Ndërsa ditët e dimrit sa vijnë e bëhen më të thella dhe më të ftohta, mjekët dhe shkencëtarët e shëndetit kanë disa këshilla posaçërisht për gratë, sepse dimri mund të jetë veçanërisht i pamëshirshëm për pamjen e jashtme.

Problemet që lindin me ardhjen e dimrit janë të ndryshme, duke nisur nga problemet e lëkurës së fytyrës te shtimi i kileve, rreziku i osteoporozës e deri te lindja e fëmijëve me probleme.

Sipas një studimi të bërë në Britaninë e Madhe këtë javë, dimri mund të bëjë një grua që të duket 5 vjet më e madhe në moshë dhe kjo vetëm për shkak të problematikës së lëkurës rreth syve. Ekspertët kanë studiuar 5000 gra dhe kanë dalë në përfundimin se në stinën e ftohtë “torbat” që formohen rreth syve janë më të mëdha, më të dukshme dhe më të zeza se në momente të tjera të vitit.

Dhe pikërisht kjo bën që një grua të duket më e madhe në moshë nga sa është në të vërtetë. Kjo shkaktohet nga mungesa e dritës së diellit që e bën lëkurën më të zbehtë dhe si pasojë dalin më në pah të nxirat poshtë syve. Ndërkohë në dimër kemi një nivel më të ulët të vitaminës D, që është jetësore për shëndetin e kockave. Kjo vitaminë prodhohet nën ndikimin e dritës së diellit. Mungesa e vitaminës D ka një ndikim negativ në shfaqjen më me forcë të rrathëve të zinj të syve dhe në fryrjen e pjesës së poshtme të tyre. Nëse një grua është e re, pra në të 30-at, mosha e saj mund të rritet në dimër me tre vjet, ndërsa nëse një grua është mbi të 40-at, atëherë mosha e saj nga rrathët poshtë syve rritet me pesë, por edhe më shumë vjet. Ndërkohë, sipas studimit, në dimër 82% e grave i kanë sytë e fryrë, ndërkohë që në verë vetëm 38%.

Ka një numër të madh faktorësh që ndikojnë në përkeqësimin e fryrjes dhe nxirjes së pjesëve të poshtë syrit. Lëkura e trashë dhe mungesa e kolagjenit dhe e yndyrës janë disa nga shkaqet. Me kalimin e moshës të tre këta faktorë rëndohen, duke bërë që enët blu të gjakut që ndodhen poshtë lëkurës të jenë më të dukshme.

Ndër faktorët e tjerë janë streset fizike dhe emocionale dhe më pas vijnë duhani, alkooli, që veçanërisht në dimër kanë një ndikim shumë negativ në lëkurën e femrave. Pra dimri është një stinë jo e favorshme në pamjen tonë të jashtme, veçanërisht për lëkurën e fytyrës. Por jo vetëm. Është fakt se dimri, pra mungesa e diellit, sjell ndryshime jo të mira në të gjithë trupin dhe organizmin tonë.

Një prej tyre është për shembull shtimi në peshë gjatë muajve të dimrit. Problemi i rritjes në peshë vjen nga fakti që mungesa e rrezeve të diellit na bën të ndiejmë shpesh uri, sepse gjëndra ///pituitare në trurin tonë është më pak e stimuluar. Kjo shkakton një sërë kundërpërgjigjesh, njëra prej të cilave është pikërisht shtimi i oreksit, që shërben edhe për krijimin e sasive të mëdha të energjisë që duhet për të përballuar klimën e ftohtë të dimrit.

Në dimër ne jemi shumë të dhënë pas ushqimit dhe hamë çdo gjë që na del përpara. Ndërkohë jemi të prirur për më pak ushtrime fizike, sepse jemi më komodë dhe më rehat në qëndrimet në vende të ngrohta ku ndihemi më komfortë. Në terma fizikë mungesa e dritës së diellit shkakton edhe prodhim të paktë të hormonit të leptinës që lajmëron trurin në rast se stomaku është i mbushur plot dhe na lajmëron edhe ne se kur jemi duke e tejkaluar me ushqimin. Rezultati i gjithë këtij studimi është publikuar në një revistë shkencore në Britaninë e Madhe. Një nga përfundimet e rezultatit është se pjesa e grave që shëndoshen më shumë në dimër njëherazi kanë edhe një ulje të vitaminës D.

Disa mjekë thonë se gjatë dimrit duhet që të konsumojmë më shumë vitaminë D se gjatë verës, për të kompensuar sasinë e vogël të prodhimit të saj. Por ka dy probleme në lidhje me këtë. I pari është se sasia e tepërt e vitaminës D në gjak është po aq e dëmshme sa edhe mungesa e saj. Një studim amerikan i publikuar këtë vjeshtë, tregon se njerëzit që kanë sasi më të madhe të vitaminës D kanë 3 herë më shumë shanse se njerëzit e tjerë për të zhvilluar brenda vetes fibrilacionin arterial, një lloj rrahjeje zemre që mund të të çojë në goditje zemre.

Një tjetër studim nënvizon faktin se për të qenë të shëndetshëm ne kemi nevojë për rreze dielli dhe jo vetëm për sasi vitamine D. Kjo, sepse dielli ka edhe përbërës të tjerë që i bëjnë mirë organizmit tonë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për prodhimin e vitaminës D.

Ndërsa vitamina D është e mirë për disa sëmundje, nuk mund të mbulojë të gjitha problematikat e tjera që shkaktohen nga mungesa e ekspozimit të trupit në diell. Pikërisht një nga të mirat e banjave të diellit është parandalimi i sëmundjeve të stinës së ftohtë, i rritjes së imunitetit të trupit dhe i shëndetit. Marrim për shembull meshkujt dhe sëmundjet karakteristike. Sipas një studimi, meshkujt që janë më shumë të ekspozuar ndaj diellit kanë shanse më të ulëta për të pasur kancer prostati, infeksione në veshka, si dhe kancer të lëkurës.

Dielli dhe ekspozimi ndaj tij duket se ndihmon shumë edhe gratë nga kanceri endometrial, që prek pikërisht mitrën. Është një sëmundje që prek një numër të madh grash në Europën Perëndimore, veçanërisht veriore, pra në atë pjesë të Europës ku gratë janë më pak të ekspozuara ndaj diellit në një pjesë të madhe të vitit. Pra gratë e vendeve të Europës veriore janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve për një numër sëmundjesh që aktivizohen dhe forcohen për shkak të mungesës së diellit. Por, një universitet suedez, që ka marrë në studim 30 mijë gra, ka dalë në përfundimin se ata që kanë një ekspozim më të madh ndaj rrezeve të diellit e reduktojnë rrezikun e kancerit në masën 40%. E njëjta gjë vlen edhe për gratë e periudhës postmenstruale në lidhje me çështjet e osteoporozës. Edhe kjo sëmundje, që ka të bëjë me hollimin e kockave, gjithashtu lidhet me mungesën e vitaminës D.

Në shtator, disa shkencëtarë të tjerë nga Universiteti Aberdeen zbuluan që sa më në veri të jetojnë gratë, aq më të prirura janë ndaj sëmundjeve të ndryshme dhe kjo kuptohet për shkak të mungesës së diellit. Por shqetësimet e stinës pa diell fatkeqësisht prekin edhe nënat që presin fëmijë.

Dhe bëhet fjalë për rreziqe që kanë të bëjnë me shëndetin e nënës dhe shëndetin e fëmijës. Ekspertët skandinavë që kanë ndjekur rastet e 480 000 grave gjatë 5 viteve të fundit, kanë zbuluar se gjatë muajve të errët të dimrit gratë shtatzëna kanë shanse dy herë më të mëdha për të vuajtur nga pre-eclampsia, një presion fatal i gjakut që mund të shkaktojë probleme të mëdha për fetusin e grave që janë shtatzëna. Ndërsa ata fëmijë që lindin në zemër të dimrit ose edhe në të dalë të tij, kur ditët janë me të vërtetë shumë më të ftohta, kanë një mundësi më të madhe për të vuajtur nga skizofrenia. Mungesa e dritës së diellit mund të krijojë probleme në një funksion të trurit që ka të bëjë me prodhimin e melatoninës, që është i rëndësishëm për rritjen e shëndetshme të neuroneve të fëmijës në barkun e nënës. Eksperimentet laboratorike tregojnë se mungesa e melatoninës mund të dëmtojë zhvillimin e hipokampusit, një zonë e trurit që është jetike për kontrollin e humorit dhe formimin e memories.

Lidhje të tilla të ngjashme janë gjetur edhe me rritjen e nivelit të alergjive nga ushqimi dhe epilepsia te fëmijët e lindur në fund të dimrit ose në fillim të pranverës. Shkencëtarët nuk janë të sigurt se përse lindjet e dimrit mund të rrisin alergjitë e ushqimeve te fëmijët. Por në rastin e epilepsisë ekspertët besojnë se mungesa e dritës së diellit çon në nivele të ulëta të prodhimit të serotoninës, dopaminës dhe nerepinefrinës në zhvillimin trunor të foshnjës. Mungesa e këtyre lëndëve është një dëm i madh.

Përgjigjja e qartë ndaj të gjitha këtyre problemeve është dalja në ajër të pastër sa më shumë që të jetë e mundur, veçanërisht gjatë stinës së verës. Por fatkeqësisht vihet re se një numër i madh njerëzish në Perëndim e kanë humbur kënaqësinë e të dalit jashtë edhe kur koha është e bukur. Por këtë duhet ta bëjmë jo vetëm për dobi të shëndetit tonë, që është parësor, por edhe për atë të pamjes së jashtme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here