dhurata-shqiptare-e-modelingut_hdNjë vajzë, një grua, e veçantë. Jo vetëm në pamje, por edhe në atë që bën, një modele që po ndjen shijen e të qenit në qendër të vëmendjes. E veçanta fillon që me emrin e saj, që ndoshta ka ndikuar pak edhe te karakteri i saj. Ajo është një dimension i modeles që me fotot e saj guximtare është një shembull domethënës i personalitetit femëror në fushën e vështirë të modelingut; është njëkohësisht shumë e ndërgjegjshme dhe e sigurt për atë që bën.

Dhurata Lipovica, pa dyshim që radhitet në femrat e pakta me shumë fat, pasi përmasat e trupit të saj janë pothuajse ideale. Duke pasur parasysh karakterin e saj ekzotik, ajo mundohet që të duket gjithmonë e praruar duke krijuar një imazh femëror të pakrahasueshëm me të tjerat.

Në ato pak grimca bisedash kupton se Dhurata është me të vërtetë një oqean i pafund ndjenjash, mendimesh, dëshirash, hobesh, por tepër e veçantë. Asaj i pëlqen pa masë formati televiziv dhe tërhiqet mbas abstraktes artistike.

Dhurata është nënë, por për të gjitha ka moshë adoleshence. Si rrallëkush, ajo tregon që mund të kesh filozofinë e një të pjekure që në moshën e re. Sepse…lexoni intervistën e mëposhtme dhe shikoni setin e jashtëzakonshëm fotografik nga Arton Humolli, ku ajo shfaq hiret e një zonje të vërtetë.

Jo rrallë jeni të ftuar në disa mediume si manekine e cila është kulmin e skenës së modës. Cili është mendimi juaj për këtë status mirënjohës dhe me çka e keni merituar? 
Mund t’ju them se është ndjenjë shumë e mirë të vlerësohesh për punën që bën. Mendoj se me shumë punë, vullnet, përpikëri e durim, arrihet gjithçka në jetë, andaj edhe ky cilësim që mua më bëhet sot, është arritur pikërisht me dëshirën dhe vullnetin për punë.

Ngritja juaj ka filluar në “Ford Super Model of Kosova”. Çfarë mendoni për veten dhe a do të ndryshonit diçka që do t’ia fillonit nga e para? 
Është histori shumë interesante se si kam hyrë si konkurrente në “Ford Super Model of Kosova”, pasi që unë isha 18 vjeçe, në vitin e parë të fakultetit dhe, t’jua them të drejtën, as që kam pasur ambicie të bëhem modele. Mirëpo, ndonjëherë njeriu me vendimet e veta ia ndryshon vetes jetën. Nuk mendoj se do të ndryshoja vendimin tim që fillova këtë karrierë pasi që puna si modele më fal shumë kënaqësi dhe ndihem shumë rehat me këtë që bëj.Sa kohë jeni tashmë në botën e modës dhe çfarë është aty e magjishme që ju ka tërhequr ajo botë? 
Janë bërë tetë vite që unë merrem me modelizëm. Ndërsa mendoj se vet profesioni është i magjishëm pasi që si me magji të shndërron në gjithçka. Dhe, pavarësisht se si njerëzit e ndryshëm mund të perceptojnë një fotografi artistike apo sesi ata të shohin në një sfilatë me stilim ekstrem, unë gjithmonë e ndjej magjinë që të falë skena dhe ndjesinë e papërshkrueshme që të falë një fotografi.

Keni pasur rastin të shëtisni nëpër pistat më të njohura të botës. Çfarë ndjenje është? 
Padyshim që është ndjenjë shumë e mirë, ndjenjë krejtësisht e papërshkrueshme. Të sfilosh në vendet që janë shumë të njohura për traditë dhe me shumë eksperiencë në fushën e modës, është padyshim një arritje shumë e madhe dhe, gjithsesi eksperiencë e pazëvendësueshme.Cilat janë përparësitë dhe cilat janë mangësitë e punës së manekines? 
Njohja me shumë njerëz të ndryshëm dhe të kulturave të ndryshme, udhëtimet e shumta, janë disa nga përparësitë. Ndërsa sa për mangësi, mund të them se ngaqë ke shumë angazhime, ke fare pak kohë të shpenzosh me shoqërinë dhe të afërmit.

Po lini përshtypjen e një personaliteti të fuqishëm në fotografi dhe në skenë. Cila jeni në jetën private? 
Jam një person shumë sensitiv, herë-herë temperament, por edhe shumë gazmore. Më pëlqen shumë të qesh, sidomos me njerëzit e afërm dhe shoqërinë e ngushtë.

Puna me të cilën merreni sa ka të bëjë me shkathëtit dhe aktrimin, e sa me karakterin personal dhe me karizmin? 
Modelimi është i lidhur ngushtë me aktrimin po aq sa është edhe me karakterin personal. Në disa raste duhesh të jesh vetvetja dhe të paraqitesh para publikut ashtu siç je, por ka edhe shumë raste tjera që duhet të “aktrosh”, apo më mirë të them, të mundohesh të bësh një karakter krejtësisht nga ajo që je ti në varësi nga koleksioni. Ndërsa, sa i përket karizmit, mendoj se pa karizëm nuk do të mundte askush të bëjë punën e tij, pasi që dhuntia shpirtërore është ajo çka duhet të paraqesësh te publiku në mënyrë që të ndjejë atë që ndjen ti.Si duket një ditë juaja? 
Dita ime nuk është thuajse kurrë e planifikuar, e gjithë java, muaji, viti për mua janë shumë spontane. Zakonisht një pjesë e mirë e kohës konsumohet me punë, ndërsa pjesa tjetër është normale që ia kushtoj familjes, sidomos Blinit, djalit tim dhe bashkëshortit.

Sa keni kohë të merreni me vetveten? 
Nuk them se nuk i kushtoj edhe shumë kohë vetes, por mundohem që në normalitet të kujdesem edhe për veten. Gjithsesi për mua primare është përkujdesja e djalit, pasi që ai është ende i vogël dhe ka nevojë për përkujdesje maksimale.

Keni ndonjë pasion? Ndonjë “ves” të vogël?
Pasione kam shumë. Një ndër pasionet e mëdha të mia është kalërimi, por gjithashtu e adhuroj fotografinë, udhëtimet, etj.

A ka gjasa që edhe te ne të vijë koha që të mund të jetohet nga puna e manekinit dhe e fotomodelit? 
Mendoj se duhet edhe shumë kohë për të ardhur deri te ajo periudhë, mirëpo besoj se një ditë do të vijë. Dita-ditës po shihen përparime në fushën e modës, vetëdijesim tek perceptimi i popullatës kundrejt një modeli/e dhe mendoj se me punë, vullnet dhe durim, mundet shumë shpejt të vijmë deri te ajo kohë.Fatkeqësisht, që skena e modës nuk është në një nivel të lakmueshëm, edhe pse është e vërtetë po vërejnë lëvizje përpara. Duke pasur parasysh përvojën tuaj, mund të provoni të na përshkruani si duket viti, në kuptimin profesional natyrisht, për një manekine e cila është në fillim të karrierës së saj? 
Sa i përket modeleve të reja, ato kanë më pak punë pasi që, ashtu si gjithkund në botë, është eksperienca që vlerësohet më shumë, prandaj duhet të paktën dy vite pune për t’u familjarizuar mirë me peripecitë e punës së modelimit.

Besojmë që të gjitha vajzat të cilat do ta lexojnë intervistën do të interesohen se cilat karakteristika janë të nevojshme, si fizike, ashtu edhe psikike, për të arritur sukses në këtë punë? 
Përveç përmasave trupore dhe gjatësisë mbi 1.75 cm, duhet gjithashtu të ketë një personalitet të mirë, të jetë e dëgjueshme dhe të dijë të realizoj kërkesat e stilistit/dizajnerit, apo drejtorit artistik (fotografit). Mund të them se tek ne gabimet më të mëdha që modelet i bëjnë janë se jo gjithmonë pajtohen me pamjen e tyre/apo veshjet që stilisti/dizajneri ka përzgjedhur, apo grimeri/frizeri që ka përgatitur grimin/flokët. Prandaj, unë do ta kisha sugjeruar çdo modele me apo pa eksperiencë që të lejojë ata të merren me punët e tyre dhe modelet të bëjnë të veten.Modele janë të njohura si vajza me stil të mirë. Si do ta përshkruanit stilin tuaj? 
Mua më pëlqen të ndjehem lirshëm dhe jo shumë e komplikuar, prandaj edhe kam stil shumë më sportiv, me pantallona e bluza, si dhe më pëlqejnë shumë minifundet dhe atletet.

A ka vërtet modele të mirëfillta në Kosovë? 
Mendoj se ka modele të mira, vetëm së kisha pasë shumë dëshirë që modeleve të reja t’u ofrohet mundësia të provojnë pasarelat e botes dhe pse jo, edhe të punojnë për kompani të njohura të modelimit.

Dëshironi të bëni ‘shopping’ dhe ku? 
Më pëlqen të bëj shopping, blej kudo që më pëlqen diçka, por mund t’ju tregoj se më ka lënë shumë përshtypje Londra. Kam qenë vitin e kaluar dhe se po planifikoj ta vizitoj përsëri këtë vit.

A shpenzoni me kujdes në rroba apo për ju çmimi nuk është gjë primare nëse ndonjë pjesë veshjeje ju pëlqen? 
Mendoj se shpenzoj arsyeshëm, mirëpo nëse më pëlqen diçka, duhet të jetë e imja, me çdo kusht. Ka raste kur edhe blej gjëra të cilat janë thuajse të panevojshme, porse më pëlqejnë dhe dua që patjetër të jenë në dollapin tim.Çka shmangni posaçërisht të vishni, e çka vishni kur dëshironi të shkëlqeni? 
I shmang medoemos këpucët me taka gjatë ditës, sepse nuk më bëjnë të ndjehem rehat, ndërsa kur dua të shkëlqej, varet prej rastit, vishem shumë më ndryshe, me taka dhe me një përzierje midis elegancës dhe stilit urban.

Cili është për ju pjesa më e dashur e veshjeve? 
Minifundet dhe këpucët.

A jeni romantike? 
Nuk jam edhe aq romantike sa do të doja të isha, mirëpo i vlerësoj shumë personat romantik.

Me çka të bëri për vete bashkëshorti…? 
Me butësinë, shpirtit te tij, miqësinë, me respektin ndaj meje dhe me dashurinë që ka për mua.

Sipas teje, cili qytet është më romantik? 
Mendoj se nise je me njeriun që e dashuron, çdo qytet, çdo vend është romantik. Gjithsesi, mendoj se për mua, qyteti më romantik është Parisi.Shumë shpesh manekinet provojnë fatin edhe në aktrim, por edhe si moderatore. A keni edhe ju ambicie të tilla? 
Jetës nuk i dihet, unë ambicien të bëhem modele nuk kam pasur, por ja që jam bërë, momentalisht ambicie të tilla nuk kam, por kam disa ide për emisione televizive të cilat nuk dua t’i zbuloj.

Cili është romani i fundit që e keni lexuar dhe çka dëshironi të lexoni? 
Më pëlqejnë shumë librat që kanë përmbajtje fantastike-shkencore, ndërsa libri im i fundit është Deception Point nga Dan Brown.

Shumica e njerëzve të cilët arrijnë sukses në ndonjë punë, kur nga lartësia shikojnë prapa gjejnë ndonjë gabim të cilin assesi nuk do ta kishin përsëritur. Keni ju ndonjë gabim nga e kaluara? 
Mendoj se njeriu nga gabimet bëhet më i fortë në karakter dhe se, gabimet, është mirëpo që kohë pas kohe të kujtohen, që të mos përsëriten. Gabime kam bërë edhe unë, por që falë tyre, jam e sigurt që sot jam një njeri më i mirë.Çfarë e konsideroni suksesin më të madh në karrierën e deritashme dhe a keni ndonjë qëllim të cilin synoni ta arrini? 
Përzgjedhja si “Modelja e dytë më e mirë në botë” (1st runner up) në Best Model of the World, në vitin 2009, konsideroj që është ndër arritjet e mia më të mëdha. Ndërsa, sa për synime të tjera, nuk di çfarë t’ju them pasi që unë tashmë jam nënë dhe nuk mendoj që jem pjesë e ndonjë konkursi tjetër ku do të kishte vlerësim. Tani për tani, po mjafton të merrem kohë pas kohe me modelim sa për të përmbushur dëshirën/pasionin që kam për modelimin.

Dhe, planet tuaja për të ardhmen? 
Kam shumë plane, por akoma asgjë konkrete. Shpresoj që shumë shpejtë do të realizoj një emision televiziv, pasi që është dëshirë e imja e kamotshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here