Dafinë, në tregun muzikor dalëngadalë je duke krijuar një imazh të mirë. Në të vërtetë, sa përputhet kjo me atë çka je duke u përballur?

Për të krijuar një imazh të mirë është shumë normale që duhet të përballesh me sfida të ndryshme, lodhje etj. Megjithatë, falë ndihmës së miqve kam arritur të përballoj çdo gjë.

Cila është strategjia jote për të rënë më shumë në sy kundrejt këngëtareve të tjera?

Gjithmonë kam pasur qëllim të krijoj diçka origjinale, duke filluar nga mënyra e sjelljes e deri te drejtimi muzikor. Janë disa detaje në jetë që, ndoshta, edhe pa dashur të bëjnë të dukesh më ndryshe nga të tjerët. Sidoqoftë, fakti që punoj shumë me veten, angazhohem jashtëzakonisht në punë, kam përkushtim të madh për gjithçka që ka të bëjë me mua dhe këngët më bëjnë ndryshe.

Sipas teje, çfarë duhet të ketë patjetër një këngëtare?

-Zë, karakter të fortë, besim dhe përkushtim maksimal ndaj punës.

Je këngëtare e re. Si u bë që fillove bashkëpunim me Genc Prelvukajn?

Me Genc Prelvukajn më njoftoi aktori Blerim Destani, i cili është, njëkohësisht, edhe mik i afërt i familjes sime. Ai më sugjeroi të punoja me të dhe jam e bindur që kam bërë zgjidhje të duhur.

Përveç këndimit, natyrisht, nevojitet edhe ngritje intelektuale. Je lindur dhe rritur në Gjermani. Cili është niveli i shkollimit tënd?

Jam në shkollën e mesme në Shtutgart të Gjermanisë dhe mendoj që në vitet e ardhshme t´i filloj studimet për menaxhment.

Sa herë që del një këngëtare e re e suksesshme, normale është që të priten dhe krahasimet e para. Thonë se ka ngjashmëri mes teje dhe këngëtares Dafina Zeqiri, meqë edhe ajo ka filluar hapat e parë duke bashkëpunuar me Gencin. Sa është reale kjo që thuhet?

Mendoj se përveç emrit, gjinisë dhe llojit të muzikës, s’kemi gjëra tjera të përbashkëta. Mendoj që jemi dy botë të kundërta.

Si janë marrëdhëniet me të? A mund ta kesh mike dhe konkurrente në të njëjtën kohë?

Marrëdhëniet me të do të provoj t´i kem të mira kur të vjen koha të njihem me të personalisht. Nuk kam pasur rastin ta takoj. Nuk është e drejtë të më shohin si konkurrente të saj. Muzika është treg i gjerë dhe ka vend edhe për dy Dafina, pa e rrezikuar njëra tjetrën.

Ka jetë personale në këngët tua?

Pjesërisht.

Cilat janë ato elemente që do të duash t’i ndërthurësh në këngët tua?

Albumi është në shitje qe disa ditë dhe ata që do ta kenë rastin ta dëgjojnë do të vërejnë dallimin
nga projektet tjera.

Një vajze të re, të bukur dhe këngëtare, sigurisht nuk i mungojnë edhe ofertat. Ndonjë sekret?

Të gjitha ofertat profesionale filtrohen dhe përpunohen nga GR Entertainment. Për gjëra private flasim herave të tjera.

Të bezdis fakti që mediet fillojnë të interesohen për jetën tënde private?

Pak.

Mendon se sa më pak të tregosh për jetën tënde private aq më interesante bëhesh për publikun?

Mendoj se edhe publiku, së pari, është i interesuar të di për anën profesionale, e pastaj për gjëra private.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here