Një vit pas premierës në Belgjikë, filmi “Dosja K” (Dossier K, Dhjetor 2009) i regjisorit Jan Verheyen, me skenar të Carl Joos dhe Eric Van Looy, vjen në kinematë e Tiranës.

“Dosja K” ka premierën sonte, ora 19.00, në kinema “Imperial”, Sheraton, njofton “Shekulli”. I pranishëm në premierë është aktori shqiptar Blerim Destani.

Në vjeshtën 2010, Destani u vlerësua për lojën te “Dosja K”, Aktori më i mirë në edicionin e tretë të Festivalit ndërkombëtar të filmit në Durrës, kurse filmi u vlerësua me çmimin special të Jurisë.

“Dosja K”, i bazuar në romanin me të njëjtin titull të Jef Geeraerts, është një thriller policor. Nazim Tahiri (në rol Blerim Destani), që jeton me familjen e tij në veri të Shqipërisë, (Bjeshkët e Nëmuna), merr vesh që i ati i tij vritet në Anversë, Belgjikë, nga anëtarë të klanit rival Gaba. Në emër të Kanunit, Nazimi udhëton drejt Belgjikës për të marrë gjak. Kjo është njëra linjë që ndjek historia e filmit.

Një linjë e dytë është ajo mes klaneve shqiptare të trafikimit të armëve dhe drogës dhe ndjekjes nga policia flamande.

Komisari Vincke (në rol Koen De Bouw) është ngarkuar me investigimin e këtyre klaneve kriminale, të njohura si “të egra dhe hermetike”. Hetimi i vrasjeve të kryera nga Nazim Tahiri hap një perspektivë më të gjerë për policinë flamande: hetimin për trafikimin e armëve nga ana e klanit Gaba.

Interpretojnë: Koen De Bouw, Werner De Smedt, Blerim Destani, Hilde de Baerdemaeker, Filip Peeters, R.Kan Albay, Jappe Claes, Kushtrim Sheremeti, Eglantina Cenoimeri etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here