Një impuls tjetër për të ardhur më rebel, më ritmik dhe në një vrapim maratonomaku në klipin e ri me titull “Tiranaaa”. Është prishur një martesë dhe është krijuar një grup i ri muzikor që mban emrin “Bojken Lako & Brezat”.

Si një nga rockerët e njohur të viteve ‘90-të, që pasionin e quajnë pasion dhe muzikën muzikë të vërtetë, ai ka vendosur që të bëjë një ndryshim në stilin e tij, kur ritmet dance ndërthuren bukur me stilin e tij.

Kantautori rrëfen drejtimin e ri në muzikë dhe në jetën personale. Si një kumbar i artistëve të rinj, ai tregon përkushtim të ri ndaj muzikës. Nuk preferon të rrëfejë asgjë më shumë për ndarjen nga Olesia pas tri vitesh martesë:

Një klip i ri me titull “Tiranaaa”. Bëhet fjalë për një eksperimentim në muzikë, si shfaqesh në këtë këngë?

Kjo është një këngë që u papaprin disa krijimeve të reja muzikore që unë po punoj, dhe që do t’i lançoj në verë me koncerte për t’i sjellë së bashku në një album. Aktualisht po punoj për koncertin bashkë me grupin muzikor që kam krijuar prej disa muajsh dhe që mban emrin “Bojken Lako& Brezat”. “Tiranaaaa” është kënga jonë e parë dhe këtë do ta cilësoja si një periudhë eksperimentale, një lloj kërkimi ndryshe që po bëj nëpërmjet muzikës sime. Kjo është kënga e parë që hap këtë lloj stili të ri në muzikë, që është e veçantë dhe pak më ndryshe, një gërshetim i muzikës që unë bëj, por pak më elektronike.

Po i afrohesh komercit në muzikë në këtë mënyrë?

Në fakt, fabula e kësaj kënge ka një kuptim më të gjerë, jo thjesht për t’u linçuar por shpreh diçka më shumë. E kam krijuar në finalen e “Akademisë së Yjeve” dhe kam një vit e gjysmë që unë punoj për këtë këngë. Nuk ka shumë filozofi, ka shumë pak fjalë, strofa ka një fjali të vetme dhe refreni është ndërtuar me emrat e qyteteve shqiptare brenda kufijve dhe jashtë Shqipërisë; duke filluar nga Kumanova,Shkupi, Prishtina, Janina, etj.

Në refren që përsëritet thotë “Më thërret Tirana”. Pse kjo ide për t’i dedikuar këngë Tiranës, a nuk duket se ka hyrë pak në modë dedikimi i këngëve kushtuar kryeqytetit?

Në fakt, Tirana është destinacioni, pasi në të vërettë ishte një kërkesë imja për të realizuar një këngë me qëllimin që kushdo që e dëgjon ta gjejë veten të përfshirë në vargjet e saj, ndërsa dëgjon vendin e tij të origjinës… Është një lloj danci alternativ, që të bën të kërcesh dhe shpresoj që nëse vendoset në diskoteka të kërcehet, me dëshirën që të mos nxjerrim energji nga vetja vetëm me tema banale, po dhe me tema të tilla.

Ndërkohë në videoklip shfaqeni duke vrapuar si për të mbërritur diku…

Siç e kam konceptuar klipin, nuk është ideja e rrokut klasik. Videoklipi është realizuar me një formë të thjeshtë, pasi unë përgjithësisht videoklipet e mia i kam realizuar me buxhete të ulëta. Ka shumë ritëm, natyrisht që nisem dhe mbërrij diku.

Je i vetmi kantautor që ke vajza në grup? Bëhet për komerc prania e femrave?

Ka shumë grupe që e kanë komercializuar idenë e funksionimit të grupeve, pavarësisht se mund të jetë eksperimentale. Për shembull, në Britani e Amerikë lideret janë femra, por pavarësisht kësaj tendence unë nuk e bëj me qëllimin për të përfituar nga feminiliteti i tyre, por thjesht për t’u dhënë shansin në muzikë.

Bojken, si një artist i viteve ’90-të, je një pasionant i madh?

Janë artistët e viteve ‘90-të që gjithmonë shfaqen diku. Gjithmonë shfaqen diku, në lokale. Çdo muzikant është pasionant. Por, unë duke pasur dhe angazhime me regji televizive, nuk e kam konsideruar si profesion më parë, por herë pas here kur i kthehem në verë, jam pasionant dhe mendoj që është një pasion që mund ta lë asnjëherë. Unë nuk e kam konsideruar si punë të parë. Tani kam dëshirë të merrem më shumë dhe e ndiej që është momenti më i mirë për të bërë muzikë në të gjithë botën.

Në këngët e tua ka pak nota trishtimi, pra këngët e tua të afrojnë më shumë veten? Këngët e reja do të jenë më optimiste?

Patjetër që në këto këngë vjen mesazhi për ditë më të mira, si te kënga “Merre lehtë”. Patjetër që jam optimist, edhe pse në pamje të parë duket si dëshpërim, prapë ideja optimiste vjen.

Kur shkruan muzikën, çfarë të frymëzon? Je më produktiv në momente të mira apo të vështira të jetës?

Nuk besoj se ka shumë lidhje. Produkti është i mirë kur ka një impuls më shumë.

Nëse do flisnim për jetën private, mund të na thuash diçka për ndarjen?

Jeta ime private nuk besoj se u intereson të tjerëve. Të gjithë kanë jetën e tyre private dhe s’besoj që ka ndonjë interes, jam njeri si gjithë të tjerët. Nuk jam i prirë. E vërteta është që jam ndarë.

KANTAUTORI I JEP FUND MARTESËS 3- VJEÇARE ME OLESIAN

Për jetën private nuk preferon të flasë, sidomos kur bëhet fjalë për një moment delikat si ai i ndarjes nga bashkëshortja, Olesia. Lidhja e tyre nisi në vitin 2006, që u pasua me fejesë vetëm një vit më vonë. Bëri përshtypje lidhja e tyre, për faktin se nuk i përkisnin të njëjtit profesion dhe Bojkeni një kantautor i njohur kishte vendosur të lidhej me një vajzë simpatike me profesion e stomatologes. Ndarja mes çiftit ka pak muaj që ka ndodhur dhe qarkullonte si thashetheme mes të njohurve të tyre, ndërkohë që tashmë është është një lajm që është gjithandej. Edhe pse ende ata nuk ka bërë divorc në gjykatë, parimisht i kanë dhënë fund martesës së tyre, që u kurorëzua me një ceremoni të veçantë më 27 Shtator të vitit 2008. Pas celebrimit bëri përshtypja konceptimi që ata kishin bërë dasmës, një dasmë moderne dhe që u festua jashtë cdo ceremoniali tradicional por si një party.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here