blendiCili është mëngjesi juaj rutinë?

Fare i zakonshëm. Në ndryshim nga të tjerët besoj se është thjesht më i vonshëm. D.m.th, unë ngrihem rreth orës 09:30:10:00 dhe e kam të fiksuar takimin e parë thuajse gjithnjë në 11:00.

Cili do të ishte mëngjesi juaj ideal?

Nuk e kam menduar këtë. Në situata të ndryshme mëngjeset janë të ndryshëm. Në verë, në plazh, ai është më i gjatë dhe nuk ka presionin e kohës për takimin që vjen pas ose angazhimet e ditës, është më relaksues. Atë të ditëve të punës e përshkrova. Nuk besoj se kam menduar ndonjë mëngjes ideal.

Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?

S’kam ndonjë vend të preferuar, ose të veçantë për kafen. Jashtë shtëpisë ai mbetet vendi ku kam lënë takimin atë mëngjes. Mund të jetë në Rogner, Sheraton, në ndonjë nga baret e zakonshme në qendër, në barin e Klanit, por më së shumti në zyrë.

Me kë dëshiron të jeni në këtë gjerbje kafeje mëngjesi?

Kam përshtypjen që gjerbjen e kafesë ju e mendoni një ritual shumë të veçantë. Nuk i kushtoj as kaq kohë dhe as kaq vëmendje. Kryesisht jam me time shoqe, por gjithnjë duke lexuar lajmet e mëngjesit në Ipad ose duke parë lajmet! Zakonisht gjesti i parë në mëngjes është kthimi i celularit nga “silent” në “normal” dhe këqyrja e thirrjeve të humbura, mesazheve dhe email-eve. Kontrolli i audiencës së një nate më parë që më dërgohet nga qendra e monitorimit më merr thuajse 10 minuta. Ndërkohë tv është në ABC News për të parë se ç’po ndodh. Menjëherë pas tyre lexoj lajmet më të fundit nga vendi dhe shoh ato flash në Euronews apo BBC. Kryesisht në faqe janë një apo dy lajme të reja dhe të ndryshme nga ato që kam lënë mbrëmjen e shkuar, përpara se të fle. D.m.th, kafja është një veprim më shumë instiktiv dhe jo një ritual kaq shumë i menduar.

A ju pëlqen puna që bëni, profesioni që keni?

E kam thënë edhe herë tjetër që privilegji ndoshta më i madh që kam pasur në jetën time është se bëj punën që kam ëndërruar të bëj. Me shumë njerëz kjo nuk ndodh. Për hir të mbijetesës, ose edhe jetesës së përditshme; për hir se duhet të jetojnë dhe të sigurojnë jetesën e familjes, shumë vetë detyrohen të bëjnë atë punë që gjejnë ose atë punë ku fitojnë më shumë. Ka njerëz që në adoleshencën e tyre kanë ëndërruar të bëhen mjekë, këngëtarë, avokatë, piktorë, por rrjedha e jetës i ka shtyrë në shtigje të tjera. Shumë prej tyre bëjnë punë që ju sjellin fitime shumë më të mëdha sesa ai i profesionit të ëndërruar, por thellë-thellë brenda vetes, ata e vuajnë ëndrrën e parealizuar. Mbaj mend që dikur kam lexuar për miliarderin e parë rus, i cili me një pasuri prej 1.7 miliard USD i braktisi të gjitha dhe u shndërrua në një fermer në Siberi. Në një intervistë sqaronte se ishte ëndrra e tij të jetonte dhe punonte në një fermë. Jam i sigurt se ai njeri që mund të blinte ferma sa të donte në çdo cep të globit, ishte i lumtur me fermën e tij siberiane. Kam frikë se shumë vetë, përfshi edhe mua, s’do ta ndiqnin shembullin e tij, por ai rast më shërbeu për të kuptuar se sa me fat jam që bëj punën që do kisha ëndërruar të bëja. D.m.th, që çohem në mëngjes, thuajse gjithnjë me kënaqësi që po shkoj në punë.

A u devijoni shpesh detyrimeve apo afateve ditore që keni?

Padyshim që kjo ndodh, si me çdo njeri. Por unë kam një angazhim specifik që më ka disiplinuar mjaft. Emisioni që unë drejtoj është 4 herë në javë. Në njëfarë mënyre ai është i përnatshëm. Në orën 22:30 unë duhet të jem në studio me të ftuarit e mi dhe asnjë arsye në botë nuk e justifikon mungesën. Shikuesi nuk do t’ia dijë nëse ti je ndjerë mirë apo keq; ke qenë i gëzuar apo i trishtuar atë ditë; nëse je me grip apo diçka tjetër ka trazuar jetën tënde. Duhet të jesh atje çdo natë dhe për asnjë arsye nuk mund të thuash nuk po shihemi sot, shihemi nesër. Madje duhet të jesh gjithnjë aktiv, i qeshur dhe i gatshëm për të ndërhyrë. Ky është viti i 16-të që unë s’mungoj në asnjë takim me shikuesit dhe kjo gjë është edhe një lloj detyrimi. Nëse nuk do ishte tv, a do t’i shtyja detyrimet për të nesërmen? A do lija ca gjëra për hir të diçkaje që mund të më dukej më interesante? Me siguri që po!

Si ia bëni që jeni kaq korrekt me shikuesit, jo për një por katër net në javë? Çdo tokësor ka arsye e të papritura për të mos qenë dot kaq korrekt në punë…

Natyrisht, për një situatë ekstreme ka gjithnjë 2 apo 3 emisione të regjistruara, kryesisht dosje, por ato përdoren veç në raste emergjence. Nuk dua të hyj në detaje, por në një rast shumë të dhimbshëm për mua…në dhjetor të 2010, rezervat mbaruan dhe m’u desh të shkëputesha nga një problem familjar për të realizuar një intervistë të paralajmëruar me Thaçin në Prishtinë. Udhëtova pasdite dhe u ktheva natën vonë. Isha aq i trishtuar, por nuk doja që kjo të reflektohej në ekran. Në fund të fundit, shikuesi s’do të dijë kurrë për ty, por gjykon produktin tënd. Televizioni është i tillë dhe të qaravitesh s’ka asnjë vlerë!

Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur nga ju?

Sapo e shpjegova që s’më duhet një gënjeshtër për këtë. “Gënjeshtra e bardhë” nuk iu thuhet dot shikuesve dhe në fund të fundit, në ekran, çdo gënjeshtër, qoftë e bardhë, e zezë apo gri, nuk mund të jetë gënjeshtër. Është thjeshtë dështim!

A jeni dembel? Nëse po, kur ju ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?

Nuk besoj. Në përgjithësi jam natyrë aktive. Edhe kur jam në shtëpi dhe s’kam gjë për të bërë, filloj merrem me sistemimin e librave ose skedoj lajme dhe ngjarje që s’duhet t’i harroj. Por ka shumë gjëra që s’më pëlqen t’i bëj dhe i marr me përtesë, si çdo njeri. Nëse ky quhet dembelizëm, ok le ta marrim të tillë.

Ç’gjëra janë këto që s’ju pëlqejnë?

Varet. P.sh, nëse kam për të shkruar ndonjë libër a ndonjë artikull dhe ndjej përtesë, them, po e bëj nesër. Nëse duhet të shkoj diku dhe sa më shumë afrohet koha, aq më shumë përtoj, i gjej vetes ndonjë justifikim për të mos shkuar. Është gjithnjë justifikim me veten, që s’ka vlerë, por ja që e bëj!

Ku ju zë dreka zakonisht?

Ora 13:00 më zë thuajse përherë në mbledhjen e ditës me stafin. Diskutohet emisioni i mbrëmjes, kronikat, planet për të nesërmen apo për javën. Mbledhja zgjat thuajse një orë dhe në ditë të caktuara kur është planifikimi javor, edhe 2. Përpara orës 13:00 jam ose në takime në qendër ose në zyrë duke bërë gati argumentet e mbledhjes dhe materialet që do diskutohen. Në ora 14:00 zakonisht ha drekë në zyrë ose në restorantin e Klanit. Qëllon që kam dreka pune në qendër dhe për këto zbres diku pas orës 14:00. Por zakonisht s’lë më shumë se 2 dreka pune në javë.

Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën tuaj?

Thuajse të njëjtët kur jam jashtë Klanit. “Sofra e Ariut”, “Piaza”, “Padam”. Herë-herë “Artisti”, “Logoreci”, “Yamato” ose ABA 21.

Fton apo ju ftojnë më shpesh për dreka?

Them se ftoj. Zakonisht janë dreka pune. Që do të thotë se ti fton njerëz me të cilët ke punë dhe shumë më pak iu përgjigjesh ftesave të njerëzve që s’kanë lidhje me punën.

A jeni kursimtar?

Nuk besoj. Por as ndonjë shpërdorues i madh jo. Jam njeri që jepem pas pasioneve të mia dhe pasionet s’janë asnjëherë iracionale!

A keni në rit gjumin apo pushimin e drekës?

Kurrë. Unë në fakt fle zakonisht 7 – 8 orë, por kurrë në drekë. Kjo s’mund të ndodhë në Tiranë, por zakonisht s’ndodh as në plazh në verë. Pastaj një njeri që zgjohet në 10, s’mund të flejë sërish në 2! Duket fare absurde.

Kur keni qenë i vogël, a jua kanë diktuar prindërit pushimin e detyruar të drekës? Bënit rrenga për t’i shpëtuar?

Ka qenë një nga torturat e mia dhe besoj të gjithë brezit tim. Prej tij më ka mbetur ai ankthi i orës që duket sikur nuk ecën. Në ora 2 deri në 5 lagjia duhej të binte në qetësi dhe unë duhej të shkoja në krevat. Beteja ishte e gjatë dhe shpesh qëllonte që kthehesha nga shtrati pasi kisha vënë në gjumë babin, por vetë jo. Me kalimin e viteve, ndoshta nga mosha 10-vjeçare gjeta një kompromis. Prindërit s’do më vinin në gjumë më zor, por unë s’do të dilja jashtë. Rrija me ankth me sytë në akrepat e orës sa të shkonte 5 që të dilja. Ende kujtoj që midis 5 – 5:15 ishte dalja triumfuese e gjithë fëmijëve të lagjes. Edhe pse mendoj se prindërit kishin të drejtë. Sot, identik si ata më bezdisin zhurmat e adoleshentëve në drekë, edhe pse mendoj se po të isha si dhe sa ata do sillesha njësoj.

Çfarë keni ruajtur që nga fëmijëria?

Pothuajse gjithçka. Në radhë të parë këtë që jam sot. Ka qenë një kohë e bukur siç është për çdo njeri fëmijëria, por edhe një kohë që pa e kuptuar më ka mësuar të jetoj vetë dhe të jem i aftë për gjërat e mia. Kam qenë 11 vjeç kur im atë më besoi diçka që zakonisht i besohej një të madhi dhe s’kisha mbushur ende 12 kur duhej të kujdesesha vetë për veten time. Ndoshta kjo sot s’është një gjë e bukur, por në atë kohë unë s’e kuptoja, s’ndihesha keq dhe mbi të gjitha, u mësova t’i zgjidh vetë problemet e mia! Cilatdo që të ishin ato.

Cila është koha që mbart për ju kujtimet më të bukura?

Vite më parë kam shkruar një ese që është botuar në librin “50 +1″ të titulluar: “Kur ke qenë i lumtur në jetë?” Ndërsa e shkruaja, mendoja se kur realisht kam qenë i lumtur në jetë? Kur kanë qenë kujtimet më të bukura? Ato që më fanepsen janë detaje nga fëmijëria; atmosfera në stadium; bisedat e pakohë dhe fisnike të stërgjysheve të mia; ai qëmtim momentesh të mrekullueshme që duket sikur nuk kthehen më. E ke vënë re që në fëmijëri gjërat e këqija i koncepton edhe fizikisht të shëmtuara. Kanë formën e ujkut, balozit e kuçedrës. Me kalimin e kohës kupton se gjërat e padëshiruara në jetë nuk të vijnë veç nga persona të shëmtuar! Por jeta është e mbushur me surpriza, të bukura apo të dhimbshme.

Ç’ndodh me sekretet tuaja? I rrëfeni diku, i shkruani diku, i mbani vetëm për vete…? A keni mbajtur ditar?

S’e kam idenë për sekretet. S’e di a ka të tilla?! Ka gjëra që mund të fliten e të diskutohen dhe gjëra që s’kanë pse detyrimisht t’i dinë të tjerë. Në përgjithësi unë s’flas për gjërat e mia. Ose flas për ato gjëra që më pëlqejnë. Kjo lidhet edhe me tipin. Por as miqtë e mi s’janë njerëz që kanë dëshirë dhe as kohë për të ndarë sekrete. Janë të gjithë të zhytur në punët e tyre. Ditar po, por jo siç e mendoni ju. E mbaj mend mirë ditën kur kam nisur ta mbaj. Ishte 9 nëntor 1989 dhe lajmet po jepnin njoftimet për rënien e Murit të Berlinit. Intensiteti ishte kaq i madh dhe gjërat lëviznin me kaq shpejtësi sa pata frikë se do t’i harroja. Do ta humbja atë magjepsje që po vinte nga ekrani i vogël i tv. Nisa të mbaj shënim me nga një apo dy rreshta gjithë zhvillimet dhe këtë e bëj thuajse çdo ditë prej 24 vitesh. Është një ditar më shumë politik dhe i aktivitetit tim, por ka shumë ditë që ai është bosh se s’ka asgjë të veçantë për t’u shënuar. Thjesht tema e emisionit dhe emrat e të ftuarve. Dhe një sekret meqë më pyetët për të tilla. Në 2014-ën besoj se do të botoj një përmbledhje të tij. Deri tani është afro 850 faqe. Aty është gjithë tranzicioni dhe zhvillimi i Shqipërisë. Shpesh, kur kërkoj data të caktuara apo deklarata politike, befasohem se sa shumë informacion dhe personazhe ka në të.

Aha, prapë një libër i ri, politik… po ndonjë libër artistik, si pasardhës të “Hirit të vullkanit” a duhet të presim?

Ka diçka që më tundon. Nuk e di a do ta shkruaj. Kur nisa “Hiri i vullkanit” isha i bindur që tashmë s’do të shkruaja më kurrë letërsi. Që ajo kishte mbetur pas siç mbesin shumë ëndrra të rinisë. E nisa si një shaka dhe befas zbulova se gjithë ajo kohë e gjimnazit dhe fakultetit ishte brenda meje. Sa herë doja ta sillja në mend, sa herë e kujtoja me bashkëmoshatarë ose të njohur të vjetër, më turbullohej. Më dukej e largët. Kur nisa ta shkruaj u kthjellua befas. Ishte aty, më e freskët dhe fillova të rijetoja një kohë që e mendoja të humbur. Nuk e di nëse do hyj dot sërish në të. S’dua të premtoj një gjë që mbase s’do marrë formë kurrë, por nëse ky tundim do të kthehet në letërsi, do jetë një libër gjysmë biografik për familjen dhe fëmijërinë. Për familjen në të shkuarën se si vinte tek unë si fëmijë. Është njëherazi një rrëfim për historinë e Tiranës. Por kam frikë, se kujtimet janë më interesante dhe më magjepsëse sesa aftësia ime për t’i rrëfyer ato për të gjithë. Është si ajo poezia e Ilirian Zhupës, i cili i shtonte përditë vendlindjes nga një gjë në ëndrrat e tij, por pavarësisht mallit nuk e vizitonte kurrë, sepse mendonte se ishte edhe më e bukur se ëndrra.

Në mëngjes a e gjeni gjithmonë menjëherë atë që kërkoni në dollapin e rrobave?

Me sa duket, më ngatërroni me dollapët e këngëtareve, që siç i kam parë nëpër revista janë gjithnjë rrëmujë. Gardëroba ime është shumë e organizuar dhe s’humb kurrë kohë për të gjetur diçka.

Çfarë CD keni në makinë?

6 cd, 5 prej të cilave i ka zgjedhur ime shoqe. Veç një CD e kam zgjedhur vetë. Asistentja ime e përgatiti në Radio Klan sipas listës që i dhashë. Është aty gjithë nostalgjia e kohës kur dëgjoja muzikë, edhe pse, nga kjo anë jam fare amator. D.m.th, janë 2 këngë të Deep Purple, “Child in time” dhe “Smoke in the Water”; “Hotel California” i Eagle; “House of rising sun” e Animals, “Holliday” dhe “Wind of change” e Scorpions; “Mishell” e Beatles; “In the death car” dhe disa këngë të tjera.

Çfarë muzike keni zile telefoni?

Zilen klasike të telefonit. Atë që të kujton edhe tingëllimën e telefonit të vjetër në zyrë. Veç për time bijë kam vendosur një tjetër zile, është e vetmja muzike, Danub Blu. 4 -5 numra të tjerë që duhet të jem gjithë kohën në kontakt i kam me zile ndryshe, në mënyrë që kur bëj silent celularin, këto numra të bien gjithsesi.

A mund t’i dimë kush janë këta 4-5 persona?

Njerëz që lidhen me punën dhe që kur telefonojnë kanë diçka të rëndësishme! Ç’rëndësi kanë emrat… Secili nga ne ka telefonatat e tij të rëndësishme!

A keni miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?

Për fatin tim të madh i kam gjithë miqtë e vjetër. Jeta e ka sjellë që pothuajse të gjithë ne shokët e afërt të shkollës të punojmë me njëri – tjetrin, në një profesion. D.m.th veç miqësisë së vjetër, jemi të bashkuar edhe nga të njëjtat interesa dhe pasione. Kam frikë se në një kuptim miqësia mbetet e fortë kur njerëzit kanë edhe të njëjtat interesa; i bashkon e njëjta sfidë; e njëjta karrierë dhe e njëjta fushë. Kur rrugët ndahen, miqësia reduktohet tek nostalgjia për kohën që shkon, por rrallë mbetet miqësi e fortë dhe jashtë përditësisë. Por që të mos bëhem shumë teorik, por ju them se prej 30 vitesh vijoj të takohem me po ata miq dhe të jemi kryesisht bashkë. Ka të rinj që hyjnë në grup, ka të tjerë që largohen, por miqtë e vjetër mbeten po ata. Edhe pse disa janë renditur tashmë në kampe të ndryshme politike.

A jeni i hapur për miqësi të reja apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?

Jam i hapur për të takuar e biseduar me shumë vetë, por fjala mik është shumë e madhe. Besoj se miqësitë ngjizen në momente kur interesi nuk ekziston dhe kur sprova e vetme është besimi dhe pëlqimi reciprok.

Ku rrini zakonisht me miqtë?

Sipas rastit, në kafe, restorant, ose në shtëpitë e njëri – tjetrit!

Në ç’orë mbylleni zakonisht në shtëpi? Pra kur mbaron zakonisht dita juaj?

Togfjalëshi “mbyllje në shtëpi” nuk ekziston për një gazetar. Natyrisht, dita ka një fillim, por fundi është gjithnjë i panjohur. Kur isha në shtypin e shkruar, darka ishte koha që mbyllej gazeta. Nëse nuk kishte ndonjë surprizë ose lajm të momentit të fundit, ajo mbaronte diku rreth mesnatës dhe nëse nuk qëndroja ende për ndonjë gotë me miq, kthimi ishte gjithnjë rreth orës 00:30 – 01:00. Tani zakonisht kthehem rreth orës 1 të natës pasi ka mbarur emisioni dhe pasi jam ndarë me të ftuarit me të cilët diskutoj ende ndonjë gjë në këmbë në sallën e grimit të Klan.

Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tuaj?

Ajo më normalja është një kthim në shtëpi rreth orës 18.00. Qëndroj pak me time bijë, lexoj gazetat ose shoh lajmet në TV deri rreth orës 20 – 20.30. Gjatë kësaj kohe ha darkë dhe në orën 20.30 – 21.00 jam në zyrë ku bëhem gati për emisionin e radhës. Ai mbaron siç e thashë diku nga 1.00. Kthehem në shtëpi dhe zakonisht, për arsye të përqendrimit të madh në emision nuk mund të fle së paku edhe 1 orë e gjysmë 2. Është koha kur lexoj libra ose më rrallë, shoh në tv ritransmetimet e emisioneve të tjera që s’kam mundur t’i shoh gjatë darkës. Fiksoj personazhe që mund të jenë të ftuar; dëgjoj ndonjë ide interesante për t’u diskutuar. Por zakonisht lexoj. Midis orës 2:30 – 3:00 bie të fle. Të premte dhe të shtunë zakonisht jam për darka jashtë, i ftuar nga miq, apo në restorante. Këtu nuk hyn rutina e udhëtimit dhe unë udhëtoj shumë. E vetmja gjë që nuk ndryshon është ora e gjumit. Nuk fle kurrë përpara kësaj ore.

Zakonisht lexoni…ç’lloj librash zgjidhni për këto orë të vona?

Ndonjë roman që më ka tërhequr vëmendjen. Zakonisht këto mi rekomandojnë njerëz që kam besim. Por më shumë biografi politike, libra me kujtime dhe libra historikë. Ka raste që ju kthehem librave të vjetër për të parë nëse provoj sërish të njëjtin emocion. Qëllon shumë rrallë edhe poezi që më kanë magjepsur dikur. Ka kohë që lexoj në Ipad, por tek koka e krevatit gjenden në çdo kohë 3 – 4 libra!

Po si mbrëmje ideale, cila do të ishte?

Nuk besoj se do të ishte ndryshe nga kjo! Ose s’e kam menduar. S’kam menduar se si mund të ishte  në mbrëmje kur dita e punës mbaron në 6 apo 7. Për arsye të profesionit, kjo s’ka qenë kurrë rutina ime, por as lakmia që kam.

Kush është njeriu i fundit që i thoni “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?

Zakonisht time shoqeje që më pret gjithnjë kur vij nga emisioni, por nëse llogarisim dhe puthjen e përnatshme të gocës që është ndërkohë në gjumë dhe fjalët: “babush të dua shumë”, që ja them në vesh me bindjen se ajo i ndjen edhe pse nuk i dëgjon, i bie që është ajo. E di që kjo fjalë nuk e zëvendëson mungesën e vazhdueshme të kohës për të ndenjur me të; e di që ajo ka nevojë për mua; e di që ne nuk jemi prindër aq të mirë sa kanë qenë prindërit tanë me ne, por mendoj se ajo do ta ndjejë dhe një ditë do ta kuptojë që dashuria e prindit, në çdo formë që të shfaqet, është e njëjtë! Është një ndjenjë e lashtë sa bota dhe që s’do të ndryshojë sa kohë të ketë jetë!

Vajza ma kthen në mëngjes, kur vjen me puth përpara se të ikë në shkollë.

GAZETA MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here