
Nuk është hera e parë që Dr. Flori i këndon kryeqytetit. Çfarë është Tirona për ty?
Tirana për mua është kryeqyteti i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve, është vendi ku realizohen ëndrrat. Në Tiranë unë kam jetuar, kam bërë njohjet e mia, kam bërë karrierë, jam realizuar. Nuk e ndërroj me asnjë qytet në botë.
Ju kanë bërë ndonjë ftesë për të kënduar nëpër dasma? Keni pranuar?
(qesh) Jo, nuk na kanë bërë dhe nuk besoj se mund të ndodhë. Megjithëse nuk i dihet… Nëse na ftojnë edhe mund të pranojmë (qesh).
Si ishte të punoje me Ermalin dhe djemtë e “Apartamentit 2XL”? Keni bërë aq gallatë sa duket në klip?
Atmosfera gjatë xhirimeve të klipit ka qenë ashtu siç e keni parë. Pavarësisht humorit, çunat, bashkë me Ernis Çilin, kanë bërë një punë të madhe dhe serioze, si për regjinë, ndriçimin etj. Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe ne ishim një grup shumë i mirë.
Ky do jetë i vetmi hit veror, apo po punon për diçka tjetër?
Unë gjithmonë vazhdoj punoj, derisa këngët vazhdojnë pëlqehen. Publiku e ka në dorë këtë punë. Momentalisht kam në dorë një këngë tjetër, që do publikohet së shpejti. Është një këngë krejt ndryshe, fiks për stinën e verës, e cila besoj se do të luhet në të gjitha club-et.
Po këngën “Boom” pse ia dhe Aurela Gaçes?
Sepse më pëlqeu ideja që ta këndonte Aurela dhe mendoj se bëra mirë.
Është më i bukur versioni i “West Side Family”, apo ai i Aurela Gaçes?
E jona është më specifike dhe me karakter më social, ndërsa e Aurelës është më komerciale, flet për ritmin e muzikës shqiptare. Janë dy gjëra të ndryshme, por secila e bukur në mënyrën e vet.
Na ka marrë malli për “West Side Family”… Të vazhdojmë të mbajmë shpresa?
Vështirë! Tregu ynë muzikor është shumë i vogël për një grup. Ne me çunat kemi punuar shumë dhe kemi pasur jetëgjatësi, por është e vështirë. Megjithatë, them se një këngë do e bëjmë, se duhet ta bëjmë dhe një këngë tjetër./Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here