Vitet e gjimnazit i kujton plot nostalgji edhe për faktin se në këtë kohë filloi angazhimi i tij si prezantues pranë televizionit publik, të vetmes media vizive në atë kohë.

Bledi Strakosha, prezantuesi simpatik i ekraneve shqiptare, vjen sot në faqet e suplementit me një rrëfim special. Vitet e shkollës së mesme në politeknikum, ku në klasë nga 31 nxënës, vetëm 2 prej tyre ishin vajza.

Lënia e orëve, lënda e preferuar, këshillat e babait për t’i dhënë më shumë rëndësi shkollës, notat dhe puthja e parë, të cilën se harron as sot e kësaj dite…

Si i kujtoni vitet e gjimnazit?
Kanë qenë vitet kur në Shqipëri lulëzonin “Piramidat”, një lloj bollëku në dukje e kur të gjithë vetëm pinin kafe e dridhnin zinxhirët në pritje të shtimit të 0-ve në shumat që kishin futur në firmat e ndryshme. Megjithëse adoleshent, isha krejt kundër, kryesisht për shkak të ndikimit të familjes sime, që nuk futi kurrë para në firmat piramidale, por edhe prej faktit që sapo kisha filluar të bashkëpunoja me RTSH. Kisha shumë pasion e ambicie, e falë mbështetjes që asokohe gjeta në të vetmen media elektronike në Shqipëri, i realizova. Me gjithë periudhën e errët të Shqipërisë që ishte në një tranzicion, sidomos identiteti, më duhet të pohoj se ato vite i kujtoj me shumë nostalgji, por më shumë prej kujtimeve të shumta që kam në RTSH, se sa në shkollë.
Çfarë ju bie më shumë në mend nga ajo kohë?
Varfëria, jo financiare por në ide, në guxim. Mbaj mend se ishte koha kur kafenetë u kthyen në “institucionin” më të rëndësishëm në vendin tonë. Shpesh madje linim orët e mësimit vetëm për kënaqësinë e të pirit kafe.
Cila ishte lënda juaj e preferuar?
Letërsia, historia dhe frëngjishtja.
Po lënda që nuk e duronit dot?
Meqenëse e kam kryer gjimnazin në shkollën e mesme elektrike, ose Politeknikum siç njihet ndryshe, kishte shumë lëndë ekzakte, të cilat të them të drejtën s’i kam pasur shumë qejf, ndaj më duhet të pohoj së lista e lëndëve që s’i duroja dot ishte e gjatë.
Sa orë në ditë mësonit?
Për fat të keq jo më shumë se dy orë, pasi menjëherë pas shkollës shkoja në TVSH, e kthehesha në darkë vonë në shtëpi shumë i lodhur. Më duhej të përgatisja materialet për emisionet e nesërme, e të bëja detyrat gjithashtu. Por kam pasur kujtesë të mirë, e shpesh i shfletoja mësimet herët në mëngjes.
Çfarë notash merrnit zakonisht?
Vlerësimet kanë qenë në varësi të lëndëve, por kam qenë një nxënës me rezultate mesatare, jo një nxënës i shkëlqyer. Kam marrë 10-ta, 7-a, 5-a, të gjitha notat e mundshme.
Keni marrë ndonjë herë katër?
Sigurisht.
Flet sot me shokët e shoqet e gjimnazit?
Me disa prej tyre po, kam kontakte të vazhdueshme. Për disa as nuk e kam idenë se ç’bëhet. Për fat të keq nuk kam asnjë foto me ta, sepse asokohe në Shqipëri (flas për vitet ’94-’98) aparatet fotografikë nuk gjendeshin kollaj.
Ç’marrëdhënie keni pasur me mësueset?
Oh, jashtëzakonisht të mira. Më duhet të pohoj se kam pasur mbështetjen e tyre maksimale për karrierën time, e mbaj mend se i komentonim shpesh në orët e mësimit programet e mia. Shpesh më duhej të largohesha nga shkolla orët e fundit për të shkuar në punë, e mësueset nuk më vinin mungesa.
Ndonjë mbresë tjetër pozite?
Mësueset i kam pasur më shumë mikesha, se sa mësuese dhe kurrë nuk jam ndjerë keq me to.
Dëgjonit muzikë atëherë?
Sigurisht. Mua më duhej ta bëja këtë edhe për shkak të punës. Atëherë TV nuk funksiononte si sot, ku këngët që të pëlqejnë, apo që të interesojnë për programin mund t’i blesh. Atëherë të duhej të rrije gjithë ditën me gishtin gati tek butoni “REC” në sektorin e satelitit në TVSH për të regjistruar këngën më të suksesshme të momentit, nëse kishe fatin që kanalet MTV, apo MCM ta transmetonin.
I ngacmonit vajzat, kishit ndonjë fiksim?
Jo. Në përgjithësi nuk para ngacmoj, (qesh). Fiksimi im i vetëm atëherë ka qenë karriera në media.
Po puthjen ose dashurinë e parë e mbani mend?
Sigurisht. Si mund të harrohet?!
Gjatë viteve të gjimnazit ju u bëtë i famshëm. Si ndryshoi jeta juaj, si ndryshoi Bledi?
Atëherë ka pasur shumë pak njerëz të famshëm, sepse ka pasur pak media. Përveç TVSH-së, filluan edhe Shijak TV dhe Alba TV, e më vonë edhe TVA, por kryesisht mediat private jepnin filma, jo programe të prodhuara prej tyre. Kështu që në krahasim me sot, bëheshe i njohur më lehtë se sot, sepse njerëzit të fiksonin kollaj. Ka qenë bukur. Më flisnin rrugëve thuajse të gjithë, sidomos bashkëmoshatarët. Por, nuk besoj se fama më ndryshoi, unë thjesht vazhdova të isha Bledi adoleshent, si kushdo tjetër.
Si i kujtoni herët e para kur dolët në ekran?
Plot emocione, por edhe shumë lumturi. Lumturi në kuptimin e plotë të fjalës, gjë që ka vite që të paktën puna s’ma dhuron më. Por theksoj se kurrë nuk do harroj mbështetjen që m’u dha, sidomos nga Ylli Pepo e Ketrin Gjoçaj.
Çfarë ju thonin miqtë në këtë kohë?
Gjërat e zakonshme që i thuhen një të riu që del në TV. Por ne kemi qenë një brez më naiv se të rinjtë e sotëm, rrjedhimisht kemi qenë më të vërtetë. Ndaj më pëlqenin më shumë komplimentat atëherë…
I keni pas lënë orët e mësimit?
Po, po, sidomos orën e parë e të fundit dhe orën e fizkulturës, që s’e kam pasur fort qejf.
Ku shkonit?
Shpesh shkoja tek gjyshërit, që banojnë edhe sot jo shumë larg shkollës “Harry T. Fultz”, por kryesisht mblidheshim më shokë e shoqe në ndonjë cep të shkollës që ka pasur një oborr shumë të madh.
Realizonit party në atë kohë?
Po, por jo me klasën. Edhe për faktin që ishim 31 veta në klasë, mes të cilëve 29 djem, e vetëm dy vajza. Plus që shumica e shokëve ishin nga rrethet e jetonin në konvikt ku hyrjet e daljet ishin sipas një orari të caktuar.
Për çfarë ju bërtisnin më shpesh prindërit?
S’mbaj mend të më kenë bërtitur ndonjëherë, sidomos në këtë periudhë. Ata kanë pasur gjithnjë besim tek unë e kurrë s’kanë dashur të më “diktojnë”. Por babai më thoshte shpesh se shkolla ishte më e rëndësishme se TV, e kishte të drejtë, sot e kuptoj këtë edhe pse atëherë s’më vinte mirë kur e dëgjoja.
Çfarë ëndërronit të bëheshit kur ishit në gjimnaz, për çfarë donit ta ndiqnit universitetin?
Vetëm TV kam pasur në mendje gjithë jetën time, për fat të keq (qesh), gazetar dëshiroja të bëhesha.
Si vijoi arsimimi juaj?
Shkova në Itali për të studiuar gjuhë dhe letërsi Frënge. Kam kryer më pas një sërë kursesh disa javore, apo mujore për TV.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here