Nuk është më ai djali që merr drogë, apo i kalon netët e gjata nën shoqërinë e uiskit. Tashmë duket se është pastruar krejtësisht nga zakonet e vjetra dhe të këqija të së shkuarës, që siç thotë, e kanë dëmtuar shumë, por për fat nuk e shkatërruan. Ai është më i qartë në interpretimet e tij dhe ka filluar edhe jogën.

Ka një karrierë të gjatë, por mbi të gjitha është njohur deri pak kohë më parë si seks simbol dhe “djalë i keq”. Së fundi është duke promovuar filmin e tij më të fundit, e ndërkohë që ka mbushur 36 vjeç, i duket sikur ka jetuar shumë e shumë më tepër vite. Ka pasur një jetë të pasur me aventura, me suksese, me dështime dhe me probleme, por në këtë pikë të rrugëtimit e vetmja gjë që i kujtohet dhe për të cilën flet me shumë dashuri janë dy fëmijët e tij.

Djali James, të cilin e solli në jetë me modelen amerikane, Kim Bordenave në vitin 2003, dhe Henry, që ka ardhur në jetë në vitin 2009 me aktoren polake Alicja Bachleda. Ajo interpretoi me të në filmin “Ondine”. Ai është shumë i ndjeshëm kur nis e flet për fëmijët e tij, për “djemtë e dashur”, siç i quan me emocion. Në njëfarë mënyre ka edhe keqardhje, sepse kur James erdhi në jetë, ai nuk ishte babai më i mirë në botë. Madje, ajo ka qenë një ndër periudhat e tij më të këqija dhe më të çmendura, sepse pinte alkool, shkonte në festa gjithë natën dhe drogohej. James erdhi në jetë me një sëmundje të rrallë cerebrale dhe ai nuk iu ndodh pranë në momentet e para dhe kjo ndjenjë faji ende e mundon shumë edhe sot. “Nëse do të më pyesni a më ka ndryshuar të qenët baba, do të thosha se jo. Jo, fillimisht. Vite më pas, kur James mbushi 3 vjeç, nisa që të ndryshoj, dhe kjo falë pikërisht tim biri. Jeta ime tani është shumë më e qetë nga ajo e mëparshmja dhe më vjen mirë. Jam vetvetja më në fund. Unë i dua djemtë e mi. Jam i çmendur pas tyre.”

Colin është dublinas në të gjithë kuptimin e fjalës. Është i ashpër, por edhe i ndjeshëm në ekstrem. Ka atë pamjen e të fortit, por di të bëhet edhe si një kotele e vogël e pambrojtur që kërkon ndihmë. Është një mashkull shumë pasionant, e ndërkohë edhe tradhtari më i madh. Nxehet për vdekje dhe tregon moskokëçarje të rrallë. E megjithatë ka edhe ai një person që është konstant në jetën e tij. E merrni dot me mend: është e ëma. Ajo është një grua vërtet e bukur për moshën që ka, elegante, e qeshur dhe me një shkëlqim të veçantë në sy. Zakonisht nëpër festivale ata shkojnë së bashku dhe Colin është krenar për të ëmën. Ajo është dëshmitare e të gjitha ulje-ngritjeve të jetës së tij dhe gjithashtu gjëja më e qëndrueshme, shkëmbi ku ai është mbështetur dhe ka qëndruar fort në këmbë në ditët më të mira, por edhe në ato më të vështira. Por tani që gjërat kanë ndryshuar dhe ai është më i qetë e më i përqendruar, edhe ajo duket se ka më shumë kohë që të merret me veten. Filmi i tij i fundit është “Total Recall”, një film që është variant i atij të vitit 1990. Është një film që i ka pëlqyer shumë dhe është i lumtur që e ka realizuar me këtë “veten e tij të re” .

Për sa i përket të shkuarës, i vjen keq që shumëkush edhe sot e njeh përmes saj. Dhe për hir të së vërtetës ajo ka qenë një e shkuar gjatë së cilës bëmat e tij u dokumentuan më së miri dhe dashje pa dashje mori nofkën “shkatarraqi”. E që ta heqësh një imazh, sidomos në botën e Hollivudit, është shumë e vështirë. Por Colin nuk i vjen aspak keq. Jeta e një njeriu është me cikle. Secili ka ciklet e tij dhe kohëzgjatjet e veta. “Ciklet shërbejnë për të na rritur, edhe tek ato që kemi prekur fundin me dorë dhe rrezikojmë të zhdukemi fare si qenie”. Ai është i lumtur në njëfarë mënyre që ka provuar disa ekstreme, sepse thotë që e kanë bërë të njohë anë të jetës, të cilat shumëkush nuk i njeh. Ndihet me fat, se ndryshe nga disa që nuk ia kanë dalë mbanë që të shkëputen, ai është larguar nga ai cikël dhe ka ca kohë që ka hyrë në një tjetër periudhë të jetës së tij. Tani i pëlqen që të jetë një baba i mirë, një shok, mik dhe një aktor i talentuar në rolet e tij. E merr jetën shumë më shtruar dhe pa nxitimin me të cilën jetonte më parë, duke të dhënë përshtypjen se ishte në ditën e fundit. Në këtë qetësi e ka ndihmuar shumë edhe joga, të cilës për disa kohë iu dedikua me kohë të plotë, e ka qetësuar edhe të qenët baba dhe sigurisht edhe puna e tij. Filmi “Total Recall” është filmi i parë me buxhet të madh në të cilin interpreton aktori që nga filmi i fundit i tillë i vitit 2006. “Miami Vice”, ishte pikërisht ky film gjatë dhe në fund të së cilit ai kapi fundin dhe më pas shkoi për t’u kuruar në një klinikë dezintoksikimi. Ai moment shënoi edhe fundin e një pjese të karrierës së tij. Më pas luajti vetëm disa filma të vegjël, me buxhet të paktë dhe si pasojë edhe me një shpërndarje dhe me një sukses të kufizuar. Do të duhej kohë që besimi i “të mëdhenjve” të Hollivudit të rikthehej te Farell dhe atij t’i jepej sërish një rol i “sërës së lartë”. Të tillë ai mund të rendisë disa në karrierën e tij, por i pëlqen shumë të përmendë herë pas here si një nga majat e karrierës së tij filmin “Aleksandri”, në të cilin ai kishte rolin kryesor. Një film me një kosto 150 milionë dollarë dhe që ishte në krye të klasifikimeve amerikane për shumë kohë. Nga ai film ai mori plot 35 milionë dollarë, duke fituar një famë absolute dhe një pasuri prej klasi A. Filmat më pas ishin “Casandra’s Dream”, “Pride and Glory”, “Ondine”. Ai shkoi mirë edhe me komedinë e zezë, që në fakt pati sukses, “In Bruges”.Parase të shkonte në klinikën e rehabilitimit, i ishin dhënë shumë oferta të mira, të cilat i la përgjysmë duke prishur kështu edhe disa kontrata fillestare dhe duke i krijuar vetes probleme të mëdha më pas. Por shëndeti ishte në rrezik dhe në këtë rast edhe pala kundërshtare nuk kishte ç’të bënte. Sipas tij, rikthimin në realitet, pas klinikës, ia bëri të mundur edhe filmimi i filmave të vegjël, jo me aktorë të mëdhenj, por shumë profesionistë dhe të aftë, i filmave që ishin larg dritave të skenës, por që jo për këtë rast ishin më pak të mirë. Ishin filma që kishin një staf, i cili i ngjante një familjeje dhe ai u ndie shumë mirë. Këtu filloi pak nga pak, me njerëz të thjeshtë dhe larg presioneve të mëdha dhe shtypëse të Hollivudit, të qetësohej e të gjente kuptimin e gjërave. Aty njohu edhe mamanë e djalit të tij të dytë, aktoren polake. Dhe çka është më e rëndësishme, ai pati kohë që të rrinte më shumë me veten dhe duke dëgjuar zërin e brendshëm të gjente edhe ekuilibrin të cilin e kishte humbur në zhurmën e jetës së natës. Tani nuk shqetësohet se çfarë mund të thonë, apo të kenë thënë njerëzit për të, sepse ai, Colin, nuk është më në qarkullim. Periudha e trazuar që kulmoi në vitin 2005 nisi në fakt në vitin 2000 me filmin “Tigerland”. Ishte një film që i dha një çmim të madh të kritikës kinematografike londineze dhe e bëri të famshëm dhe të “gjuajtur”. Në atë kohë nuk është se nuk e kishte njohur suksesin, duke qenë se kishte në aktrim që në moshën 17-vjeçare, por jo të atyre përmasave dhe me sa duket nuk arriti që ta mbante, apo menaxhonte dot. Këtu filloi rrokopuja, por tashmë janë kohë që i ka lënë pas. Tani madje ai as nuk pi cigare dhe ndodhet më i shëndetshëm se kurrë. Tani planet e tij janë për të punuar shumë dhe projekti i radhës është “Seven Psychopaths” dhe më pas “Dead man Down”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here