Janë bërë tre vjet që këngëtarja Dafina Dauti i ka munguar skenës sonë, mirëpo ajo tani ka vendosur të kthehet me një projekt të ri muzikor për të cilin thotë se ka punuar mjaft shumë.

Këtë herë Dafina do të vijë më ndryshe si për nga pamja, ashtu edhe linjat trupore. Më shumë rreth projektit dhe çdo gjë tjetër saj flet për “Zëri”

Cilat janë shkaqet për mungesën tuaj në skenë?

Këto tre vjetët e fundit kanë qenë vitet më të dashura të jetës sime, sepse kam sjellë në jetë vajzën time Elizabetën, e cila tani i ka 3 vjet. Këtë periudhë të mungesës sime në skenë ia kam dedikuar rritjes së vajzës, e cila është personi më i rëndësishëm në jetën time. Andaj, përkushti për të ka bërë që të mungojë për tre vjet në skenë.

Tani do të riktheheni me një projekt të ri muzikor, na thuani disa fjalë për të?

Tani sapo kam lansuar në treg një këngë të re që titullohet “Ti”, e shoqëruar bashkë me videoklip, i cili ka nisur të shfaqet nëpër ekranet tona televizive. Për aq kohë sa kam vërejtur kënga po pëlqehet në publik.

Kënga titullohet “Ti”, por kujt ia dedikuat?

Këngën tërësisht e ka përgatitur Hekuran Krasniqi, kështu që nuk ka të bëjë asgjë me jetën time private. Thjesht është një këngë me tematikë dashurie që mund ta dëgjojë çdo vesh dëgjuesi.

Keni planifikuar edhe ndonjë projekt tjetër?

Po, tashmë jam rikthyer nuk mendoj të pauzoj. Kam nisur përgatitjet për albumin e ri, i cili do t’i përmbajë më se 10 këngë, ku pesë këngë tashmë i kam të përfunduara dhe pritet që deri kah fundi i vitit albumi të jetë gati për lansim. Në këtë album jam duke bashkëpunuar me Arsim Bunjakun, Hekuran Krasniqin, Valon Bytyqin dhe Chipsin.

Cilësoheni si një këngëtare e zhanrit RnB, keni performuar edhe në zhanre tjera?

Kam provuar disa herë të interpretoj edhe në disa lloje muzikore. Mirëpo, më së shumti më flen në shpirt zhanri i këngës RnB dhe baladat. Por, nuk do të thotë se nuk mund të performoj edhe në zhanre tjera. Kryesisht këngët e mia në raportorin tim janë RnB dhe balada.

Këngës “Ti” ia keni realizuar edhe videoklipin, të cilin thoni se e keni realizuar me mjetet e juaja financiare. Keni dashur të keni ndonjë sponsor, apo nuk keni kërkuar?

Këngën e kam lansuar bashkë me videoklip që e kam përgatitur me produksionin “Maximus” në Prishtinë. Ndërsa sa u përket sponsorëve, nuk kam dashur të kërkoj sepse dihet prapavija e tyre. Një pjesë e madhe e tyre nëse të ndihmojnë për një projekt muzikor, atëherë edhe kërkesat e tyre vijnë menjëherë për afera të ndryshme dhe prandaj nuk dua të jem pjesë e tyre. Deri më tani të gjitha videoklipet i kam financuar me mundësitë e mia dhe nuk mendoj të kem ndonjë sponsor as në të ardhmen.

Si i vlerësoni këngëtarët e brezit tuaj?

Mendoj se dita-ditës skena muzikore po pajiset me shumë këngëtarë, ku secili e ka mënyrën e vet të paraqitjes. Edhe unë si shumë kolegë të mi mundohem të jap maksimumin në mënyrë që të jem e kënaqur me punën dhe me adhuruesit e mi. Kosova ka mjaft këngëtarë të mirë që ia vlen të jenë në skenë deri në fund të jetës së tyre.

Çfarë synoni për të ardhmen?

Fillimisht synoj që kënga e sapolansuar të pëlqehet në publik. Por, shpresoj që edhe tek albumi i cili do të përmbajë këngë mjaft cilësore. Uroj që të kem fat të mëtutjeshëm në karrierën time muzikore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here