Të gjithë e njohin Bujar Kapexhiun si artist, ama pakkush ka informacion për jetën e tij private, kjo sepse ai s’ka dashur asnjëherë të fl asë shumë rreth saj.

Megjithatë ftesës sonë për një intervistë të gjatë mbi jetën dhe karrierën, nuk i tha dot jo. U takuam me të në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, pasi një dite të gjatë pune për të në këtë sezon provimesh.

Ndërsa përshëndetemi në kafeterinë e Universitetit, si pasojë e zhurmave të studentëve dhe muzikës në sfond, vendosim që intervistën ta realizojmë në zyrën e tij, e cila ndodhet në katin e tretë të godinës. Zyra është dekoruar bukur. Çdo faqe muri mban në të karikatura të realizuara mjeshtërisht nga zoti Kapexhiu.

Ka mbi mur edhe disa piktura të veçanta. Në tavolinën e punës qëndrojnë periodiket informative dhe disa teza provimi. Më tutje, në një tjetër tavolinë, janë të renditur disa kompjutera. Biseda nis natyrshëm dhe vazhdon po njësoj. Bujar Kapexhiu rrëfen plot pasion për secilën fazë të jetës së tij, edhe për ato kur i është dashur të përballet me sistemin e egër socialist, si pasojë e ideve, që në atë kohë shiheshin si shumë europiane.

Zoti Kapexhiu si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
Fëmijëria ime ka qenë si për të gjithë fëmijët e viteve të para pas çlirimit, d.m.th pas vitit ‘44. Unë kam lindur në mars ’44-ës dhe e ditën e lindjes e kam një ditë shumë të shënuar, më 22 mars. Si të gjithë fëmijët edhe unë kam jetuar me problemet e asaj kohe, me varfërinë me lirinë e fituar më në fund, me të gjitha dëshirat dhe ëndrrat e kufizuara. Me lodrat e vakëta, por gjithsesi mund të them që ka qenë një fëmijëri e mbushur me shumë ngjarje për t’u gëzuar.
Çfarë nxënësi keni qenë në shkollë?
Në shkollë kam qenë nxënës shumë i mirë, kam qenë gjithmonë i dalluar në tabelën e nderit. Gjithmonë merrja fleta lavdërimi në mbyllje të vitit. Pasionet e mia që në fëmijëri kanë qenë vizatimi dhe teatri. Aq shumë e doja teatrin, sa në lagje, bashkë me fëmijët e tjerë organizonim teatrin e fëmijëve. Kishim një xhami aty pranë, afër së cilës kishte dy ullinj dhe mes dy trungjeve lidhnim një perde të madhe dhe krijonim skenën. Në sheshin e xhamisë pastaj, ne fëmijët ndërtonim shfaqjet teatrore, në të cilat kishim si spektatorë fëmijë të lagjeve të tjera, prindër e gjyshër. Ishim shumë të suksesshëm. Ndërkohë gjatë fëmijërisë unë kam pasur një dashuri të madhe edhe për vizatimin. Pikturoja shumë, nëpër mure, në dysheme, në dorë, në fytyrën time dhe të shokëve, madje kam marrë pjesë edhe në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare për fëmijët. Kështu kaloi fëmijëria ime, e mbushur me pasione e lojëra fëmijësh.

Dhe më pas erdhi gjimnazi…
Përpara se të kalojmë tek gjimnazi, dëshiroj të theksoj që në fëmijëri kam pasur një pasion shumë të madh edhe për recitimin. Mbaj mend që kur vinin mysafirë në familjen time, kënaqësia ime më e madhe ishte të recitoja vjersha. Sa herë që kishim vizita unë menjëherë ktheja vështrimin nga prindërit dhe i thoja: a të filloj? Me të më dhënë ata shenjën, unë filloja të recitoja. Më hipnin mbi një karrige dhe unë aq doja, filloja interpretoja plot zell.

Këto pasione të fëmijërisë i kam vazhduar edhe në shkollë të mesme. Vetëm se gjatë saj u shtua edhe sport. Në shkollën e mesme kam luajtur me skuadrën e Dinamos, kam qenë në basketboll dhe në gjimnastikë. Fizkultura më pëlqente, po aq sa këto të tjerat. Në gjimnaz jam marrë shumë edhe me karikaturën, sidomos gjatë vitit të tretë dhe të katërt. Unë kam mbaruar gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe në shkollë ne kishim një gazetë të madhe, që e quanim gazetë muri, në të cilën vendoseshin artikuj të ndryshëm për problemet e shkollës. Aty, unë përveç artikujve që shkruaja, fillova t’i ilustroj edhe me vizatime. Këtu kam filluar për herë të parë karikaturën, njëkohësisht vazhdoja ushtrohesha edhe me teatrin. Gjatë orës së pushimit, përdornim qendrën e zërit për të vënë shfaqje të vogla teatrale. Kultivimi i këtyre pasioneve që nga fëmijëria bëri të mundur që unë, pasi dhashë konkursin për aktor në Akademinë e arteve, të fitoja.

Kështu ju pra nisët Akademinë e arteve për aktrim…
Po vazhdova Akademinë e Arteve për aktrim, ku pasi mbarova katër vjet në këtë zhanër, studiova edhe një vit për regjizurë dhe në përfundim të shkollës unë dola me dy statuse, aktor dhe regjisor. Me të mbaruar Akademinë, më emëruan regjisor në Estradën e Tiranës. Këtu fillon një krijimtari krejt e re për mua. Meqë merresha me karikaturën dhe kisha pasion humorin, angazhimi im si regjisor në estradën e Tiranës, m’u duk diçka mjaft interesante dhe kështu fillova të zhvilloj teatrin e humorit. Aty shkruaja skenare të ndryshme, kam bërë skenografi dhe kam ndërtuar si regjisor shumë spektakle, të cilat në atë kohë kanë pasur sukses, të paktën sipas asaj që shkruhej në shtypin e kohës. Kuptohet që edhe spektatorët i pëlqenin. U mundova që të sjell një formë të re, një përmbajtje pak më të kohës, megjithëse herë pas here për këtë kam pasur edhe kritika, duke menduar që janë shumë moderne dhe që kalonin pak në tendenca perëndimore. Kështu psh, në festivale të ndryshme ashtu siç kam fituar çmime, në të njëjtën kohë kam ngrënë edhe kritika për tendenca borgjeze, perëndimore, me influenca të huaja. Dëshiroj të përmend që kur kam qenë në vitin e katërt të Akademisë së Arteve, fitova të drejtën për të luajtur në një film. Ishte roli im i parë në një film. I ftuar nga regjisori Dhimitër Anganosti, luajta në filmin “Dueli i Heshtur”. Më pas, interpretova nëpër filma të tillë si: “Gjurma”, “I teti në bronz”, etj. Kjo ka qenë pak a shumë veprimtaria ime si aktor. Nuk dua të harroj pa përmendur që gjatë vitit të katërt, ndërkohë që studioja unë njëkohësisht jepja mësim për studentët e vitit të dytë, brez në të cilin bënin pjesë shumë nga ata artistë që sot konsiderohen si ikona të skenës. Erma të tillë si: Agim Qirjaqi, Sajmir Kumbaro, Timo Flloko, Gëzim Kame, etj.

Pak më parë përmendët festivalet dhe ato ‘dënimet e vogla’ që ju kanë bërë. Festivali i XI-të si ndikoi tek ju?
Fillimisht, dua të them që kam unë qenë konferencier në Festivalin e III-të, në kohën kur isha student. Pas tij, kam pasur shansin që të drejtoj edhe festivalin e XI-të. Në festivalin e XI-të, me sulmin që u bë nga diktatura ndaj ideologjisë borgjeze, tendencave perëndimore, në të gjithë sektorët, kryesisht në sektorin e artit, në pleniumin e katërt e pësova dhe unë meqë isha konferencier dhe skenarist i festivalit të XI-të. Në të njëjtën kohë për mua ishin grumbulluar dhe disa kritika të tjera për vënien në skenë të disa estradave. Ndërkaq, kishte kritika për karikaturat e mia, për formën shumë moderne të tyre në disa botime. Duke i mbledhur të gjitha bashkë, krijuan figurën time si liberal me tendenca perëndimore, borgjeze, kështu që më pushuan nga puna dhe më dërguan për disa vjet të punoja në punë të rëndë fizike, për riedukim. Më vonë, partia kur e pa që unë u riedukova, që u bëra më me edukatë nga ç’isha më kthehu përsëri dhe në vitin 1975 ishte një projekt për t’u hapur në Kinostudion “Shqipëria e Re” sektori i filmit të animuar, i filmit vizatimor. Në atë kohë në këtë sektor kishte një piktor dhe një operator, mungonte regjisori dhe atëherë më zgjodhën mua. Kështu unë rifillova punën artistike, pasi në punën në prodhim, që zgjati tre vjet kisha një karakteristikë shumë të mirë, d.m.th isha ndrequr dhe të gjitha tendencat e mia mikroborgjeze nuk ekzistonin më, unë isha figura e një artisti të realizmit socialist. Fillova punën në Kinostudio dhe kam qenë piktor, skenarist dhe regjisor në filmat vizatimor. Kam bërë shumë filma, mund të jenë rreth 25 filma të tillë, të cilët kanë fituar edhe shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare nëpër festivale të ndryshme. Në vitin 1986, unë kalova tek pasioni im i madh, që ishte filmi artistik. Në fakt, fillimisht kalova si skenarist, pra unë kisha bërë një skenar. Skenarin e filmit “Dy herë Mat”.

E paraqita, ata e pëlqyen dhe më thanë që këtë skenar do ta xhirosh vetë ti si regjisor. I entuziazmuar e pranova dhe fillova punën. Në momentin që do të zgjidhja aktorët, doja që si aktor kryesor në rolin e Ilo Pincit, të merrja aktorin e shquar shqiptar, që më pëlqente shumë në atë kohë, Agim Qirjaqin. Mirëpo ai ishte i zënë me një film tjetër, kështu që drejtoria dhe këshilli artistik e panë të arsyeshme që këtë rol ta luaja po unë. Pra në këtë film unë isha regjisori, skenaristi dhe protagonisti kryesor, vetëm operator nuk isha. Ky film u pëlqye shumë dhe pastaj vazhdova me filma të tjerë, siç kanë qenë: “Tela për violinë”, me të cilin kam fituar çmime në festivale, “Stolat në park”, etj. Pasioni im ishte padyshim kinokomedia dhe shkruajta më tej edhe skenarin e filmit “Edhe kështu edhe ashtu”, që është një film që pëlqehet dhe që jepet pothuajse në të gjitha stacionet televizive. Gjatë kësaj kohe unë jam marrë shumë edhe me karikaturën. Kam botuar në revistën “Hosteni”, edhe në periodiket shqiptare, si në gazetën “Drita”, gazetën “Zëri i popullit”, gazetën “Bashkimi” dhe në disa gazeta të tjera. Nëpër ekspozita të karikaturave dhe në konkurse kam fituar shumë çmime të para.
Ju vijoni edhe sot karikaturën politike. A ka pasur ndonjë rast kur jeni konfliktuar me ndonjë politikan?
Unë mund të them që opozita e parë gjatë kohës së diktaturës, kanë qenë humoristët dhe kryesisht karikatursitët, të cilët godisnin shumë vese të ndryshme, ashtu si edhe sot, që janë kundër vjedhjes, kundër përtacisë, kundër ryshfetit, kundër korrupsionit, kundër arrogancës, kundër fodullëkut e kundër injorancës. Të gjitha këto kanë qenë goditje që neve i bënim në atë kohë, por këto shkonin deri tek shefat, deri tek drejtori i drejtorive, nuk guxoje më tutje. Kurse sot, kritika nuk ka tabu, nuk ka shkallë, fillon nga i pari deri tek i fundit. Siç e thatë dhe ju unë merrem kryesisht me karikaturën politike, por pa patur ndasi, të majtë, të djathtë, të qendrës apo të ekstremit. D.m.th për mua nuk ka tabu të gjithë janë njësoj, të gjithë duhen vlerësuar kur kanë vlera dhe të gjithë duhen goditur kur kanë vlera negative. Fillimisht ka qenë e vështirë sepse politikanët tanë nuk e kishin parë kurrë veten e tyre në karikaturë, në pozicione humoristike, ashtu paksa të deformuar, paska qesharak, mirëpo me emancipimin e tyre dhe duke parë që në Europë të kishe një karikaturë ishte një vlerë sepse të kushtohej një vepër arti, edhe ata filluan ta pranojnë dhe sot ka nga ata të cilët ankohen, pse nuk kanë karikaturë, pse janë lënë pas dore, dhe jo pse kanë karikaturë. Kështu, unë botoj çdo ditë karikatura në gazetën ‘Mapo’, kam një kontratë me ta dhe një ditë do t’i botoj të gjitha në një libër të veçantë.

Ndonjë personazh që ju ka mbajtur mëri, a ka?
Nuk ka pasur personazhe që më kanë mbajtur mëri. Ndoshta mund të them që në ato fillimet e mia, në vitin 1991-1992 kam patur një incident, një provokim, një shantazh. Kanë qenë njerëz të rëndomtë, ato të Sigurimit të Shtetit, të cilët vinin dhe më paralajmëronin mua që nëse do të bëja një karikaturë të Ramiz Alisë, jeta ime do vihej në dyshim, do të më vrisnin pra. Të nesërmen e këtij kërcënimi, unë botova në gazetën ‘RD’ karikaturën e Ramiz Alisë duke i bashkangjitur një artikull në të cilin akuzoja Ramiz Alinë, i cili dërgonte këto lakenj për të kërcënuar artistët. Kurse sot, pothuajse të gjithë atyre që i kam bërë karikaturë i kam miqtë e mi, dashamirës të mi sepse edhe ata e kuptojnë fare mirë që ajo është një vepër arti. E bukur karikatura është kur e godet, kur bën humor, por edhe kur vetë ai buzëqesh. Jam munduar gjithmonë të jem i kujdesshëm, të mos ta denigroj dhe të mos e fyej nëpërmjet karikaturës.

Flasim pak tani për ngacmimet e para…
Të them të drejtën, duke qenë një natyrë me tipare sanguine, gjithmonë duke u marrë me sportin, duke u marrë me artin, duke qenë në fund të fundit, një djalë që e ndiqja dhe modën, ia dilja të kisha vëmendje. Ka qenë gjithmonë dëshira ime në fakt për të qenë gjithmonë dikushi, për t’u vendosur në radhën e parë dhe këtë gjë e përdorja edhe në marrëdhënie me vajzat. Të them të drejtën kam qenë shumë i shoqërueshëm, dhe ato anët plus që kisha si artist i përdorja dhe ndonjëherë përfitoja. Mund të them me të drejtë që kam ditur ta vlerësoj, kam ditur ç’të marr nga jeta e bukur, nga dashuria, nga miqësia, por sigurisht nuk kam abuzuar kurrë. Padyshim që shumë dëshira të miat në këtë drejtim, në marrëdhënie me femrat flas edhe nuk i kam arritur, kam dështuar, por gjithmonë çdo dështim më mobilizonte për sulme të reja.
E kujtoni historinë e parë të dashurisë.
Mund të kem qenë tepër i ri. Po s’mund ta konsideroj tamam dashuri, më shumë se sa një fiksim, një pëlqim. Në lagje ka qenë një vajzë, që qëndronim gjithmonë bashkë, shoqëroheshim, më pëlqente, por se sa ishte dashuri e parë nuk mund them. Dëshira ime për të pasur kontakt me një femër, një përqafim ka nisur në adoleshencë dhe të parat kanë qenë komshijet, të cilat ishin më të mëdha në moshë. Kaloja në një kurs kualifikimi si të thuash (qesh). Kisha shumë dëshirë në këtë mes kur kishte dasma në lagje sepse kërceja me vajzat e preferuara.
Si u njohët me bashkëshorten tuaj?
Ka qenë një njohje familjare. Në vitet ’60 kishte pak televizorë dhe një kushëriri im, djali i dajës kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte sjellë me vete një televizor. Ne mblidheshim për të parë atje, si në kinema, futbollin e programet italiane. Atje zgjeruam rrethin e miqësisë dhe gruaja ime ishte vajzë e një doktori. Aty jemi njohur për herë të parë.

Po propozimin si ia bëtë?
Propozimi nuk ishte i imi, ishte i kushërirës sime. Pastaj një kushërira ime ma shtiu në mendje, më tha pse nuk e sheh filankën dhe unë menjëherë thashë po, më pëlqen. I njihja vlerat e saj dhe e gjithmonë e mendoja si një bashkëshorte ideale. Kështu familjet u lidhën me njëratjetrën. Unë u lidha me të. Asaj kur i thanë për mua i erdhi si e çuditshme, më mendonte si artist dhe i erdhi çudi që zgjodha një inxhiniere dhe jo një artiste. Them që sot kam gruan më të mirë në botë dhe jam më i lumturi në botë.

Dasma juaj si ishte?
Dasma ime ka qenë paska e hidhur. E hidhur, sepse unë dasmën e kisha lënë për në korrik, mirëpo në fillim të korrikut mua më vdiq babai, kështu që në pamundësi për të bërë dasmën unë e shtyva në muajin tetor dhe jam martuar në 12 tetor. Padyshim ishte një dasmë e thjeshtë, vetëm ka një karakteristikë. Unë në atë periudhë isha i dënuar dhe punoja në prodhim, ka qenë viti ’75. Kam qenë i ndrojtur, ndiqesha dhe survejohesha nga sistemi. Në atë kohë ekzistonte edhe një frymë kundra zbukurimeve e salltaneteve dhe këto gjëra shiheshin shtrembër nga partia. Ata që mbaheshin, vinin stoli, visheshin me fustan të bardhë, dënoheshin. Realizimi socialist nuk i pranonte këto gjëra. Unë kisha frikë me thënë të drejtën dhe i thashë time shoqeje që ndoshta mund të mos vishej me të bardha, por ajo më tha një herë martohem dhe do vishem patjetër nuse, kështu që u vesh dhe ne fatmirësisht nuk na ndodhi gjë.
Më pas erdhën fëmijët…
Fëmijët erdhën pas disa vitesh, sepse kishim dëshirë të kalonim pak kohë së bashku. Fillimisht djali, pastaj vajza. U rritën në kujdesin e prindërve me edukatën e familjes sonë. Të dy sot mund të them që janë të rritur, djali ndoqi rrugën time ai studioi për pikturë pastaj studioi për regjizurë, studioi jashtë shtetit për filmin dhe ka interpretuar në disa filma, ka bërë teatër si regjisor dhe ka fituar çmime. Sot merret me kinematografinë, merret me teatrin dhe është pedagog në Universitetin Europian të Tiranës. Vajza është marrë me sportin shumë, ka dalë edhe kampione me Tiranën, pastaj ka vajtur të studiojë jashtë shtetit ka mbaruar për administrim biznesi dhe financë ka bërë master ka mbrojtur doktoraturën, sot jeton jashtë po sërish vazhdon të merret me sportin.
Me djalin jeni më i lidhur më duket.
Po, ai është këtu. Jemi të dy si babë dhe bir, por më tepër jemi si dy kolegë.

Juve jepni mësim në të njëjtin departament?
Po, jemi në të njëjtin departament.
Dmth ju jeni shefi i djalit?
Po, ekzakt ai është vartësi im dhe them që është një vartës i mirë. Edhe unë jam një epror shumë komod, me autoritet normal nuk toleroj asgjë kështu që së bashku kemi pasionin kemi dëshirën për të krijuar diçka të re këtu në Universitetin Europian të Tiranës. Kemi ngritur për herë të parë një degë të re, grafik dizajn që është një degë shumë e bukur, shumë moderne, shumë aktuale dhe shumë e kërkuar sot.
Studentët sot, si janë?
Po shikoj me kënaqësi që ka studentë shumë pasionantë, ashtu siç ka dhe studentë që janë pak edhe neglizhentë, kurse ata që kanë ardhur kot në universitet e kuptojnë që në fillim që nuk vlejnë dhe largohen, pra studentët sidomos në grafik dizajn janë shumë pasionantë sepse këtu ka të bëjë një përputhje mes artit dhe shkencës, ka teori dhe praktikë dhe studenti është shumë pasionantë, fatmirësisht tek këta që kemi këtë vit.
Pushimet i keni planifikuar?
Unë nuk bëj pushime. Në fëmijëri kam vajtur në kampet verore, pastaj pas disa kohësh kam shkuar me familje. Nuk shkoj me ditë sepse jam shumë i lidhur me punën time të përditshme, jam i lidhur me gazetën. Nuk mundem të largohem, sepse uën çdo ditë duhet të botoj karikatura. Unë mund të shkëputem një të shtunë pasdite dhe një të dielë deri në mbrëmje. Unë pushoj një ditë e gjysmë, ose 30 orë në javë.
Po dikur ku shkonit dhe a ka kishit vështirësi për sigurimin e dhomave?
Përgjithësisht jo. Në Durrës p.sh, siguronim kabinat, hotelet lehtësisht sepse unë punoja në Kinostudio. Kurse kam preferuar shumë edhe Pogradecin dhe kam një privilegj, ime moter ka një shtëpi të bollshme dhe kam qenë gjithmonë i mirëpritur atëherë edhe sot.
Çfarë zhanri i artit ju mungon më shumë?
Në këtë moment më mungonte baleti, por ja që u morra edhe me balet në “Dancing with the stars”. Nje eksperiencë shumë e bukur, jo vetëm që mësova dhe pashë veten duke kërcyer, por njoha edhe njerëz të rinj dhe spektatori më pa në një kënd tjetër.
Ishte i vështirë?
Jo, për mua jo. Unë merrem me sport, shkoj çdo ditë në palestër, eci më këmbë, nuk kam makinë, kam vetëm makinë rroje, eci vetëm në këmbë megjithëse e kam patentën.
Kush komandon në shtëpinë tuaj?
Qeverisja jonë është në konsensus, është një koalicion i përkryer. Ajo i di shumë mirë detyrat e saj, kurse unë i di shumë mirë detyrat e mia në momente të caktuara bashkëpunojmë por zakonisht ka secili detyrat e veta.
Po financat kush i komandon?
Kemi një sirtar në të cilin marrin dhe hedhim para. Kurrë nuk kemi thënë, pse ikën, si ikën. Fatmirësisht themi me modesti në këtë kohë fitojmë për të fituar mirë. Megjithëse gruaja ime këto muaj ka dalë në pension dhe ka filluar të tingëllojë zilen e alarmit ‘ki kujdes se tani s’është më rroga ime e parë, por është gjysma’ dhe unë i them që do punoj akoma më tepër të plotësoj edhe gjysmën tënde.
/Gazeta Shqiptare/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here