Dafina Zeqiri thotë se një rol të madh në suksesin e saj, ka edhe i dashuri i saj Krenar Çoçaj.

Njëra nga këngëtaret më atraktive në skenën muzikore shqiptare gjatë një prononcimi për Telegrafi.com thotë se ajo vazhdimisht e ka mbështetjen e Krenarit dhe kjo i jep asaj një shtytje shtesë drejt sukseseve.

“Gjithmonë e kam pasur përkrahjen e Krenarit dhe vazhdoj ta kem. Me ndihmën dhe përkrahjen e tij unë arrij të kem suksese në sferën muzikore”, ka pohuar Dafina.

Ajo ka treguar se edhe pse lidhja e tyre është duke shkuar shumë mirë, për momentin ata nuk janë duke menduar për martesë.

“Lidhja jonë është duke ecur shumë mirë. Ndërsa sa i përket fejesës apo martesës nuk jemi duke menduar sepse na duket herët. Ka kohë”, është shprehur këngëtarja.

Duke folur për veshjen e saj, Daffy po ashtu është shprehur e kënaqur me punën që bën stilistja e saj, Lia Stublla.

“Ajo e cila përkujdeset për dukjen time është disenjatorja Lia Stublla. Ajo përveç që është stilistja ime, e kam edhe shumë shoqe të mirë, e dua shumë dhe jam shumë e kënaqur me punën e saj. Si çdo artist, edhe unë ka raste kur inspirohem në artistët e mëdhenj botëror, por ajo e cila përkujdeset për look-un tim në skenë është Lia”, shton më tej Dafina.

Ajo po ashtu pohon se nuk brengoset fare për spekulimet rreth karrierës ose jetës së saj private. “Jo nuk më pengojnë aspak thashethemet. Ato mbesin vetëm thashetheme”, shton më tej Daffy, e cila kohën e lirë pëlqen ta kalojë në shtëpi ose në kafeteri me shoqëri. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here