Të gjithëve na pëlqen të udhëtojmë, të eksplorojmë vende të reja, të njihemi me kulturën apo traditën e një kombi.

Na pëlqen të kalojmë momente të këndshme pranë njerëzve më të dashur, të larguar nga rutina e përditshmërisë. Kur shkojmë me pushime, përveç relaksit, i ofrojmë vetes komoditetin për të shkëputur vëmendjen nga puna dhe angazhimet e tjera të lodhshme.

Janë përgjithësisht personazhet e famshëm ata që udhëtojnë më shpesh, madje ndonjëherë të detyruar. Në rubrikën më të re, “VIP Travelling”, do të përzgjedhim për çdo numër një person publik, të pëlqyer, i cili rrëfen udhëtimet më të bukura, të ilustruara me fotografitë përkatëse. Bleona Qereti është këngëtarja bukuroshe, që nuk nguroi të na dërgonte nga Amerika disa prej pamjeve të mrekullueshme të vendeve që kishte vizituar. Bleona, përveç pushimeve fantastike, kishte njohur edhe personazhe të famshëm botërorë, të cilët i zbulojmë në vijim…

Foto 1: Bleona feston ditëlindjen në 14 maj 2011 në Monako, mes miqve e familjarëve të saj. Si gjithnjë e buzëqeshur dhe e gatshme për të pozuar përpara aparatit fotografik, ajo ka një pamje fantastike, të cilën e plotëson mrekullisht fustani i zi tejet modern.

Foto 2: Një foto e shkrepur në Beverly Hills në vitin 2005. Meqë gjithnjë dëshiron të ketë vëmendjen e të gjithëve, nuk nguron ta “rrëmbejë” atë edhe në një moment të thjeshtë të një dite të zakonshme. Në fund të fundit, çdo kalimtar do të tërhiqej nga një vajzë e tillë, e vendosur në një pozicion të çuditshëm në mes të rrugës!

Foto 3: Viti 2005 i zgjon një tjetër dëshirë, e cila nuk ka aspak lidhje me artin dhe pasionin e saj të hershëm: muzikën. Shumë e qeshur, me një shpatë në duar, e rrethuar nga dy “luftëtarë”, shpreh qartazi në portret faktin se nëse do të merrte pjesë në një betejë, fitorja do të ishte në anën e saj. Sërish fotoja është shkrepur në Beverly Hills.

Foto 4: Majami, qershori i vitit 2005. Të gjithë kemi ëndërruar një herë të vetme të kalojmë pushime në këtë vend të mrekullueshëm, ama Bleona e ka arritur. E kënaqur nga ky fakt, buzëqesh pa kursim para aparatit fotografik.

Foto 5: Bluja e thellë e plazhit të San Tropez-it, të cilin Bleona e ka vizituar në 2008-n, na mrekullon dhe na bën të ëndërrojmë për pak çaste. Në një motor uji shfaqet triumfatore, ndoshta ka fituar një bast apo ka arritur një qëllim? Rëndësi ka që duket e lumtur! E si të mos jesh, kur ke fatin të bësh një xhiro nëpër detin e San Tropez me stilistin e madh Roberto Cavalli!

Foto 6: Ajo i dhuron çaste gjithnjë të këndshme bashkëshortit Gani Bardha. Gjen një mënyrë për t’u dukur ndryshe apo për t’i përkëdhelur sedrën mashkullit që ka në krah. Në këtë foto ndodhen në Marbella, në gusht të vitit 2004. Komentet e tjera mund t’i bëni vetë!

Foto 7: Një fustan ngjyrë mente dhe sandale të kuqe për të zbritur shkallët e avionit. Destinacioni? Las Vegas mirëpret bukuroshen shqiptare.

Foto 8: Sapo ka vizituar Duomo-n dhe po shëtit përpara Galerisë, për të mbërritur përpara teatrit “La Scala”. Bleona Qereti viziton për të disatën herë Milanon në vitin 2005. Në të vërtetë është një nga qytetet e saj të preferuar, atje ku lindin tendencat, epiqendra e modës!

Foto 9: Rikthim në Milano në vitin 2008, këtë radhë pranë një kolegeje me famë botërore si Kelly Rowland. Ndoshta një bashkëpunim? Nuk mendojmë se do na e kishin ruajtur sekret për kaq kohë, le të besojmë se ka qenë thjesht një takim miqësor.

Foto 10: Ajo gjen kohë edhe për sporte të tilla si ai i golfit. Sikur të ishte një profesioniste e vërtetë, në foton e shkrepur në 2008-n, në Palm Springs, Kalifornia, shfaqet më e përqendruar se kurrë në sportin që është quajtur nga të gjithë si sporti më elitar.

Foto 11: E veshur për të bërë ski në Aspen, dhjetor 2010. Edhe pse mesdhetare, e pamësuar me temperatura kaq të ulëta, eksperimenton duke dëshmuar se di ta shijojë jetën, t’i shohë plotësisht ngjyrat që ajo na përcjell.

Foto 12: Në Punta Cana, janar i vitit 2005. Flokë të kapur me gërsheta të vogla, një majmun i vogël në duart e saj pranë një pishine luksoze. Kjo foto vlerësohet kështu: argëtim pa limit për Bleona Qeretin!

Foto 13: Një tjetër foto nga Punta Cana në vitin 2005, ku Bleona po praktikon zhytjen me këto syze të mëdha uji.

Foto 14: Një çift i mrekullueshëm në një sfond magjepsës. Dashuria e tyre ka “pushtuar” ambientin përreth dhe kanë të drejtë të mendojnë ato çaste se në botë gjenden vetëm ata, po vetëm ata të dy!

Foto 15: Kemi përzgjedhur jo pa qëllim ta përfundojmë këtë rrugëtim në Spanjë, në vitin 2004. Sepse kjo foto shpreh shumë, pavarësisht thjeshtësisë që e karakterizon. Çifti transmeton mesazhin e dashurisë për të gjithë lexuesit tanë, sepse e gjithë bota rrotullohet prej kësaj force të mbinatyrshme!

Shpresojmë t’ju kemi futur sadopak në mendime, por njëkohësisht ju kemi argëtuar me udhëtimet fantastike të këngëtares së famshme Bleona Qereti duke ju treguar se jo çdo ëndërr bëhet realitet vetëm në përralla. Jetoni çdo çast dhe nëse dini ta bëni këtë, keni afruar rreth vetes vendet më të bukura të botës. Ne do të kemi kënaqësinë që në numrat e ardhshëm të hipim në “qilimin fluturues” të tjerë personazhe të dashur nga ju, mjafton të prisni!
/Paloma/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here