Njëra prej bukurosheve dhe modeleve më të njohura kosovare, Dhurata Lipovica thotë për Express se do të vazhdojë të modelojë, pavarësisht lindjes dhe angazhimeve më të shumta si nënë.

Modelja Dhurata Lipovica pritet të jetë edhe më aktive këtë vit nëpër sfilatat që do të mbahen në Kosovë, përderisa në një bisedë për Express, bukuroshja thotë së do të vazhdojë të merret me karrierën e modelimit edhe pas lindjes së Blinit, djalit të saj.

Modelja, që është e martuar me aktorin Fisnik Ademi, thotë se do të vazhdojë të merret me modelim, por jo në mënyrë aktive sikurse më parë.

“Ma merr mendja që do të vazhdoj të merrem me modelim. Jo në atë masën sikurse kam bërë më parë, ku kam qenë shumë aktive, por sigurisht që do të marr pjesë nëpër disa sfilata që do organizohen në Kosovë”.

Ndryshe, Lipovica kishte pauzuar gati dy vite duke mos u paraqitur në ndonjë sfilatë, por këtë e kishte bërë në fund të muajit tetor, kur ajo kishte sfiluar në skenën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në sfilatën e dizenjatores Flutra Dedinja, sfilatë që ishte quajtur “Butterfly Effect” (Efekti flutur). Ajo po ashtu ka marrë pjesë edhe në disa sfilata tjera të stilistëve dhe disenjatorëve të modës në Kosovë.

Sa i përket mundësisë së paraqitjes në ndonjë sfilatë ndërkombëtare, Dhurata thotë se nuk mendon që do të jetë pjesë e këtyre sfilatave për shkak të angazhimeve që ka si nënë. “Nuk ma merr mendja që do të jem pjesë e këtyre sfilatave”, thotë ajo.

Dhuratës po ashtu nuk i ka munguar edhe përkushtimi ndaj familjes së saj, ku tani thotë se ka obligime shtesë në përkujdesjen ndaj Blinit, djalit të saj.

Pos kësaj, ajo thotë se në planet e saj ka edhe zgjerimin e familjes, edhe pse nuk tregon se kur do ta bëj këtë, gjatë këtij vitin apo më vonë. “Normal që mendoj për ta zgjeruar familjen. Tanimë kam krijuar familje dhe mendoj të kem edhe fëmijë të tjerë”, thotë Dhurata për Express.

Dhurata për modën

Ndryshe, Dhurata Lipovica njihet si njëra prej modeleve më të suksesshme në Kosovë. Para se të martohej me aktorin Ademi, ajo kishte arritur të paraqitej në disa sfilata jashtë Kosovës si në Amerikë dhe Evropë. Në një intervistë të mëparshme për portalin INA, Dhurata kishte thënë se paraqitja në sfilata të këtilla është e vështirë. “Shumë e vështirë pasi që ata kërkojnë shumë nga ti”. Ndërsa për Kosovë, Lipovica kishte thënë se modelet mund të bëjnë karrierë deri në moshë 25 vjeçare dhe pas kësaj karriera zbehet “duke përfunduar krejtësisht”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here