Claudia SchifferNë një epokë kur përpunimet kompjuterike janë pjesë e fotografive që shfaqen në revista të ndryshme të modës në të gjithë botën, duke tjetërsuar realitete dhe portretet njerëzore të vajzave të zakonshme e duke i shndërruar në portrete perëndeshash, nuk pretendohet më që modelet e famshme të jenë si fotot e tyre në revista.

Por me njërën prej tyre duket sikur kompjuteri nuk ka pasur shumë punë. Ajo është Klaudia Shifer, që në realitet është po aq e gjatë, po aq bionde, lëkurëbardhë e mollëzkërcyer sa edhe në fotografi.

Ajo ndodhet në Milano së bashku me dy ish-koleget e saj të pasarelave, edhe ato jashtëzakonisht të famshme si Naomi Kampell dhe Eva Herzigova.

Në kryeqytetin botëror të modës janë mbledhur për të bërë reklamën e disa parfumeve të reja së bashku me 3 partnerë meshkuj, por ata janë shumë të rinj në krahasim me modelet e famshme e me përvojë.

Bëhet fjalë për disa aroma unisex. Secili prej 6 personazheve do të promovojë një aromë të caktuar që ka edhe një emër të caktuar. Klaudia është “La Lune”, një aromë e freskët lulesh pranverore. “Është një aromë sensuale, e lehtë, misterioze e karizmatike në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha shumë qetësuese”, shpjegon Shifer.

“Është një aromë që më përshtatet shumë, sepse unë jam një person shumë i balancuar. Jam e qetë në pjesën më të madhe të kohës”, thotë shifer. Në fakt, prania e saj rrezaton shumë qetësi, qetësinë e një 39-vjeçareje që vazhdon të jetë shumë e bukur, por edhe shumë me këmbë në tokë. Ndërsa flet bën gjeste delikate dhe të natyrshme me duar. Qetësia jo rrallë merret për seriozitet.

Shifer i ka të dyja dhe e di se në fakt këto cilësi kanë qenë bekimi i saj. Kur ajo nisi karrierën si modele në një botë shumë të rrezikshme për vajzat e reja dhe të bukura pikërisht serioziteti e ka shpëtuar nga shumë kurthe dhe situata që mund të kishin çuar pa frikë ose në botën e drogës, ose në atë të prostitucionit.

Klaudia pati një karrierë shumë të suksesshme që në hapat e parë, ndoshta për shkak të pamjes së saj që kishte ngjashmëri me divën franceze, Brixhit Bardo. Një pamje e tillë mund ta kishte marrë në qafë gjermanen, por ajo përveçse si e bukur shquhet edhe si një ndër modelet e vetme që nuk u bë pjesë e botës së drogës, depresionit, shpërthimeve të agresivitetit, gjyqeve, apo lidhjeve dashurore të shumta.

Këto janë karakteristika që kanë qenë dhe janë pjesë e botës së supermodeleve. Shifer nuk ka pasur ndonjë skandal të madh në lidhjet e saj, përveç lidhjes së gjatë dhe të rregullt me David Koperfild, iluzionistin dhe prestigjatorin e famshëm.

Bëhet fjalë për një lidhje në vitet ‘90 që shumëkujt iu duk mjaft e çuditshme dhe kishte madje nga ata që pretendonin se modelja ishte pre e një magjie nga ana e Koperfild dhe jo e një dashurie të vërtetë. Klaudia është edhe kundër ilaçeve sikundër edhe bashkëshorti i saj londinez, që është edhe një producent i njohur filmash me të cilin u lidh përmes disa miqve të saj në vitin 2001. “Shumë njerëz thonë se jam më serioze se ç‘duhet, por unë nuk mendoj se jam e tillë deri në tepri.

Ata mendojnë edhe se jam një tip i rezervuar, ndoshta sepse ekziston paragjykimi që gjermanët janë të ftohtë, kur në të vërtetë ata nuk janë të tillë. Mënyra se si funksionojnë gjermanët është kjo që ata janë pak të ngadaltë në nxehje, por kur nxehen, pra kur të njohin mirë të bëhen shokë me kokë dhe të qëndrojnë besnikë gjatë tërë jetës”, thotë modelja.

Kur ajo filloi karrierën e modelingut, pasi u vu re në një klub nate në Dusendorf kur ishte vetëm 17 vjeçe ajo ishte një vajzë shumë e ndrojtur dhe do të skuqej qoftë edhe sikur dikush ta shihte drejt e në sy e t‘i thoshte se ishte shumë e bukur.

“Dikur një gazetar në revistën “Vogue” më quajti “vajza me mbathje leshi”, që ishte si simbol i një vajze nga një qytet i vogël, pak a shumë një Haidi nga malet. Ky portretizim erdhi sepse unë isha e ndrojtur dhe nuk vija në punë e veshur seksi si modelet e tjera, por në një mënyrë shumë korrekte, që nuk kishte të bënte shumë me botën e modës.

“Këto thënie dhe paragjykime që të tjerët kishin fillimisht ndaj meje nuk më mërzisnin e nuk më bënin aspak përshtypje, sepse mua më pëlqente që lija një mbresë të tillë te të tjerët. Më pëlqente më shumë thënia e gazetarit, sesa një tjetër e tipit “ajo është një kuçkë skandaloze”. Një pjesë e madhe e modeleve, që në moshë shumë të re për shkak të faktit se kanë të bëjnë vazhdimisht me publikun dhe pasarelat rrezatojnë një vetëbesim të tepruar, e kundërta ndodhte me Klaudian e ndrojtur.

“Në fakt, ka diçka që vetëm pakkush e di. Unë jam e ndrojtur në jetë, por kur vinte puna te pasarelat apo te fotot isha tjetër njeri. Aty mundohesha të ndieja sipas porosisë së fotografit dhe shndërrohesha në një vajzë krejt tjetër. Unë hiqja veshjet me një sensualitet shumë të madh dhe pozat e mia seksi janë vërtet shumë joshëse e nuk janë aspak ato të një vajze të turpshme”.

Sekreti i jetëgjatësisë së Klaudias është se ajo ka ditur gjithmonë të veçojë punën nga jeta private. Nuk i ka bërë kurrë këto të dyja bashkë dhe nuk i ka lejuar kurrë gazetarët që të fusnin hundët në të fshehtat e saj, në muret e shtëpisë apo në marrëdhëniet e saj intime. Kur ata e kalonin këtë cak nuk ua përtonte edhe t‘i hidhte në gjyq dhe të dilte fitimtare nga betejat gjyqësore dhe me një dorë të mirë parash.

Pas tërheqjes nga jeta e modës, ajo i është kushtuar asaj private, pra familjes dhe nuk takohet shumë shpesh me shoqet apo personat me të cilët ka punuar dikur me disa përjashtime ndër të cilat bën pjesë edhe çekja Eva Herzigova, e cila gjithashtu jeton në Londër. Për sa i përket jetës profesionale në pikun e saj ajo ishte modelja më e paguar në botë dhe modelja fytyra e së cilës ka dalë më shumë nëpër kopertinat e revistave se çdo fytyrë tjetër.

Fushatën e saj të parë të madhe ajo e nisin një vit pasi e kishin vënë re, pra vetëm 18 vjeçe dhe bëhet fjalë për xhinset e markës “Guess”. Karl Lagerfeld e bëri muzën e tij dhe e nxiti që të dilte edhe në sfilatën e “Chanel” në vitin 1990. Ndërsa 2 vjet më vonë ajo nënshkroi një kontratë 10 milionë dollarëshe me Revlon. Në të njëjtin vit doli në kopertinën e “Vogue” së bashku me shumë supermodele të tjera, por ato ishin në sfond, ndërsa ajo në qendër.

Epoka e supermodeleve ishte në shpërthim të plotë dhe ato konsideroheshin si yje të muzikës rok. “Vitet ‘90 kanë qenë vite të çmendura. Mbaj mend që sapo mbarova një sfilatë të “Chanel” dhe nuk mundesha as të ndërrohesha nga turma e madhe e njerëzve që kishin ardhur pas skene për të folur, për të më parë, për të më prekur dhe për të marrë nga unë ndonjë autograf. Fansat dhe shtypi ishin të tërbuar, madje shpesh edhe të frikshëm.

Nuk mund të largohesha nga sfilatat pa pasur me vete truprojat që të më mbronin. Sot situata është shumë më e qetë, është normale”, rrëfen Klaudia. Por ndryshe nga shumë të tjera, vajza e një avokati që do të kishte vazhduar rrugën e të atit dhe krejt rastësisht i hyri rrugës së modës, pati një kohë më të qetë dhe më normale se shumë shoqe të saj të botës së modelingut.

“Pikërisht ndrojtja ime më ka mbrojtur shumë në një kohë kur mund të kisha përfunduar shumë keq, kjo është arsyeja që përvoja ime në botën e modës është një përvojë pozitive, sepse asnjëherë nuk e lejova veten që të isha në radhën e atyre vajzave që u ofroheshin dhe pranonin të drogoheshin, apo të shkonin në festa pasanikësh që përfundonin nëpër orgji”.

Pasi la intensivitetin e botës së pasarelave, Shifer aktualisht merret vetëm me reklamat publicitare. Që prej disa kohësh është “muza” e Lagerfeldit dhe ka marrë pjesë edhe në një fushatë të Ferragamos. Një sezon më parë ishte fytyra zyrtare e YSL dhe ka marrë përsipër edhe reklamimin e parfumit të fundit të Alberta Ferretit. Ndërkaq, u martua me Matthew Vaugn në vitin 2002 dhe bëri një dasmë shumë të madhe e luksoze.

Tani çifti ka dy fëmijë një djalë dhe një vajzë. Shifer ka punuar për 20 vjet si supermodele dhe thotë se aktualisht për një vajzë është shumë e vështirë që të bëhet e tillë, sepse industria e modelingut ka ndryshuar shumë “Konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe e pamëshirshme dhe pastaj ka një dyndje nga vendet e Europës Lindore që kanë vajza të mrekullueshme.

Pastaj për të dalë në kopertinat e revistave supermodelet duhet të konkurrojnë me aktoret dhe yjet e “Big Brother”. Çfarë këshille ka ajo për vajzat që duan të ndjekin qendrën e supermodeles: “Për të bërë një ëndërr realitet nuk duhet që patjetër të jesh një vajzë që rend pas festave e ftesave të dyshimta. Puna është kryesorja dhe nëse ajo do të zëvendësohet me qejfin fundi është i afërt”.

Tashmë që Shifer po u afrohet të 40-tave a e ka problem që po plaket në një industri që bazohet në rininë dhe bukurinë femërore? “Jo, nuk e kam problem. Pikësëpari, sepse falë Zotit jam ende në formë, pastaj me kalimin e kohës mund të bëja edhe ndonjë ndërhyrje të vogël. Unë personalisht jam kundër ndërhyrjeve drastike në fytyrë dhe në rup, ndërsa diçka të vogël do ta bëja patjetër. Kjo është e vërtetë”.

Kjo zonjë gjermane me banim në Londër e me një jetë prej princeshe pasarelash vazhdon të jetë një krijesë mes një Haidi malësore dhe një Brixhit Bardoje sensuale. Eshtë e bindur se pikërisht ky dualitet do të vazhdojë që ta mbajë ende në lojën e modelingut dhe të reklamave edhe për shumë kohë./gazeta shqip/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here