Bikini, trikini apo kostum i plotë? Premisat janë për argëtim të pafundmë të kësaj vere duke qenë se propozimet që na vijnë nga shtëpitë më të mëdha të modës janë të shumta.

Ka për të gjitha llojet dhe për të gjithë trupat. Sigurisht që bikini vazhdon të rezistojë, por fantazia e stilistëve ka imagjinuar edhe pjesë të tjera me të cilat ato mund të kombinohen si pantallona të shkurtra apo minifunde.

Shumë në modë janë edhe trikinit ose rrobat e banjës me tri pjesë përmes të cilave mund të mbulosh defektet, sidomos ato në pjesën e barkut.

Ngjyrat sigurisht shumë të ndezura. Përveç të zezës që nuk del nga moda asnjëherë sidomos për vajzat e reja mund të përmendim lejlanë, të verdhën dhe jeshilen, blu, e bardhë dhe kafja. Pastaj për ato të fiksuarat pas modës, më shumë se bikini mund të përdoret mikro-kini, të reduktuara në pjesë të vogla që mbulojnë vetëm vendet intime. Ngjyra verore dhe të forta. Por moda nuk qëndron vetëm te rrobat e banjës. Në çdo sezon të ri, edhe shumë aksesorë bëjnë vërtet tendencë në plazh. Mbi të gjitha çantat, vathët dhe byzylykët. Gjithmonë në kombinim me rrobat e banjës dhe me madhësi që e kalojnë të paimagjinueshmen.

Rrobat e banjës trup, shumë në modë

Këtë verë, në paradën e plazhit kanë ndryshuar shumë gjëra. Kostumi i banjës trup është dizajnuar për të mbuluar një pjesë të mirë të “tipareve” femërore. Tashmë ka ardhur momenti i provës së vështirë në plazh. Sipas opinioneve të stilistëve, por edhe të blerësve, truporet janë zgjidhja e duhur për të mbuluar defektet e trupit, por edhe ndonjë kile të tepërt që është vënë gjatë stinës së dimrit. Megjithatë, jo të gjitha vajzat janë dakord me tendencën e re, ndaj është e vështirë të thuhet se kush do ta fitojë këtë “luftë”, truporet apo bikinit. Për momentin, beteja mes dy tendencave duket se do të përfundojë me barazim.

Gjithsesi, ata që mund t‘u vijnë në ndihmë vajzave janë stilistët. Padyshim që gjykimi i tyre vlen shumë, apo jo? 
”Kostumi më i mirë i banjës është ai me të cilin t‘i ndihesh më rehat. Nuk është dekolteja ajo që të zbukuron. Është më mirë të mbështeteni te perfeksioni i detajeve dhe përzierja e bukur e ngjyrave. Duhet të kemi parasysh që plazhi nuk është palestër”, tregon stilistja Miuccia Prada.

Mes risive të vitit 2010, stilistët tregojnë edhe bikini që ngjasojnë me ato të viteve ‘60, si ato që vishte dikur aktorja bukuroshe, Brizhit Bardot. Pra, këtë verë ajo i këshillon vajzat të jenë pak më të mbuluara se vitet e tjera. Ndërsa, për sa u përket rroba të ndara të banjës, shumë të preferuara nga modelet e pasarelave, stilistët thonë: “Është e vërtetë që janë mjaft joshëse. Gjithsesi, janë më të përshtatshme për një koreografi sfilatash, sesa për një ditë të zakonshme në plazh”.

Eleganca në maksimum

Zakonisht, në imagjinatën tonë truporet janë thuajse një veshje skene, të cilat jemi mësuar t‘ua shohim aktoreve të mëdha, si Grace Kelly në filmin “Në ndjekje të hajdutit”, bukuroshes Ava Gardner dhe Rita Hayworth, ikonat absolute të feminilitetit. Gjithashtu, edhe Doris Day, por edhe nënave e tezeve tona. Në ndryshim nga sot, ku rrobat e banjës trup vishen për të mbuluar ndonjë defekt të dukshëm, Esther Williams i përdorte si rroba pune, kur bënte stërvitje apo ushtrime noti. Ajo që e lançoi e para kostumin e banjës trup ishte një atlete, notarja skandaloze australiane, Annette Kellermann. Ishte viti 1906, kur Annette u paraqit në një garë noti në Shtetet e Bashkuara me një kostum banje, ku kofshët ishin tërësisht të zbuluara, në mënyrë që të rrëshqisnin më mirë në ujë. Për këtë arsye (që kishte dalë me kofshë të zbuluara), ajo u arrestua, u gjobit dhe u përjashtua nga gara.

Aksesoret për mbrëmjet pas plazhit

Gjatë këtij sezoni, përmasat e çantave janë gjigante, pak a shumë me modelin e valixheve, me lëkura me dizajno dhe mbyllje metalike, lëkurë pitoni apo krokodili: janë vërtet jashtë modeleve të zakonshme. Dhe ja ku shfaqen aksesorët grintozë të ofruara nga “Gucci”, i cili riinterpreton atmosferën “glam-rock”. Ngjyrat e koleksionit risjellin edhe një herë epokën “glam”: ngjyrë floriri, bronzi, e bardhë e hapur dhe e zezë me shkëlqim.

Mbrëmjet vezullojnë nga çantat shumë të vogla horizontale “pailettes” (çantat e vogla serioze), mini-çantat horizontale të stampuara dhe rripa për mbajtje që i bëjnë të duken më serioze.

Nga Parisi vijnë “gaucho bags” të dizajnuara nga Christian Dior, koleksioni i të cilit ndjek atë të mbrëmjeve “Rock & Roll Style” dhe mega-çantat funksionale “Channel”, si propozimet interesante për dimrin e ardhshëm. Dhe gjithnjë nga Franca ofrohet dhe koleksioni i Louis Vuitton, që i transformon çantat për tregun e gjerë: janë të shumta ato plastike, me shumë ngjyra, ashtu siç janë të veçanta ato me modelin “leopard”.

Por nuk duhet lënë jashtë vëmendjes edhe një “çmenduri” që ka sjellë për këtë sezon Stella McCartney, për të kaluar te krijimet e jashtëzakonshme të Good Meme. Gjithçka është shoqëruar nga një buzëqeshje e ëmbël dhe “gjuhë lulesh”. Ngjyra të errëta, por edhe metalike, të kuqe e të shkëlqyeshme, të bëra me lëkurë apo me stampa “leopardi”. (shqip)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here