Ëndrra e prerë për balet dhe eksperienca në “Miss Shqipëria”. Ambicja në prezantim dhe emisioni i përjavshëm në Albania Screen. Metamorfozat e Borana Kalemit dhe dyzimi për të ardhmen, mes drejtësisë dhe ekranit.

Edhe këtë verë e ka një histori me një kockë të thyer. Veçse kjo e kësaj radhe është gazmore dhe i përcjell kujtime të bukura.

Kryekëput të ndryshme nga ato të më shumë se pesë viteve të shkuara kur dëmtimi i një kocke i kushtoi ëndrrën dhe punën e gjithë jetës dhe investimit në shkollë. Ndërsa tregon për pushimet e këtij viti, të kaluara në një shkollë verore në Maqedoni, mes moshatarësh të mbledhur nga anë e kënd botës, Borana Kalemi tregon edhe gishtin e unazës së dorës së djathtë. Është pak i fryrë, jo në vijë të drejtë më të tjerët, e drejton me vështirësi dhe kur rrëfen se si deri para disa ditësh e kishte të mbështjellë me allçi, fillon e qesh. “Po luaja futboll amerikan dhe kur prita topin më shkoi gishti keq”, thotë ndërkohë që mundohet ta çojë në vend me dorën tjetër. Copën e allçisë, të firmosur nga të gjithë nxënësit e “Preparing Global Leaders Institute”, të zhvilluar në Tetovë, e ruan në shtëpi sepse ky i kësaj vere është një prej udhëtimeve më të bukura që ka shijuar deri më sot. Fitoi një bursë për të ndjekur leksionet e dy pedagogëve amerikanë me emër dhe sado që pjesëmarrjet në kompeticione ndërkombëtare nuk i kanë munguar, nuk ia kishte ndjerë si përgjatë këtyre pushimeve lezetin e shoqërisë së moshatarëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Eksperienca jetë të shumëllojta, ambicje të përbashkëta, gjuhë që ngatërroheshin njëra me tjetrën, por aspak pengesë që pas ditësh të gjata leksionesh të dëfreheshin së bashku nëpër varet, restorantet apo pikat turistike të Tetovës. Gishti i thyer, ditët e fundit, ishte vetëm një arsye më tepër për t’i shtuar harmoninë grupit, aq sa tani Borana i ka harruar edhe dhimbjet e ditëve të para.

Sigurisht, një eksperiencë krejt e ndryshme nga ajo e disa viteve më parë kur ishte ende në shkollën e baletit dhe ëndërronte të bëhej balerinë e njohur dhe të pushtonte skenat e botës. Atëhere menisku i krisur i gjurit të majtë dhe sidomos vendimi i saj për t’iu rikthyer provave më shpejt se ç’duhej u kthye në dramë, e finalizuar me raportin mjekësor se nuk do të mund të kërcente më. Por nuk është se i doli për keq më vonë ëndrra e thyer e rinisë së hershme. Sado që e përmend sot e gjithë ditën atë kohë, kur studionte me qejf me orë të tëra dhe ngjitej në skenë me dëshirë, edhe ajo që erdhi më vonë për Boranën ka qenë veçse e mbarë. Pjesëmarrja në “Miss Shqipëria”, titulli i vajzës më inteligjente të konkursit të vitit 2009, një e drejtë studimi në universitetin “Marin Barleti” dhe shumë mundësi për të qenë një prezantuese e mirë. Në vend të balerinës, shumë vite më pas, ky është statusi i biondinës bukuroshe të Albania Screen. Vera e përmbyllur me një diplomë të fituar, më shumë me kënaqësi sesa me mundim, i ka lënë vendin kthimit në punë, i cili në rastin e Boranës do të thotë rikthim në një tjetër vend ku kalon shumë ditë të bukura. Të ndara mes udhëtimeve nëpër vendeve të ndryshme, përditësimit me të rejat nga bota muzikore dhe prezantimit, profesionit që ka më shumë për zemër këto kohë deri kur të vendosë se ç’do të bëjë më tej: të ikë jashtë Shqipërisë për studimet pasuniversitare apo të qëndrojë këtu për të mbajtur edhe profesionin e juristes, por edhe ekranin. Lidhja me të cilin prej një viti e gjysmë bëhet nga një emision rinor i përjavshëm, me muzikë të mirë dhe, sa për lezet, me një rubrikë me thashetheme nga bota virtuale e rrjetit Facebook për personazhet e njohur shqiptarë. Eksperienca e mëparshme me “Netët e klipit shqiptar”, ku për 12 javë ishte prezantuesja e përzgjedhur ndër më të mirat e “Miss Shqipëria 2009″, nga Petri Bozo, i ka shërbyer. Tanimë nuk i përjeton më ato emocionet e forta që ndonjëherë e bënin t’i ngatërrohej goja e as dridhjen e gjunjëve që shpesh i dukej se i dallohej deri larg. E posedon edhe skenën ku ngjitet, edhe kamerat që ka përballë, falë edhe të një formule që e ka praktikuar gjithnjë: Në çdo prezantim kujton baletin dhe në studion apo skenën ku është e mendon veten sikur të ishte ende ajo balerina që kërcente dikur pa drojën më të vogël e me besim në vetvete. Funksionon gjithmonë. Emocionet zhduken dhe fjalët dalin rrjedhshëm. Pjesa tjetër është meritë e një ambjenti pune që Borana e përshkruan si unik në llojin e tij, që nuk ngjason me asnjë prej ekraneve të tjera ku rasti e ka bërë të njihet.

“Tek AS fillimisht me kontaktuan për një audicion, menjëherë pas përfundimit të “Netëve të klipit”, thotë ajo. “Të gjitha provat kaluan me sukses dhe më pas menduan se programi që më përshtatej më shumë do të ishte një program rinor, që kishte lidhje me fushën e artit, duke marrë parasysh edhe dëshirën e madhe që unë kisha për të qëndruar në këtë linjë, që nga koha e baletit. Vendosën të më provonin tek një emision muzikor”. Titullohet “Jo vetëm hite” dhe transmetohet çdo të shtunë në formën e një udhëtimi, “sepse ne mundohemi të lokalizohemi në çdo vend ku audienca gjen veten”. Transmetohet muzikë shqiptare dhe një hapësirë të bollshme gjejnë edhe shumë artistë të ftuar që flasin për promovimet e reja dhe eksperiencat profesionale. Me autor Genti Lakon, Borana dhe një tjetër bukuroshe e AS, Bora Zemani, gërmojnë edhe në botën virtuale të thashthemeve mbi VIP-at: komentojnë fotot e hedhura në rrjetin Facebook, statuset e ditës e çdo gjë tjetër që u tërheq vëmendjen. Një program argëtues me pak fjalë, ku siç tregon, edhe vetë prezantuesja e tij merr një dozë të mirë prej këtij argëtimi.

“Ajo që do të vlerësoja shumë nga kjo eksperiencë është ambjenti i punës që kam gjetur këtu”, thotë Borana. “Secili përkushtohet në detyrat e veta dhe kjo krijon harmoni brenda stafit dhe një ambjent të qetë ku vjen me qejf në mëngjes. Duhet të falenderoj Anikën që më ka mbështetur dhe vazhdon të na japë forcë të gjithëve ne”.

Me “Jo vetëm hite” do të shfaqet në ekran edhe në këtë sezon të ri televiziv meqë, siç tregon, është një format që ka rezultuar i suksesshëm, por edhe sepse Borana ndihet komode brenda tij. “Qesh pa fund, bëj gafa të vogla, bëjmë udhëtime, njoh artistë… e ç’mund të dua më tepër”, shton. “Por unë vazhdoj të jem në kërkim të gjërave të reja. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem edhe spiker lajmesh, por këtë ndoshta do t’a provoj pas disa vitesh. E sigurtë që nuk do t’a le pa e provuar”, thotë duke qeshur.

Për ata që e njohin, e dinë se nuk e thotë me shaka këtë. Sepse ditën kur e mbylli me baletin, Boranës nuk i mbeti tjetër veçse të vihej në kërkim të gjërave të reja, për të zbuluar se cila ishte më e përshtatshme për të ardhmen. Ka filluar të kërcejë që në moshën pesë vjeçare me grupin e Llaqi Nakos. Një balerinë, jo krejt rastësisht përderisa kushëriri i saj Eno Birko ishte një balerin i njohur dhe para tij edhe të tjerë kishin pasur prirje artistike. Pastaj filloi shkollën e baletit me orët e gjata në palestër, disiplinën e hekurt dhe këmbët e gjakosura në fund të ditës. Mundime që edhe sot i quan të papërfillshme përpara ëndrrës për t’u bërë një emër i njohur në skenat e botës, meqë edhe eksperiencat premtuese nuk i mungonin: pa i mbushur të 17-at kishte prekur skenën e Teatrit të Operas dhe bashkë me kërcimtarë të tjerë shqiptarë, Balshoi Teatër në Rusi. Vetëm se viti i katërt i shkollës ia hodhi poshtë të gjitha. U dëmtua në gju dhe vetëm kur dhimbjet u bënë të padurueshme u diagnostikua menisku i çarë i gjurit të majtë dhe nevoja urgjente për operim. Asgjë e pariparueshme deri këtu. Mjeku e këshilloi të mbante regjim për të paktën gjashtë muaj dhe më pas mund të kërcente përsëri më si më parë. Por Boranës nuk iu durua. U rikthye në prova pak javë pas operacionit duke dëmtuar edhe gjurin tjetër, mbi të gjitha, duke i dhënë kështu fund një herë e mirë ëndrrës së baletit. Pikërisht në këtë kohë vendosi të provonte gjëra të reja, për të kuptuar se çfarë do të bënte më tej.

E nisi me pjesëmarrjen në “Miss Shqipëria 2009″ prej nga doli me titullin “Miss Inteligjenca” dhe një bursë studimi për drejtësi. Prej andej përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Supranation” në Poloni ku mori fashën e “Miss Talentit” dhe më vonë fitoi statusin e asistentes në “Miss Globe International”. E pranoi këtë punë me dëshirë pasi i ishte nënshtruar edhe pasojës së fundit nga largimi me pahir nga shkolla e artit. Pas provimeve të maturës provoi të konkuronte për mjekësi dhe synonte ortopedinë, meqë vazhdonte ta hiqte mbi kurriz problemin me kockat. Por shkolla që kishte mbaruar mbante një koefiçent shumë të ulët dhe shanset e Boranës për të fituar, pavarësisht mesatares 10, ishin të vogla për të mos thënë të pamundura. Prandaj në fund, e dorëzuar, duke falenderuar fatin për “Miss Shqipërinë” iu gëzua të drejtës së studimit në universitetin “Marin Barleti”, ku pret të mbyllë vitin e fundit. Dhe përveç tij u betua se do të provonte çdo eksperiencë të mundshme në botën e artit, e cila vazhdon ta tërheqë edhe sot. Me këtë ide konkuroi edhe në Festivalin e Këngës në RTSH, të cilën sot e quan një eksperiencë të mirë, që vlejti, por që vështirë ta provojë përsëri. Pastaj erdhi prezantimi, një stacion ku duket se do të ndalet gjatë. Mundësinë që dikur ia dha Petri Bozo e ka shfrytëzuar në maksimum, e meqë i pëlqen dhe i ka dhënë provat që bën për këtë punë, Borana nuk ka në plan të heqë dorë prej tij. “Në fakt eksperienca e “Netëve të Klipit” ishte shumë e vlefshme sepse ishte ajo që më hapi dyert për të pasur këto të tjerat që erdhën më vonë. Petri Bozo ishte një promotor i vlerave të mia, falë tij pata përqafimin e parë me skenën si prezantuese, eksperiencë, e cila më ka bërë më të sigurtë në punën që bëj tani”.

Punë që mund ta lërë në mes vetëm nëse do të vendosë të largohet nga Shqipëria. Për këtë e ka një plan të turbullt në kokë, por për t’i dhënë një drejtim përfundimtar është ende shpejt. Ashtu si dikur në shkollën e baletit, edhe në tek “Marin Barleti” ish-missi është ndër ato studente që përmenden për rezultate shumë të larta në shkollë. Prandaj përveçse prezantuese, Borana e sheh veten edhe një juriste të zonjën në një të ardhme, qoftë edhe me disa “kushte” të vogla që ia ka vënë vetes. Fjala vjen avokatia nuk e tërheq për fare dhe as çdo gjë tjetër që lidhet me të. Ndryshe nga sa mund të ofrojë fytyra e bukur dhe e folura e butë, Borana është e dhënë pas kriminalistikës, një dege krejtësisht mashkullore, që përfshin drejtësia. “Megjithatë kam dashur gjithmonë të marr një formim profesional edhe jashtë vendit”, thotë ajo. “Dëshiroj shumë të ndjek studimet master në SHBA, por ende nuk e di sa do të mund ta realizoj këtë. Ndihem shumë mirë me ambjentin e punës dhe e kam të vështirë të shkëputem pikërisht tani. Po rritem profesionalisht, kam mbështetje dhe një program që e dua. Gjithësesi do të mendohem gjatë. Kam arsye të forta për të qëndruar në Shqipëri”, shton duke buzëqeshur, por edhe duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për gjë tjetër përveçse për prezantimin dhe mundësive që ka gjetur tek Albania Screen. Përtej këtyre, sa i takon jetës personale, nuk është gati ende të rrëfejë diçka. Është një 21 vjeçare që jeton me prindërit dhe të motrën, e rrethuar nga miq, me të cilët ndan fundjavat e kohën e lirë, dhe kaq. “Më kanë shkuar mbarë gjërat në jetë”, thotë Borana. “Pjesëmarrja në Miss ishte një trampolinë në jetën time, që bëri realitet shumë ëndrra të miat. Deri në vitin 2009 gjithçka ishte e përqendruar tek baleti, ndërsa që nga korriku i vitit 2009 fillova të mendoja se mund të jem edhe një juriste e zonja, edhe një prezantuese, e ndoshta ku i dihet mund të jem edhe një pedagoge e mirë, meqë tradita familjare e njeh këtë, e pse jo edhe një politikane”.

Thënë ndryshe, i ka dhënë fund baletit, po shijon prezantimin, por nuk ka hequr dorë nga të provuarit e gjërave të reja Borana Kalemi. Ka ende një vit kohë për të vendosur. Kur të mbarojë studimet e larta me siguri do të jetë në gjendje të përgjigjet prerë nëse do ta vazhdojë këtu karrierën, apo do t’i lërë të gjitha për të ikur jashtë. Deri kur kjo ditë të vijë, destinacioni i vetëm është “Jo vetëm hite”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here