Bojken Lako: Po shijoj lirinëAlbumi i ri, bashkëpunimet, koncertet, tregu muzikor. Bojken Lako na njeh dhe me një ditë të tijën, me njerëzit që ai do t’i ketë pranë.

60 minuta me Bojken Lakon:

Është një ndër ata persona, pamja e të cilëve nuk lë shteg për të thënë më shumë nga ç’duket. Jashtë skenës, po.

Jashtë saj, këngëtari rebel i rock-ut është i thjeshtë, i çlirët, i drejtpërdrejtë dhe në pak minuta të duket sikur e njeh prej kohësh.

Në këtë intervistë për “Shekulli”-n nuk ndalet vetëm tek albumi i ri, bashkëpunimet, koncertet, tregu muzikor. Një orë me Bojken Lakon na njeh me një ditë të tijën, me njerëzit që ai do t’i ketë pranë.
Bojken, u bë një muaji që ke hedhur në qarkullim albumin e ri, “Rrugë“. Si po shkon shitja?

Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë pyetje, pasi albumi ka vetëm pak kohë që është publikuar. Nga reagimet e njerëzve kam kuptuar se kënga “Rrugë”, ajo “Nuk ka humbur parajsa” dhe “Jeto sot këtë ditë”, të cilat janë bërë edhe video, janë pëlqyer shumë.

A është një album rock, apo përfshihen edhe alternativa të tjera?

Unë nuk jam fanatik i muzikës rock dhe nuk krijoj vetëm këtë lloj muzike. Në këtë përmbledhje ka një përzierje të shumë rrymave.

Ka rock të pastër, të cilin e luaj me grupin tim (The fish) në koncerte live, por edhe këngë të regjistruara që tregojnë tendenca drejt elektronikes, dance-it, motiveve popullore. Artisti është gjithmonë në proces kërkimi, të së resë, të rrymave ndryshe, pavarësisht se në çdo krijim muzikor ndihet vula e autorit.
Duket sikur ke një lloj tërheqjeje të veçantë nga muzika tradicionale?
Mendoj se sa më tepër të mbështetesh në tabanin muzikor të vendit tënd, aq më origjinal je. Në këto momente kam një bashkëpunim shumë të mirë me grupin italian “Banda Adriatica”, me të cilët eksperimentoj në kombinimin e rockut me folklorin. Kënga “Bullet” mund të shërbejë si një shembull, i cili e dëshmon më së miri këtë gjë.
Përveç grupit “The fish” dhe “Banda Adriatica”, ke disa bashkëpunime me këngëtare të reja. Si do t’i cilësoje ato duete?
Ka ca vite, që kur punoja për “Top Fest”-in, që kam filluar të kompozoj për të tjerët. Kam pasur kënaqësi vitet e fundit të zbuloj talente të reja.
Disa nga duetet që pëlqej më shumë i kam futur edhe në këtë album. Njëri prej tyre është me Ajkunën dhe tjetri me Borën. Kam tri këngë, të cilat i kam riorganizuar dhe riorkestruar me Ajkunën, “Rrugë”, “Asgjë e largët” dhe “Merre lehtë”.
Është një këngëtare, të cilën e vlerësoj shumë për sa i përket vokalit dhe personalitetit të saj dhe mendoj se do të arrijë të bëhet dikush në muzikë.
Në një terren ku këngëtarët fshihen pas play back-ut, me grupet e rock-ut ndodh ndryshe. Përse e kanë më të lehtë të japin koncerte live?
Në Shqipëri duhet të zhvillohet shumë fusha e muzikës dhe koncerteve, në mënyrë që këngëtarët të luajnë live. Grupet e rock-ut e kanë më të lehtë, pasi janë më kompaktë dhe artistët punojnë më shumë për ta mbajtur të bashkuar grupin. Është edhe më e kushtueshme për këngëtarët që të bëjnë një grup që nuk i përket rock-ut.
Cili ka qenë koncerti që nuk mund ta harrosh?
Vjet në gusht kam qenë në Itali me “Banda Adriatica” dhe kemi dhënë koncert në 22 komuna të Leçes. Ishte një festival shumë i madh, i organizuar shumë mirë dhe kishte 20 mijë vetë. Jam ndjerë me të vërtetë mirë ato ditë.
A ke nostalgji për muzikën e viteve ’90 në Shqipëri, vit në të cilin krijove grupin tënd?
Ngaqë është shtuar shumë prodhimi muzikor në Shqipëri, 80% e materialeve janë komerciale, por 20% tjetër sa vjen e po zhvillohet më shumë. Ajo e viteve ’90 ishte pikënisja e lindjes së rrymave muzikore ndryshe, kurse tani muzika e vërtetë sa vjen e zhvillohet.
Cilët emra të muzikës botërore ndjeje afër atëherë?
“U2” janë ata që ende vazhdojnë të bëjnë muzikë shumë të mirë. Por unë jam rritur me “The doors”, Michael Jackson, “Beatles”, David Boy, Duran Duran. Ajo që unë pëlqej dhe përzgjedh nuk u përket vetëm disa viteve. Muzika moderne dhe e realizuar mirë ndër vite është ajo që më udhëheq edhe tani.
Përmende emra që i përkasin një kohë kur muzika, ajo rock po ashtu, nuk ishte vetëm muzikë, po edhe mënyrë jetese. Po tani?
Nuk besoj se në ditët e sotme rock-u shikohet si një mënyrë jetese. Ata që e pëlqejnë këtë lloj muzike thjesht i bashkojnë disa ndjesi të njëjta. Në vitet ’70, me këtë muzikë konceptoheshin revoltat ndaj politikave të ndryshme shoqërore.
Festivalet e mëdha të atyre viteve ishin më tepër protesta të rinisë për të ndryshuar politikat, për të ndaluar luftën. Atëherë mund të cilësohej si mënyrë jetese. E shoh tek vetja ime, unë nuk jetoj me sloganet: “Sex, drogë, rock&roll”.
Pse, si është një ditë e Bojkenit sot?
Për momentin po shijoj një lloj lirie artistike, pasi nuk jam i angazhuar nëpër punë fikse, nëpër institucione me detyrën e regjisorit. Jam i lirë dhe po punoj për krijimtarinë time, për disa artistë të tjerë kryesisht të rinj. Ka pasur një periudhë të gjatë që unë kam punuar shumë dhe kam qenë i kufizuar për sa i përket kohës së lirë për të bërë muzikë, kurse tani jo.
Që prej një viti nuk je më vetëm. Si ka ndikuar jeta në çift?
Jeta në çift është një mënyrë shumë e mirë për t’u ndjerë ngrohtë dhe të kesh mbështetje, dhe për të mposhtur vetminë./ Gazeta Shekulli

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here