Kemi lajme të mira nga përtej oqeanit. Bleona Qereti, është drejt kurorëzimit të ëndrrës së saj, që mban emrin Hollywood.

Albumi ka përfunduar tashmë; në axhendë është xhirimi i videos dhe turi mbarëbotëror që do të nisë me Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi.

Jeta private që duket se me gjithë thashethemet që qarkullojnë vazhdon të shkojë vaj, filmi me Steven Seagal dhe dita e Bleonës nga mëngjesi në darkë…Në një rrëfim te veçantë për faqet e verës.

Bleona, cilat janë angazhimet e tua këto kohë?
Unë jam në përfundim të albumit dhe në prag të xhirimit të videos së parë në album.
Kanë ardhur lajme që ke punuar me producentin Timbaland, e madje se ke përgatitur një këngë me motive popullore; është shkruar se ke regjistruar në studion e Michael Jackson; ke punuar me një nga kompozitorët e Rihannës, Tiao Cruz Makeba, etj. Çfarë ka ndodhur me këngët që ke realizuar në këto studio?
Këngët kanë përfunduar pothuajse të gjitha. Timbaland ka bërë 3 këngë, Rodney Jerkins (Darkchild) ka bërë 3 këngë, dhe këngët e tjera janë realizuar nga Skydancers në Francë dhe Stopwaitgo në Iceland. Siç thashë më parë, jam në prag të xhirimit të videos së parë. Drejtori i videos do të jetë Ray Kay (Ray ka bërë të gjitha videot, duke nisur nga Brintey deri te Gaga).
E ke thënë gjithnjë se qëllimi yt është tregu ndërkombëtar i muzikës. U bënë vite tashmë…Çfarë ke arritur në këtë qëllim deri tani dhe çfarë ka mbetur ende?
Po, është e vërtetë. Sigurisht që janë bërë vite, sepse gjërat nuk janë të lehta. Po të ishin, çdo njeri do kishte ardhur këtu dhe do kishte bërë namin. Para disa ditësh pashë në kinema filmin e Katy Perry dhe aty kuptova që unë kam qenë me shumë fat që e gjithë kjo punë më në fund është në prag të përfundimit, mbasi Katyt i janë dashur pothuajse 7 vjet për të nxjerrë albumin. Është jashtëzakonisht shumë e vështirë dhe asnjë njeri nuk të garanton sukses. Atë ta garanton vetëm publiku.
Kanë dalë shumë yje muzikore botërore ndërkohë përgjatë këtyre viteve. Cili është sekreti i të qenit i famshëm në botë?
Të gjithë këta njerëz që kanë dalë ju i shikoni në televizor dhe kujtoni se janë bërë yje për një natë. Të tërë këta njerëz pa përjashtim kanë ndenjur underground për të paktën 2-3 vjet.
Besoj se kjo është një punë që do edhe shumë investim financiar. Sa e kushtueshme ka qenë për ty, dhe si ia ke dalë?
Siç bëjnë të gjithë, me sakrifica. Kur unë dëgjoj çfarë sakrificash kanë bërë njerëzit këtu, çuditem. Unë të paktën kam një shtëpi dhe mamin e babin që më japin ngrohtësi. Nuk ka nevojë të përmendim çmime; unë kam bërë me të vërtetë shumë sakrifica, por nuk jam pishman.
Ke deklaruar diku në një media shqiptare, se tapeti i kuq të ka njohur me shumë personazhe të famshëm e madje se disa prej tyre i ke miq. A janë në fakt kaq të hapur VIP-at botërorë për të zënë miqësi të reja dhe çfarë do të thotë për ty kjo miqësi?
Sigurisht që janë të hapur. Këtu nuk ka xhelozi, (të paktën në fytyrë kur të takojnë, ose kur janë përpara kamerave), miqësia është thjesht miqësi. Unë dal për ndonjë çaj pasdite apo në darkë me njerëz të njohur këtu por, ata që kanë në dorë të të ndihmojnë nuk janë yjet e Hollywood-it (aktorët apo këngëtarët). Janë ata që rrinë mbrapa skenës dhe nuk dalin kurrë në televizor. Dhe unë kam shumë miq edhe nga ajo kategori. Por një gjë është e sigurtë: Sado shoqe apo mike të të kenë, je ti ajo që duhet të kesh talent dhe t’ju provosh në më tepër sesa një rast që ti bën për këtë punë. Është si tip testi. Duhet ta kalosh! Dhe je ti ajo që do dalësh në skenë në fund të fundit dhe do masësh forcat me gjithë të tjerët.
Nga statuset e tua në Twitter dhe Facebook ka dalë lajmi se do të luash edhe në një film. A mund të më thuash më shumë rreth këtij projekti?
Është thjesht një rol i vogël në episodin “True Justice”, ku stari kryesor është Steven Seagal. Duke qenë se ne kemi pasur miqësi që 3-4 vjet, tashmë më ftoi në audicion dhe unë fitova. Dhe karakteri im ishte nga Andaluzia dhe e ndërruan; e bënë shqiptare dhe unë kam folur shqip në film. Filmi del në nëntor, këtu në Amerikë, në kanalin televiziv “Reelz”.
Bleona, sa vite ke pa ardhur në Shqipëri?
Që në nëntor të 2010-ës, d.m.th një vit e gjysmë tani.
A nuk mendon se duhej te ishe pak më e pranishme edhe këtu?
Unë kam qenë shumë e zënë me obligime dhe më është dashur të punoj në studio për 2 vjet rresht dhe thjesht udhëtimi ka qenë i pamundur. Kjo është arsyeja që e kam marrë mamin dhe babin këtu, sepse nuk kam pasur mundësi të udhëtoj. Por këtë fund vere unë me shumë mundësi do të rikthehem me një tur super të fuqishëm. Sigurisht që promovimin e albumit në radhë të parë do ta nis me koncertet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni!
A ke ndonjë projekt që e ruan për ta realizuar në Shqipëri?
Turin më të bukur, për të cilin kam kohë që përgatitem! Më ka marrë malli shumë shumë shumë shumë të jem në skenë afër me fansat e mi. Unë, në Facebook dhe Twitter jam shumë afër me ta dhe iu kthej përgjigje zakonisht të gjithëve, por është tjetër ndjenjë kur i ke pranë dhe të jesh në skenë.
Ka dalë në modë këtej që këngëtare të reja bëhen pjesë e formatit të politikës. E ke shprehur edhe ti që Berisha është politikani yt i preferuar. A të tundon ndonjëherë ideja e një përfshirjeje politike edhe ty?
Jeta ime është muzika dhe jo politika. Unë asnjëherë nuk kam bërë atë “që ka qenë në modë”! Gjithmonë kam bërë atë që më ka thënë koka. Por Dr.Sali Berisha është njeriu im më i preferuar! Kjo ka lidhje me koncertet e “Vizion Plus”-it që kemi bërë në 1996-ës kur unë kam qenë akoma fëmijë. Jozefina Topalli, Lulzim Basha dhe Majlinda Bregu janë të tjerë politikanë për të cilët ndihem krenare që i kam miq dhe që kam pasur nderin t’i njoh nga afër. Janë njerëz të cilët, pa marrë parasysh sa larg jam, do të jenë gjithmonë në zemrën time dhe unë iu uroj çdo të mirë në jetë!
Jeta jote personale? A je ende e martuar me Gani Bardhën dhe, nga dolën thashethemet e disa kohëve më parë që ishit divorcuar?
Gani është njeriu më special në jetën time dhe kjo nuk ka vend për diskutim! Unë gjithmonë do të jem marrëzisht e dashuruar mbas syve të tij. Gani është bërë personazh këtu, sepse duket si yll Hollywood-i me fizikun që ka. Kur jemi nëpër darka, ka njerëz që vijnë më takojnë mua në tavolinë dhe pastaj kthehen nga Gani dhe e pyesin: “Hë, si i ke punët me karrierën? Kur del filmi?”. Dhe Gani, që nuk ka lidhje fare me këto, ia plas të qeshurit dhe u thotë: “Unë nuk kam menaxher ose agjent apo trajner…Unë jam Gani.” (qesh) Jetës nuk i dihet, po sikur unë të martohem dhe 100 herë të tjera, vendin e Ganit nuk do ta zërë askush. Mendoj se ai do vijë në Shqipëri me mua në turin që kam në plan të bëj në fund të verës!
Si është e ndërtuar një ditë e jotja, nga mëngjesi në mëngjes?
Zgjohem në mëngjes, pi kafen dhe një smotthie me të gjitha vitaminat dhe perimet që i duhen trupit, pastaj shkoj ushtrohem me trajnerin për një orë e gjysmë. Pastaj ulem në kompjuter t’u përgjigjem e-mail-eve ndoshta për 3 orë, dhe më pas ushtrohem me profesorin e kantos në “Skype”. Më vonë shkoj në yoga apo në balet dhe pasdite dal për të bërë të gjitha takimet që kam lënë. Darkën e kaloj në studio. Nuk është jetë pa sakrifica. Kur nuk kam punë në studio, shkoj në kinema (qesh).
Amerika është toka e premtuar për shumëkënd, por ata që e provojnë thonë se është shumë e vështirë t’i mbijetosh ritmit të saj. Akoma më shumë duhet të jetë të bëhesh e njohur atje. Po për ty, sa e vështirë ose e lehtë është Amerika?
Është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Asgjë në këtë jetë nuk është e pamundur…
Cili është suksesi më i madh që mendon se ke shënuar përgjatë këtyre viteve që ke jetuar jashtë?
Suksesi më i madh është që unë jam maturuar dhe kam kuptuar që në këtë jetë, po pate disiplinë, talent dhe këmbëngulje, mund të shkosh shumë larg. Gjithashtu kam kuptuar që në fund fare “Gomarin e nxjerr i zoti nga balta” dhe nuk duhet të mbështetesh tek askush tjetër përveç vetes. Këtë e mësova në mënyrën më të vështirë. Në fillim kur u martova dhe erdha të jetoj me Ganin, prisja çdo gjë nga ai: “Hajde më ço këtu me makinë, hajde më ço atje, hajde më ço në studio…”. Gani duroi një javë me këtë ritëm dhe javën e dytë të martesës më tha: “Kam një dhuratë për ty. Kjo është harta, kjo është makina, këtu janë instruksionet si të mbushësh benzinë (sepse këtu dhe benzinën e mbush vetë) dhe mua mos më merr në telefon nëse humb. Unë nuk jam zezaku yt!”.
Nuk i fola për një muaj… I thashë: “Ti je katil, ti nuk ke zemër. Ta tregoj unë kur të vish në Shqipëri. Do të të lë vetëm në Krrabë në dy të natës, pa makinë, që të vish në këmbë në Tiranë”.
Por tani pas kaq vitesh e kuptoj që ai më ka bërë një nder shumë të madh, sepse ishte e vetmja mënyrë që unë të vetëveproja dhe të isha e pavarur. E theksoj edhe një herë: Gani më ka bërë nderin më të madh që nuk më ka ndihmuar, sepse jam bërë e zonja e vetes në gjithçka! Tani që prindërit erdhën në Amerikë unë iu bëra të njëjtën gjë. Përgjigja e mamit ishte: “Bravo të qoftë! Qenke bërë dhe ti amerikane dhe nuk do t’ia dish për prindërit. Unë nuk rri këtu, nesër kthehem në Tiranë. Të paktën atje e di rrugën deri te liqeni të pi kafe në mëngjes”. Pastaj mbaroi me: “Nuk të gatuaj, nuk ta bëj kafen, nuk t’i laj rrobat (qesh)”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here