25-vjeçarja që këtë vit përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 57-të të Festivalit Evropian të Këngës (Baku, Azerbajxhan, 22-26 maj) është nga ato këngëtare që ruan një veçanti në performancat e saj kryesisht të muzikës pop.

Në dy këngë, “Suus” (nga latinishtja ka kuptimin: ‘personale’), krijim i kompozitorit të talentuar Florent Boshnjaku dhe “Zonja vdekje” e prezantuar te “Kënga Magjike” në vitin 2009, krijim i Nishliut, kanë tekste që përcjellin mesazhe të forta dhe dalin mbi të zakonshmen.

“Suus”, që i dha çmimin e parë në Festivalin e 50-të të Këngës në Radio Televizion dhe çmimin e interpretimit më të mirë, fton të reflektosh me dy vargje “Koha më për ne s’ka kohë/ Të nesërmet nuk sjellin gjë, veç shpresë pa shpresë dhe marrëzi”. Në vokalin e shkëlqyer të këngëtares dhimbja merr forcë. Ndërsa te krijimi i dytë, i cili i është dedikuar Luftës në Kosovë, Rona ‘rrëfen’: “Me re të zeza u vesh gjithë qyteti, të gjithë përveç saj, folëm me heshtjen, por heshtjen s`deshi ta prish”. Përveç muzikës që deri më tani e ka konsideruar si hobi, Rona merr pjesë edhe në koncerte bamirësie për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë të Mitrovicës. Është aktiviste në Shoqatën Kombëtare të Autizmit në Kosovës. E pyetur nga media të huaja (ESCDaily.com), për bashkëpunimin me kompozitorin te “Suus”, Rona këto kohë është shprehur: “Kënga është rezultat i një pune të pastër dhe të bërë me dashuri”. Në intervistë e vë theksin te performanca, që ajo kërkon të jetë një magji.

Në të gjithat daljet në skenë duket e kujdesshme për detajin. Kjo shihet te kujdesi që i kushton veshjeve. Fustanët e gjatë të mbyllur me ngjyra të zëna duket se fshehin një histori. Ai që e sheh sikur do të dijë, çfarë i ka marrë lufta Ronës, si rri Mitrovica në kujtimet e fëmijërisë? Si e kujton vitin 1999, çfarë është fshirë dhe ka ngelur e freskët në kujtesë? Ç’ndodh me njeriun në kohë lufte?

Këngëtarja u pa këtë fundjavë në kryeqytet. Puna me këngën në studiot e RTSH-së nuk i la kohë për intervista. Nëpërmjet telefonit komunikoi se është duke punuar për “Suus”-in. Deri më tani dihet që kënga do jetë 3 minuta dhe Rona bashkë me kompozitorin Boshnjaku e orkestruesin Shpëtim Saraçi, kanë punuar për të në studiot e Ocean Way në Los Anxhelos. Rezulati i saj pritet të shihet në muajin maj në Eurovizion.

Vitin e kaluar, Shqipëria shkoi në Festivalin e Evropian me “Feel the pasion”, por nuk arriti të shkonte deri në finale.

Çfarë ka ndodhur në jetën e këngëtares deri tani?

U lind në Mitrovicë. Deri në moshën 6 vjeçare studioi piano. Gjimnazin e kreu në Prishtinë në shkollën “Sami Frashëri”. U bë e njohur për audiencën në vitin 2004, me pjesëmarrjen në konkursin “Ethet e së premtes mbrëma dhe Krasta Show”. Studimet e larta i kreu për Administrim Biznesi dhe Manaxhim në Universitetin Amerikan të Kosovës. Ka interpretuar bashkë me Teuta Kurtin dhe Vesa Lumën këngën: “Flakaresha” në Festivalin e Këngës në RTSH, e më tej e vetme: “Shenja”, “Veriu”, “Zonja Vdekje”, “Eja”, “Shko pastro pas saj”, “Rruga qe shkela dikur” etj. Për audiencën në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi është e njohur si këngëtare dhe muzikante e pop-it, e dhënë pas jazz-it eksperimental. Në interpretim e saj bien në sy influenca nga muzika soul.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here