Aktorë të Hollivudit, fotografë, modele e stilistë me famë botërore e arkitektë të njohur kanë mbërritur në kryeqendrën e shqiptarëve për të ndarë me ne në këtë 100-vjetor të Pavarësisë suksesin, famën dhe talentin e tyre.

Java e parë e tetorit e ka gjetur Tiranën të shndërruar në qytetin e artit, modës, arkitekturës dhe urbanistikës.

Si asnjëherë më parë, me iniciativën e Bashkisë së Tiranës, në sheshin “Skënderbej” janë mbledhur së bashku emra të njohur të botës së artit, si: Eliza Dushku, Blerim Destani, Fadil Berisha, Lu Sierra, Marigona Dragusha, Anxhela Martini, Ema Savah, Krenare Rugova, Feyzie Camer etj.

Për t’i dhënë kryeqytetit më të bukurën në art, arkitekturë dhe urbanistikë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha së bashku me aktoren Eliza Dushku, fotografin Fadil Berisha, modelen Lu Sierra, Ema Savah dhe me përfaqësues të studios “Grimshaw”, të cilët janë në kryeqytet për të sjellë detajet e para të projektit të bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës, kanë parë nga afër punimet e bëra nga arkitektë vendas dhe të huaj për terminalin e ri të pasagjerëve. “Sot, në këtë pjesë të sheshit ‘Skënderbej’ ndërthuret arti, arkitektura, kinematografia, pra shpirti i së bukurës, i cili simbolizon më së miri kryeqytetin e shqiptarëve. Nga njëra anë kemi ekspozitën e mbi 40 punimeve të Universitetit ‘Polis’ dhe partnerëve të tij ndërkombëtarë, për terminalin e ri të pasagjerëve, terminal i cili do të nisë të ndërtohet brenda një kohe të shkurtër, në partneritet me korporatat më të mëdha europiane dhe BERZH, dhe do i hapë rrugë projektit tonë madhor, bulevardit të ri të Tiranës dhe atij të tramit. Së bashku me ne kemi dhe përfaqësuesin e ‘Grimshaw’, i cili sot dhe dje ka prezantuar para Bashkisë së Tiranës konceptet për profilin e bulevardit dhe për aspekte të tjera të këtij projekti madhështor. Shpresojmë që ashtu siç kemi rënë dakord, brenda fundit të vitit ne të demonstrojmë para qytetarëve se si do të duket ky bulevard dhe të bëjmë përgatitjet për të nisur punën në muajt e parë të vitit që vjen”, – u shpreh kreu i Bashkisë.

“Tirana Art Days”

Ditën e djeshme, Bashkia e Tiranës ka çelur edhe 24 aktivitetet e “Tirana Art Days”. Të pasionuarit pas fotografisë, pikturës, skulpturës, arkitekturës, muzikës, historisë, kinematografisë, do të gjejnë atë që duan në 24 aktivitetet që do të zhvillohen deri në datën 6 tetor në kryeqytet. “Është rikthyer në Tiranë ambasadorja jonë e shkëlqyer në botë, Eliza Dushku, së bashku me Fadil Berishën dhe grupin tjetër të yjeve që morën pjesë në xhirimin e dokumentarit ‘Shqipëri e dashur’, i cili do të shfaqet në kinematë e qytetit tonë, duke filluar nga premiera e ditës së premte. Të shtunën, bukuritë e botës nëpërmjet lentes së Fadil Berishës do të ekspozohen në hollin e Pallatit të Kongreseve, si një parathënie për sfilatën e bukurosheve shqiptare nga Anxhela Martini, Marigona Dragusha, Ema Savah, por edhe stilistëve shqiptarë, pavarësisht nëse punën e tyre e bëjnë këtu në Tiranë, në New York, Kaliforni apo Stamboll. Pra, është një koktej arti, arkitekture, urbanistike dhe yjesh. Shpresoj që jo vetëm ekspertët, por edhe qytetarët e Tiranës ta shijojnë sa më mirë këtë 3-ditësh, i cili pa dyshim është parathënia e një tradite që Bashkia do të ndërtojë edhe në vitet e ardhshme, një festë për shqisat, një kurim dhe frymëzim për shpirtin e qytetit dhe qytetarëve të tij”, – theksoi Basha.

Aktorja Eliza Dushku e ka konsideruar dokumentarin e realizuar prej saj, “Dear Albania”, si letër dashurie drejtuar Shqipërisë.

“Jam shumë e kënaqur që jam këtu. Në fakt nuk mund të mos bie dakord me gjithçka që kryetari i Bashkisë, Basha tha. Jemi këtu, për të festuar këto ditë arti të cilat janë të shkëlqyera. Unë jam Eliza Dushku, jam aktore ndërkohë që jam një qytetare mjaft e re shqiptare, vetëm vitin e kaluar unë kam marrë nënshtetësinë. Do të doja t’ju thosha se kjo është një përvojë mjaft e re. Unë kam ardhur këtu së bashku me familjen time, së bashku me fotografin e nderuar Fadil Berisha, në mënyrë që ne të festojmë dhe në fakt ky është një festim. Jemi shumë të kënaqur të shohim këtë lloj ndërthurje të artit, arkitekturës dhe të festës që ne bëjmë këtu. Në fakt, jemi këtu për të festuar Tiranën dhe jam këtu gjithashtu për të treguar premierën e dokumentarit tonë, “E dashur Shqipëri”, letra ime e dashurisë për këtë vend. Është shumë kënaqësi të them se kemi marrë mbështetje edhe nga vende të ndryshme të rajonit, Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera, të cilat do ta shfaqin këtë premierë në të gjithë kinematë e tyre, ndaj do të doja t’ju thosha se për mua është vërtet një emocion i jashtëzakonshëm dhe jam jashtëzakonisht e kënaqur që gjendem këtu dhe të festojmë së bashku”, – u shpreh aktorja. Aktivitetet e “Tirana Art Days” do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së sotme dhe asaj të nesërme. Ato do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët që duan të shijojnë ditët e artit në kryeqytet.

Kalendari i aktiviteteve “Tirana Art Days”

E PREMTE, 5 TETOR 2012

11:00 Koncert Alternative Rock nga Akademia e Hollivudit

Parku Rinia (hyrja e lirë)

17:00 Promovimi i librit “Tirana Contemporaneita Sospesa” nga Andrea Bulleri

dhe ekspozita e Arkitekturës Bashkëkohore / TAW

Qendra TEN (hyrja e lirë)

Gjithë ditën Ekspozita “100 vjet Pavarësi” nga Qendra e Studimeve Albanologjike

F.A.P Galeria

18:00 Dokumentari “Dear Albania” nga Eliza Dushku

Kinema Milenium

19:00 Filmi “Sympathy for the Devil” nga Jean-Luc Godard

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”

19:00 Komedia “Ëndrra në Papafingo ”

Teatri i Metropolit (hyrja e lirë)

19:30 Trilogjia “Henri VI” nga W. Shekspir

Teatri Kombëtar (hyrja e lirë)

E SHTUNË, 6 TETOR 2012

9:30 “Universitetet Italiane në Tiranë për Ju”, nga Instituti Italian i Kulturës

Muzeu Kombëtar

10:30 Teatri për fëmijë “Pema e Çokollatave”

Teatri i Metropolit

11:00 “Play the city”: Kur fëmijët vendosin për qytetin / TAW

Qendra TEN

11:00 Performancë e harqeve dhe frymorëve nga Liceu Artistik “Jordan Misja”

Sheshi “3 Vëllezërit Frashëri”

13:00 Filmi “Latcho Drom” nga Tony Gatlif

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”

18:00 Ekspozita e piktorit Dan Gashi

Muzeu Historik Kombëtar / Salla e kuqe

18:00-23:00 Tirana Rocks: koncert me grupe të huaja dhe shqiptare

Rr. “Murat Toptani”

18:00 Ekspozitë fotografike nga Fadil Berisha

Pallati i Kongreseve

19:00 Sfilatë me stilistë me origjinë shqiptare, Fevziye Çamer, Mirela Nurçe, Krenare Rugova, Ema Savahl

Pallati i Kongreseve

GAZETA MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here