Festivali ndërkombëtar i zërave operistikë “Marie Kraja” ka shpallur fituesit. Pas paraqitjes së nëntë finalistëve, juria ka bërë të njohur emrat e tre fituesve.

Çmimi i parë i ka shkuar baritonit italian Alessio Arduini, i cili u paraqit në konkurrim me arien e kontit “Hai gia vinto la causa” nga opera “Le Nozze di Figaros” të Mozartit.

Çmimi i dytë i ka shkuar sopranos nga Turqia Pervin Chakar, e cila erdhi me “Valsin e Zhuljetës” nga opera “Romeo dhe Zhuljeta” e Gounod, ndërsa vendi i tretë i ka shkuar mexosopranos italiane Alessandra Volpe, e cila erdhi para publikut e jurisë me arien e Charlote “Ces letters” nga opera “Werther” e Massenet.

Baritoni i ri Alessio Arduini, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, nuk është diplomuar në ndonjë shkollë muzike, por në Fakultetin e Inxhinierisë. Aktualisht ai është në vitin e fundit të specializimit në këtë degë. Me kanton lirike është afruar në moshën 15-vjeçare dhe që prej 2 vjetësh po e studion në mënyrë intensive kanton teknike.

Kohët e fundit ka fituar një bursë studimi nga fondacioni “Lina Aimaro Bertasi” dhe prej pak kohësh ka nisur të debutojë si protagonist në produksionin e “Don Zhuanit” të Mozartit, i vënë në skenë në Teatrin Social të Komos. Gjithashtu ka marrë pjesë dhe në Festivalin e Komos me rolin e Don Zhuanit. Është fitues i Çmimit të Parë në Edicionin e Parë të Konkursit Ndërkombëtar “Salice d’Oro”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here