I duhet të luajë femrën joshëse, partizanen, komunisten apo bashkëshorten e dikujt.

Çfarë ndodh në paskuintat e “Sketch show” në “Vizion Plus”, kësaj here vjen në rrëfimin e aktores Cubi Metka.

Tregon për eksperiencën e saj si protagoniste humori në një format ndryshe, dhe lojën me djemtë e “The SHBLSH”.
Në show-n e “Sketch” në “Vizion Plus” luan vajzën koketë që realizon të gjitha pjesët e humorit, kur përgjithësisht kërkohet femra joshëse. Ishte ky profili i aktores që t’u kërkua, kishe dilema për ta pranuar?
Në fakt nuk luaj vetëm femrën koketë, por edhe partizanen, komunisten etj. Megjithatë, duke qenë se formati kishte vetëm një femër, natyrisht që duhej edhe një femër tjetër. Kisha dilema për ta pranuar për shkak të profilit që është “Sketch show”, pasi nuk kisha marrë pjesë asnjëherë në një program të tillë. E gjithsesi mendoj se ia arrita me sukses, kjo falë ndihmës së kolegëve aty, pasi janë të gjithë profesionistë në fushën e huumorit.
Nga sekuencat e humorit kemi parë që luan dhe pjesë në shtrat, e veshur me të brendshme, apo duke realizuar skena deri diku intime me Julian Dedën, Gentian Zenelajn, Ermal Mamaqin etj. Këto janë skenat që ju marrin më shumë kohë?
E vërteta është që situatat janë shumë më të thjeshta nga ç’mund të duken në ekran. Nuk do i konsideroja skena intime e as të nxehta, pasi mbi të gjitha jemi të veshur me kanotierë, pantallona të shkurtra, apo me robdeshambërrr (siç thotë Juli). Por gjithsesi, në formatet e sketch-eve këto skena nuk marrin nota të theksuara të romantizmit apo të skenave “hot”, pasi vetë programi është komik dhe nuk del në plan të parë sensualiteti, ashtu siç mund të dalë në një film. Në skech i mëshohet humorit apo komicitetit që krijohet, dhe si rezultat vëmendja fokusohet te situata komike.
Është e vështirë të punosh me Julin, Gentin dhe Ermalin. Janë tipa të vështirë apo komodë në paskuinta?
Jo, përkundrazi. Duhet të theksoj që djemtë kanë qenë shumë komodë dhe komunikues gjatë gjithë xhirimeve, ndërsa për sa i përket paskuintës, mund të them që ajo gati-gati është një sketch më vete, sepse aty krijohen mjaft situata komike, pasi djemtë improvizojnë shumë.
I ke njohur më parë aktorët dhe ju ka ndodhur që gjatë provave të arrini dhe në zënka mes jush?
Sigurisht që i njihja aktorët, përveç Ermalit. Megjithatë, diskutime dhe debate krijohen gjithmonë, kur ndërtohet një punë dhe kjo ndihmon në pozitivitet, për rezultat sa më të mirë. Zënka nuk ka pasur asnjëherë, të paktën me mua jo, ndërsa djemtë tashmë e njohin shumë mirë  njeri-tjetrin dhe s’do arrinin kurrë deri aty mendoj… Se në të kundërt, vetëm thika do t’i ndante (shaka).
Cilat janë komentet që ke marrë për rolet e tua në “Sketch show”, si do ta komentoje këtë eksperiencë televizive?
Kanë filluar të më thërrasin “O Goni..”, për shkak të një skechi me Julin, ku unë këndoja me kitarë. Në fakt kam pasur pak frikë si do më prisnin, megjithatë ia kam “hedhur” shumë mirë. Kam pasur komente pozitive dhe dashamirëse si nga njerëz të thjeshtë, ashtu dhe nga kolegët e mi. Por për mua personalisht ka qenë një eksperiencë shumë e mirë pune, nga e cila kam zbuluar gjëra të reja brenda karakterit tim aktoresk.
Të kemi parë si aktore në shfaqje të guximshme dhe që kanë bërë tendencë si “Let’s have sex”, apo “Hiqe ministrin nga priza”. Ti çfarë roli nuk do merrje përsipër?
Një aktor, ashtu si dhe unë, mund ta refuzojë një rol të tillë, kur regjisori nuk ia justifikon apo mund ta ketë qëllim në vetvete për të bërë show. Por kur një situatë është e justifuar, ajo mund të bëhet shumë lehtë, pa pikë kompleksiteti.
Dihet që aktorët kanë mundësi shumë të vogël në Shqipëri për të bërë profesionin e tyre. Ke pasur fat apo ke ditur të ndjekësh hapat e duhur? Bukuria është privilegj në rastin tënd?
Që të startosh, të duhet pak fat, por duhet të jesh i zoti që më tej të ecësh me hapat e duhur dhe me maturi. Megjithatë, unë jam përpjekur të eci mbi dy gjërat kryesore të ketij profesioni: talentin dhe punën. Talentin ma ka dhuruar Zoti dhe unë përpiqem ta kultivoj, ndërsa sa për punën mund të them që jam natyrë e palodhur, energjike dhe dinamike, aq sa ndonjëherë kur kam shumë punë, harroj të ushqehem dhe prandaj kam ngelur 47 kg. Sa për bukurinë, mendoj se ka shumë femra aktore të bukura, por pak të talentuara, privilegji është aftësia që ke t’i përdorësh të dyja. Në të kundërt, do biesh pre e bukurisë dhe njerëzit thjesht do të të përdorin për këtë gjë dhe kaq.
Gjatë periudhës që je shfaqur në “Sketch show”, ke marrë ndonjë ofertë për ndonjë rol, apo për të qenë imazh?
Në fakt, jam në diskutime për një shfaqje, si dhe për një rol në një film, ndërsa për imazh mendoj se duhet ta ruaj pak imazhin tim tani për tani. Gjithsesi, është ende fillim viti për të rënë dakord për çka më ofrohen.
Cila është jeta jote jashtë aktrimit, bën një jetë plot argëtim, apo preferon që pjesën tjetër jashtë televizionit të jesh e padukshme?
Bëj një jetë më se normale, si të gjithë njerëzit edhe unë. Punoj si regjisore dublimesh në “Albania Production”, jetoj me prindërit,  familjen time të vogël ende s’e kam nisur, dhe natyrisht e rrethuar nga kolegët e miqtë e mi më të mirë.
Kur do të riktheheni sërish në ekran me “Sketch Show’, dhe çfarë të rejash do të ketë në sezonin e ri?
Nuk di të them ende për momentin, pasi producentët aktualisht janë duke menduar për formatin e sezonit të ardhshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here