Nëse këtë gjë e thotë një këngëtar si Devis Xherahu, i cili deri më sot pranon se i ka nxjerrë të ardhurat nga muzika, duhet besuar patjetër. Këngëtari i cili merr pjesë në “Kënga Magjike” me një këngë të gëzueshme, tregon për “Bluetooth” përse ndihet që tani fitues i “Kënga Magjike”
Jeni shfaqur si këngëtar melankolik, por kësaj radhe te “Kënga Magjike” konkurroni me një këngë të gëzueshme; përse e bëtë një kapërcim të tillë?
Artisti ka gjendje të ndryshme shpirtërore dhe sipas gjendjeve mund të shkruajë ndryshe. Kësaj radhe unë pata një gjendje të tillë shpirtërore që më bëri të shkruaj një këngë të  gëzueshme.

Ka lidhje kjo gjë me momentet aktuale që po kaloni në dashuri?
Mund të jetë edhe kjo, por me siguri nuk është arsyeja absolute.
Vjet dolët me një çmim nga “Kënga Magjike”. Po këtë vit, çfarë çmimi do t’ju pëlqente të fitonit?
Unë e kam thënë edhe vitin e kaluar gjatë kohës së pjesëmarrjes te “Kënga Magjike”: Për mua çmimi është dytësor, sepse e para gjë që dëshiroj është që kënga të dëgjohet, të pëlqehet dhe të bëhet hit nga publiku. Ky është çmimi më i madh që mund të marr dhe këtë mundësi ta jep pjesëmarrja te “Kënga Magjike”, sepse këngët që marrin pjesë, që vërtet pëlqehen nga publiku, bëhen domosdoshmërisht hite.
Si është dashuria juaj në këto momente?
Po shkon shumë mirë, faleminderit! (qesh)
Si po shkon lidhja me Ertemionën?
Ertemiona është një shoqe dhe një e dashur e përkryer. Nuk do të kisha dashur asgjë më shumë se ajo në dashuri.
E keni në plan martesën?
Për mendimin tim, martesa nuk është diçka që planifikohet, ndodh dhe kaq.
Ju tremb ideja që duke krijuar një familje të madhe do t’ju duhet të shkëputeni disi nga profesioni për t’iu përkushtuar familjes?
Nuk më tremb aspak. Kur familja është e shëndetshme ajo të kthehet në një ndihmë e madhe edhe në profesion, sepse të mbështet.
Një shprehje e vjetër thotë: Mos u marto kurrë me një artist; përse mendon se ka dalë kjo shprehje?
Thashetheme janë, mbase nuk dalin. (qesh)
Çfarë kanë artistët që nuk janë të mirë për të krijuar familje dhe një jetë të qetë familjare?
Është e vërtetë që ne artistët lëvizim shpesh nga njëri vend në tjetrin për shkak të profesionit. Duhet forcë dhe mbështetje mbi të gjitha nga vetja jote, pastaj edhe nga familja, që të përballohet kjo lloj largësie që shkaktohet nga profesioni.
Ju vetë, sa rëndësi i kushtoni familjes, a është familja prioritet në jetën tuaj apo profesioni vjen i pari?
Familja është prioriteti im në jetë dhe balanca e cila vendos për çdo sukses tjetër në jetë.
U jeni rikthyer koncerteve me bashkëpunëtorët tuaj të vjetër që janë këngëtarët grekë, përse?
Unë u rikthehem bashkëpunimeve me njerëz të suksesshëm, qofshin këta grekë, turq, rusë etj.
Tani që prej kohësh jetoni në Shqipëri, a mund të bëni dallimet mes jetesës në Shqipëri dhe asaj në Greqi?
Jeta ime është kënga, skena, dhe për mua skena është njësoj në çdo vend të botës.
Ku ju pëlqen të jetoni më shumë?
Atje ku jam i dëshiruar për publikun, atje është shtëpia ime.
Ia vlen të jetosh në Shqipëri duke bërë këngëtarin?
Në Shqipëri ia vlen të këndosh, por jo të bësh këngëtarin.
Të jesh këngëtar sot është një profesion i rrezikshëm, pasi nuk keni kurrë siguri. Ju, a keni në mendje një plan rezervë?
Deri tani nuk kam diçka rezervë në mendje, sepse ajo që bëj nuk përbën rrezik për mua, por është një siguri e plotë tani dhe në të ardhmen.
Si i nxirrni kryesisht të ardhurat?
Kam njëzet vjet që i nxjerr vetëm me këngën dhe me skenën.
Thuhet se artistët mund të bëjnë një jetë të lumtur, por mbeten të varfër. Ju, si i keni raportet me paranë?
Kjo nuk ka të bëjë me artistin, por me karakterin e njeriut. Unë shtrij këmbët sa kam jorganin. (qesh)
Nëse një ditë do t’ju duhet të hiqni dorë përfundimisht nga muzika, cila do të ishte arsyeja?
Atëherë kur zëri im nuk do të kishte forcën të thërriste: Ndihmë!

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here