Kjo javë parashikohet të jetë e flaktë, me deklarata të bujshme e të larmishme. Këngëtarët e Tironës, siç ata identifikohen tashmë, kanë sot një ‘revoltë’ për të shprehur si pasojë e një padrejtësie që ata gjykojnë se i u është bërë.

Edhe këtë javë, “E Diell” në “Top Channel” do vazhdojë organizimin e dasmave tradicionale shqiptare. E radhës, siç mund ta keni kuptuar është Tirana dhe në të nga sa kemi mësuar do të performojnë dy prej zërave më të mirë të skenës, Artiola Toska e Sinan Hoxha si dhe Iris Bega.

Sakaq, vallet tradicionale do të jenë pjesë e këtij organizimi. Deri këtu gjithçka është në rregull, vetëm se sipas disa ikonave të tjera të muzikës Tironase, në këtë organizim meritonin të ishin prezentë edhe shumë këngëtarë të tjerë, të cilët kanë kontribuar për vazhdimësinë e traditës Tironase.

Diçka ka çaluar në organizim dhe si pasojë, emra të mëdhenj të skenës kanë mbetur jashtë. Indinjimin e tyre, së bashku me reagimin e shoqatës që e organizoi, ne do ta sjellim sot në “Bluetooth”. Ajo që duam të saktësojmë që në fillim është se të gjithë këngëtarët që do të shprehen më poshtë, nuk kanë asgjë me televizionin që e organizon, përkundrazi gjithë revolta e tyre i atribuohet shoqatës.
Bujar Çiçi
Ka qenë një status i këngëtarit të njohur të muzikës popullore, Bujar Çiçi, ai që na ka bërë t’i shkojmë gjërave më tej për të kuptuar indinjatën e një brezi të tërë artistësh. “I kërkojmë ndjesë miqve e dashamirësve tanë, Valbona Mema, Greta Zani, Valbona Halili, Reshit Boka, Xhavit Dedej, Albert Lulja dhe unë Bujari, se këtë javë në “Top Channel” është java e dasmës Tironase, e se në mënyrë flagrante e origjinale duan të hedhin baltë jo vetëm mbi ne dhe ekzistencën tonë, por unë do të shkoj më larg deri në degjenerimin e traditës Tironase, vlerave që ajo bart e për këtë e ka thënë shumë saktë dhe açik Valbona Mema, se nga kush stiset dhe bëhet. Vërtet ka një fakt, ne jemi ne, se ju kemi juve, e se ju bashkë me ne s’do lejoni kurrë që në një orë të vetme televizive të hidhet baltë… Mendoni, logjikoni e shkruani miqtë tanë se çfarë duhet të bëjmë e çfarë duhet të presim nga këto iniciativa shterpe të disa pseudo-organizatorëve. Në emër të kolegëve ju përshëndes e ju kërkojmë ndjesë për këtë mungesë pa arsye…”, – ka shkruar ai, për t’i lënë vendin më tej një numri të konsiderueshëm kolegësh e fansash të cilët kanë komentuar gjatë. Bujar Çiçi është një prej trashëgimtarëve më të denjë të traditave Tironase. Në CV-në e tij shënohen me qindra koncerte dedikuar vendit që aq shumë e do, Tironës.
Valbona Mema
Një tjetër këngëtare me taban, e njohur kahera si trumbetuese e muzikës së vërtetë Tironase, është edhe Valbona Mema. “Edhe unë ndihem e fyer, ashtu si të gjithë. Po ne kemi një forcë që na bën të jemi të qartë në shikimet e këtyre organizatorëve. Ne ekzistojmë, duan apo jo ato. Ne këndojmë dhe jemi në çdo shtëpi të çdo qytetari e nëpër gëzimet e tyre. Ai spektakël është 1 orë dhe harrohet. Ne kemi një jetë përpara për të vazhduar misionin tonë aq të shenjtë që të jetojmë me këngën Tironase nëpër të gjitha familjet shqiptare. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë kolegët e mi”, ka thënë këngëtarja. Valbona Mema ka 27 vite që investon për pasurimin e traditës Tironase.
Reshit Boka
Reshit Boka, është një tjetër emër, që me këngët e tij ka vulosur shumë gëzime të familjeve Tironase. “Personalisht i respektoj të gjitha mendimet dhe sugjerimet. Tirona është aq e madhe dhe aq me vlera e tradita në muzikë e këngë saqë edhe 10 këngëtarë do të ishte pak ta përfaqësonin në një eveniment apo spektakël, siç është “Dasma Tironase”. Nuk ka gjë më të bukur e të arrirë t’i këndojnë këngët e Tironës jo 10, por edhe 20 këngëtarë, sikur nga një varg të këndojnë dhe të tregojnë se sa shpirt dhe ndjenjë kanë këngët e Tironës. Gjithsesi, i urojmë suksese këngëtarëve që do të marrin pjesë në këtë eveniment!”, ka thënë Boka, i cili prej 26 vitesh këndon këngë tradicionale të Tironës.
Bujar Çiçi
Një ndërhyrje e Bujar Çiçit ka qenë këtë herë për të tjerë emra, të cilët kanë dhënë shpirtin për muzikën Tironase: Është gjallë edhe Hajrie Derhemi, derë e madhe e Tironës, e këngës Tironase. Gjithashtu dhe Hamide Shkalla, një zonjë e këngës Tironase. Është edhe Pajtim Struga. Dhe janë edhe shumë të tjerë.
Greta Zani
Greta Zani, është padiskutim një nga këngëtaret më në zë të muzikës popullore. Me këngët dhe zërin e saj ajo ka qenë prezente në shumë tavolina. “Sa desha t’i shkruaj këto emra Bujar, se përveç faktit që ne nuk do të jemi aty, këto emra që përmende ti më lart e kanë të drejtë legjitime të jenë në atë mini-skenë të “Dasmës Tironase”. Por, ai apo ajo që e ka bërë këtë listë emrash, e që ka vendosur kush duhet të marrë pjesë e kush jo, duhet të mendonte pak më shumë dhe pak më mirë për ta përfaqësuar Tironën sa më denjësisht. Sa më shumë, aq më mirë dhe më bukur, një tavolinë me 3 këmbë thyhet më shpejt se ajo me shumë e shumë këmbë, d.m.th një tavolinë e madhe do ta përfaqësonte më denjësisht. Nejse, gjithsesi urime “Dasmës Tironase””, ka përfunduar këngëtarja, e cila prej vitesh dëshmon devotshmëri ndaj publikut tirons.
Albert Lulja
Albert Lulja është një tjetër emër i dëgjuar në dasmat dhe gëzimet e tironsve. “Nuk mendoj se ‘Dasma Tironase’ që bëhet në një TV privat përçan këngëtarët e muzikës popullore. Unë i kam miq të mirë shumicën e këngëtarëve dhe nuk mendoj se janë ata arsyeja qe ne po flasim për “Dasmën Tironase”. Indinjata ime dhe e disa këngëtarëve popullor është për ata që e kanë menduar për ta bërë këtë dasmë. Organizatorët që e kanë servirur në TV këtë dasmë, nuk mundet të na veçojnë nga ky program, pasi jam i sigurt që dinë shumë pak për organizimin e saj. Unë mendoj se shumë këngëtarë të Tironës e dinë mirë se si funksionon një dasmë, por kjo nuk është e para herë që mundohen të marrin në dorë disa njerëz që s’dinë asnjë gjë për të dhe shfrytëzojnë kolegët tanë për të mbyllur defektet e tyre të punës. Shfrytëzojnë edhe TV me emër në Shqipëri për t’u dukur një punë e mirë sipas tyre. Edhe një herë dua të theksoj se, kolegët tanë që merren me këngën popullore të mos ndihen keq se kjo që unë po them s’ka të bëj me ta. Respekte Albert Lulja…”, – ka thënë ai. Bluetooth

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here