Kujtimet e bukura dhe ato të hidhurat. Dy kukullat e fëmijërisë që ruan me fanatizëm. Ditari me simbole i adoleshencës.

Ritet e një dite të zakonshme, brenda dhe jashtë shtëpisë… ku ligjet i vendos tashmë vetëm i vogli, Martini.

Cili është mëngjesi yt i rutinë?

S’bëj as më pak e as më shume se ç’bëjnë të gjithë sapo hapin sytë.

Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?

Zgjimi ideal do të ishte ai që të vjen natyrshëm, pa zhurma punëtorësh që punojnë te komshiu përballë, për shembull.

Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?

Kafja pranë shtëpisë mbetet vendi më i dashur tani në sezonin e verës. Sa i përket periudhës tjetër, e pi nxitimthi në ambientet e punës.

Me kë dëshiron të jesh në këtë gjerbje kafeje, mëngjesi?

Zakonisht e pi me familjen ose me shoqet e mia më të ngushta, të cilat fatmirësisht i kam edhe komshije.

A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?

Përderisa jam aty prej vitesh domethënë që përfitoj edhe kënaqësi, e jo vetëm të ardhurat.

A u devijon shpesh detyrimeve apo afateve ditore që ke?

Asnjëherë, madje i urrej njerëzit që u bëjnë bisht detyrimeve që marrin përsipër të bëjnë dhe nuk i realizojnë për arsye, jo madhore, në fund.

Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur në kësi rastesh?

Gënjeshtrat e bardha i përdor shumë herë, por jo në të tilla raste. Tani s’po them asnjë, se i kam akoma në përdorim J.

A je dembele? Nëse po, kur të ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?

Jam dembele tani në verë më tepër, pasi vapa sikur më plogështon e më zbeh dëshirën për t’u marrë me punë shtëpie.

Ku të zë dreka zakonisht?

Pjesën më të madhe më zë në shtëpi, duke gatuar ndonjë pjatë të preferuar.

Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën tënde?

Në rastet kur nuk kam kohë të gatuaj dhe jam e uritur, porosis te një restorant pranë shtëpisë, i cili gatuan gjellë shtëpie shumë të mira.

A fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?

Nuk është se dal me persona të ndryshëm për drekë, gjë që e kushtëzon numrin e daljeve dhe jo vetëm. Miqtë e paktë me të cilët dal e dinë se, nëse takimi lihet mbas orës 12, unë do të ha patjetër, jam apo jo e ftuar.

A je kursimtare?

Aq sa duhet, mendoj, por asnjëherë nuk i privoj vetes time diçka që më duhet për momentin, për hir të së nesërmes. Këtu s’po flas për dëshira vanitoze. Unë jam ajo që dua vezën sot, se mbase pulën s’do e shijoj dot mot J.

A ke në rit gjumin, apo pushimin e drekës?

Jooo, e kam shumë bezdi gjumin e drekës, më trash komplet dhe nuk e marr më veten deri në darkë pastaj, po ndodhi.

Kur ke qenë e vogël a ta kanë diktuar prindërit, pushimin e detyruar të drekës? A bëje rrenga për t’i shpëtuar?

S’e mbaj mend orën e saktë që duhet të flija në drekë, por edhe unë si gjithë fëmijët e rritur nga gjyshërit, mbasi më lexonin përrallën “Lepurushat Higjenushat”, duhet të bëja me patjetër dy orë gjumë. Rrengu i vetëm që mund të bëja kur më kontrollonin ishte të mbaja sytë mbyllur pa i lëvizur, për disa çaste, si edhe të merrja frymë thellë, gjatë edhe qetë.

Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?

Kam ende dy kukulla që i ruaj me fanatizëm dhe nuk i fal, sepse për asnjë s’do kishin domethënien që kanë ende për mua.

Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?

Në përgjithësi unë jam tip që jetoj ende me të shkuarën, me kujtime, që, sado të mira apo të këqija të jenë, unë zgjedh të mos i harroj. Asgjë që ka lënë gjurmë tek unë nuk meriton të harrohet edhe pse mbase bëj gabim që sot eci para me kokën më shumë të kthyer mbrapa. Nuk do mund të veçoja dot një periudhë nga tjetra si më të bukurën, pasi kam vërtet shumë të tilla në faza të ndryshme të jetës time.

Po kujtimet e hidhura?

Fatmirësisht edhe ato janë të shpërndara ndër vite.

Ç’ndodh me sekretet e tua? A i rrëfen diku, i shkruan diku, i mban vetëm për vete…? A ke mbajtur ditar?

Mbaj mend që në adoleshencë kam pasur dëshirë që të mbaja ditar por s’më pëlqente fakti që ai kishte çelës, pasi më dukej sikur do të ngjallte dyshime te prindërit J. Prandaj shpika një alfabet simbolesh timin, që domethënë çdo simbol përkthehej me një germë. E bëra aq të komplikuar situatën, sa për të rilexuar një faqe, më duhej një ditë e plotë deri në momentin që hoqa dore J. Sot jam e parimit që sekreti nuk është më i tillë nëse ndahet me dikë, prandaj i mbaj për vete më mirë.

Çfarë ka në portofolin tënd?

Ka në fillim të muajit J.

Në mëngjes a e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?

Prej kohësh më dalin përpara vetëm rroba që s’më duhen dhe që nuk i hedh sepse mendoj që do i vesh një ditë. Ato që kërkoj më duket sikur kanë këmbë e më fshihen gjithmonë nëpër dollap.

Cila është ngjyra që mbizotëron në shtëpinë tënde?

Në shtëpi mbizotëron e bardha, e cila pranon çdo lloj ngjyre tjetër mbi të.

A ekziston një aromë të cilën ti e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makine?

Më pëlqejnë aromat e ëmbla e jo të forta për përdorim vetjak, ndërsa në shtëpi dhe makinë nuk dua asnjë lloj arome.

Çfarë CD ke në makinë?

Kam pafund CD të gërvishtura që duhen hedhur një ditë. Është TAR ajo që më shoqëron pastaj në makinë.

Çfarë muzike ke si zile telefoni?

Zile normale, më pak e shëmtuara për mua, nga variantet që më jep Blackberry.

A ke miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?

Kam miq të vjetër të cilët jetojnë jashtë vendit, me të cilët takohemi sa herë ata vijnë në Tiranë.

A je e hapur për miqësi të reja apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?

Nuk jam fare e hapur për miqësi të reja në ditët e sotme, kur njerëzit i shohin ata që kanë përballë vetëm sipas interesave vetjake. Duhet vërtet shumë kohë për të më hyrë dikush në zemër dhe vetëm një gabim i tyre dashakeq, për të dalë jashtë saj, edhe pse mund të vazhdojnë të jenë ende pjesë e jetës sime.

Ku rri zakonisht me miqtë?

Frekuentojmë zakonisht ambiente të qeta, pa shumë zhurmë.

Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi? Pra, kur mbaron zakonisht dita jote?

Mbaron vetëm atëherë kur fle Martini.

Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde?

Prej më shume se një viti tashmë mbrëmjet m’i bën Martini. Jam komplet në dispozicion të tij.

Po idealja, cila do të ishte?

Kjo që kam, nuk do doja asgjë më shumë.

Kur shkon për të fjetur?

Zakonisht në orën 23:00.

Cila është uniforma jote e gjumit?

Pantallona të shkurtra dhe kanotiere.

Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?

Vazhdoj ende të jem e martuar J. MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here