Muajt e parë të vitit 2012, sidomos ato të verës, kanë qenë shumë të suksesshëm për shumë këngëtare shqiptare. E para, për të cilën është folur vazhdimisht dhe që numëron mbi 40 milionë klikime në Youtube, është shqiptaro-britanikja Rita Ora.

Pas saj këngëtare të tjera shqiptare si Dafina Zeqiri, Tuna Sejdiu, Adelina Ismajli kanë arritur të kenë me miliona klikime vetëm në tregun shqipfolës Shqipëri, Kosovë e Diasporë.

Klikimet në Youtube, siç raporton mapo, përkthehen edhe në shuma të mëdha parash të përfituara. Disa janë mirë menaxhuar në këtë aspekt e disa jo, siç është rasti i Dafina Zeqirit, së cilës shpesh i janë hequr videot nga ky kanal për shkak të problemeve personale.

Rita Ora

Është këngëtarja më e përfolur jo vetëm në trojet shqiptare, po sidomos në mediat britanike e ato amerikane. Ka arritur të bëjë shumë këngë, shumë bashkëpunime me këngëtarë dhe reperë të njohur ndërkombëtarë. Në shtator ajo lansoi edhe albumin e saj “Ora” dhe shumë shpejt pritet që ajo të lansojë edhe klipin e xhiruar në Kosovë. Rita qëndron në majë të listës së shqiptareve me më shumë klikime, pasi këngët e saj tashmë janë bërë hite ndërkombëtare. Jeta e saj private është vënë shpesh në qendër të shtypit rozë. Nuk dihet ende nëse vërtet ajo është në lidhje me Rob Kardashian, apo gjithçka ka qenë një sajesë marketingu.

Dafina Zeqiri

Është këngëtarja më e talentuar aktualisht në tregun shqiptar. Dafina Zeqiri di përherë të vijë ndryshe dhe me stil muzikor tepër bashkëkohor. Kënga e saj e fundit “Tonight” vetëm javët e para të publikimit arriti të thyente çdo rekord klikimesh në Youtube me mbi 1 milion, por Dafina nuk ia pa frytet. Për shkak të xhelozive dhe mosmenaxhimit të mirë, kënga e saj u hoq nga ky kanal, duke i shkaktuar asaj jo pak dëme. Dafina gjithmonë është ankuar se asaj i vidhen lekët në Youtube dhe për këtë fajin duket se e ka më shumë ajo, për shkak të zgjedhjeve të gabuara. Këngëtarja është përfolur shumë edhe për lidhjen me Ledri Vulën, me të cilin së fundmi është ndarë. Kusuret në sferën personale duket se nuk kanë të sosur për këngëtaren e suksesshme. Së fundmi thuhet se ajo është parë në gjendje të keqe shpirtërore dhe nën efektin e substancave narkotike.

Tuna

Tuna pak kohë më parë u shpall si mbretëresha e Youtube nga artistet shqiptare, pasi ua kaloi të gjithave sa u përket klikimeve. Sipas sondazheve të fundit kënga “I asaj” ka kaluar hite si “Mamica” e Klajd Harunit apo “Ku ma ke” të Adelina Ismajlit. Aktualisht ajo ka mbi 3 milionë klikime në këtë kanal muzikor. Madje ajo ka lënë pas edhe këngën e Dafina Zeqirit me Ledri Vulën, “Tonight”. Është folur se Tuna këtë këngë ia ka përkushtuar ish-bashkëshortit e saj, Rilind Rekas me të cilin është ndarë vitin që shkoi, por këngëtarja nuk e ka pranuar këtë gjë. Gjithsesi, ajo mbetet një nga këngëtaret më të suksesshme shqiptare, e cila me risitë dhe “çmenduritë” e saj ka bërë për vete mijëra fansa.

Adelina Ismaili

Pas bashkëpunimit të saj ndërkombëtar me francezin Faudel, njëra prej këngëtareve që ka qëndruar më gjatë në skenën pop të muzikës, Adelina Ismajli, sivjet pati edhe një këngë për tregun shqiptar. Kënga “Ku ma ke” u bë hit shumë shpejt, shto këtu edhe zgjedhjen e zgjuar të Adelinës për të pasur në klip aktorin e njohur Julian Deda. Veç karrierës, e cila ecën me ritmet që Adelina ka pritur, ajo më në fund ka gjetur edhe dashurinë e jetës së saj. Madje, vetë këngëtarja ka thënë që deri në fund të vitit do të ketë një surprizë dhe kur e thotë Adelina atëherë duhet të qëndrojmë gjithë sy e veshë. Edhe Adelina është një nga këngëtaret që ka marrë mbi 2 milionë klikime në Youtube, duke e renditur atë në top-këngëtaret më të pëlqyera.

Genta Ismajli

Genta Ismajli këtë vit duket se nuk ka mundur të kapë dot majat me këngën e saj “Ole Ole”. Në Youtube, Genta nuk ka kaluar as një milion shikime, edhe pse kënga pritej të kthehej në një hit. Pavarësisht kësaj, Genta mbetet një nga artistet më të kërkuara për koncerte kudo në trojet shqiptare. Aktualisht ajo nuk ka lançuar ndonjë projekt të ri, por ka marrë një periudhë pushimi pas një vere të ngarkuar me koncerte.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here