Dikur dilte rregullisht në takime të sajuara, falë të cilave ka shijuar aventura seksuale të kënaqshme. Tashmë i duken krejt të papërshtatshme.

Ndoshta sepse përvoja e ka mësuar se ia vlen gjithnjë e më pak të kesh një lidhje. Është gati të rrijë single deri në vdekje, vetëm e vetëm për të mos krijuar një familje nga halli.

Me kë jeton?

Vetëm. Por dita gjithsesi kalon me shumë miq e familjarë. Shtëpia ime është një portë e hapur për njerëzit që dua, ndaj vërtet ndajmë shumë kohë me njëri-tjetrin. Ah, pa harruar qentë e mi të mrekullueshëm, të cilët tashmë i ndiej sikur të jenë një me mua.

Cila është gjëja më e bukur e të qenit single?

Ka plot gjëra të bukura, por kryesorja mbetet që mund të bësh ç’të duash pa u shqetësuar nga njeri. Mund ta mobilosh shtëpinë siç të pëlqen ty, mund të ndjekësh stilin tënd të jetesës me ritmet e tua, pa askënd nga pas që të dikton apo të ngut.

Po gjëja më e keqe?

Vetmia. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me vetminë, por nëse jam unë që e zgjedh. Kur jeton vetëm të qëllon jo rrallëherë që të duash të kesh dikë pranë, por jo gjithnjë kjo është e mundur. Përveç vetmisë, të duhet të mësohesh të kryesh edhe disa punë apo detyra, të cilat nëse do jetoje me prindërit nuk do të duhej t’i bëje. Tashmë edhe falë teknologjisë, më duhet të laj enët, ndërresat, të hekuros, herë-herë të bëj edhe punët e shtëpisë etj. I bëj të gjitha, edhe pse më duhet të pranoj që më shpesh për të gjitha këto më ndihmojnë mamaja e pastruesja ime.

Ke dalë në “blind date”, në takim të sajuar nga të tjerët me dikë që nuk e ke njohur më parë?

Dikur thuajse rregullisht, por të them të drejtën nuk kanë funksionuar. Tashmë më duken jo të përshtatshme për mua. Unë jam tip që i jepem momentit e surprizave të jetës. Dua të më rrahë zemra sa e shoh dikë, jo të shkoj në mbrëmje të organizuara enkas për këtë. Dashuria s’mund të planifikohet. Gjithsesi, falë “blind date” kam patur aventura seksuale mjaft të kënaqshme.

Si ka përfunduar?

Thjesht seks, me plot pasion, që na ka shijuar, e pastaj në shumicën e rasteve miqësi.

Çfarë i shijon më shumë një lidhjeje?

Nuk dua të tingëlloj pesimist, sepse nuk jam aspak, por përvoja më ka mësuar se ia vlen gjithnjë e më pak të kesh një lidhje. Një lidhje duhet të jetë e fortë, e vërtetë, e ndjerë. Sa njerëz e meritojnë këtë në një kohë ku tradhtitë janë bërë një gjë e zakonshme, ku dashuria përngjason më shumë me një “konkurrim”? Gjithsesi, lidhjet e mia të shkuara më duhet të them se i kam shijuar maksimalisht. Është shumë bukur kur ke pranë dikë, në të mirë e në të keq. S’ndihesh kurrë vetëm, ndihesh i adhuruar në shumicën e kohës e mbi të gjitha i plotësuar.

Çfarë të zhgënjen a trishton më shumë në një marrëdhënie?

Mungesa e sinqeritetit, mungesa e besimit. Gjithsesi, gjithçka varet nga lloji i marrëdhënies që ke krijuar.

Kush e ka “problem” beqarinë tënde?

Prindërit më shumë se kushdo. Mamaja, im atë, ime motër, por edhe gjyshja më thonë se më duhet ta bëj këtë hap: martesën. Por nuk mendoj se ka një moshë apo një kohë të caktuar për t’u martuar. Është një hap i madh e nëse e bëj nuk dua të eci mbrapsht, ndaj do ta bëj vetëm nëse do të jem i bindur se do mund t’i përkushtohem 100 % familjes sime të re. I urrej marrëdhëniet e shtirura ku shumë gjëra bëhen për hir të botës. Unë marrëdhëniet i kam për veten, jo për botën, e dua që ato të më bëjnë të lumtur. Dëgjoj shpesh prindër t’u thonë djemve të tyre: “Martohu se të duhet një shoqe që të të bëjë edhe punët e shtëpisë”. Më duket shumë e rëndë kjo, ndaj dua të falenderoj familjen time sepse gjithnjë më kanë thënë: “Martohu se do jesh i lumtur”, por harrojnë që s’është më koha e tyre. Martesa në shumë raste s’është më po aq e shenjtë.

Gënjen ende kur del në takim me dikë? Kë gënjen dhe si?

Jo, s’kam pse gënjej. I urrej gënjeshtrat. Mendoj se njeriu duhet të jetë i sinqertë për aq sa u takon t’u thotë të tjerëve. Gjithsesi, pa dashje ndonjë gënjeshtër të bardhë e bëj edhe unë J.

Mbrëmjet e tua tipike të fundjavës si janë?

Zakonisht të qeta. Më pëlqen shumë nata, më bën të reflektoj, të shijoj shumë gjëra që ditën s’do mundesha t’i shijoja. Mblidhemi shpesh me miqtë në shtëpinë time, ose në shtëpitë e tyre, hamë e pimë diçka në shoqërinë e bisedave të këndshme, ndonjë filmi të mirë ose muzikës.

Në ç’orë kthehesh në shtëpi kur del natën?

Dal gjithnjë e më rrallë, sidomos nëpër klube nate. Zakonisht preferoj më shumë një kafe në orët e vona. Por nëse dal, s’para kthehem para orës 3 të mëngjesit.

Kur e ke dëgjuar për herë të parë urimin “me një fat të mirë” ose “në dasmë”?

E dini që s’më kujtohet saktësisht! Por besoj në dasmën e sime motre, diku nga viti 1996. Shumë i vogël atëherë.

Çfarë mendon kur e dëgjon?

Më duket urim dashamirës. Në fund të fundit kush nuk do e donte një fat të mirë. Por nëse e dëgjon shpesh kthehet në bezdi, gati-gati të duket sikur është qëllimi i vetëm i jetës tënde, ndërkohë që s’është kështu, jo për mua të paktën. Kam filluar t’u them disa të afërmve të mi që kanë djem më të mëdhenj se unë: “Në kokë të djalit tënd, pa unë kam kohë”. J Mund të jetë e pasjellshme, por nuk preferoj të ma thonë më. Po u martova, do martohem sepse kështu e ndiej unë, jo sepse ma uruan njerëzit.

Të pëlqejnë dasmat?

Të them të drejtën jo dhe aq. Por më pëlqen fakti që mblidhemi të gjithë tok, me njerëz të dashur e që mund të kem shumë kohë pa u parë.

Shumica e miqve dhe mikeshave të tua janë të martuar apo single?

Single. Duket si fat i paracaktuar i shoqërisë sonë.

Sa shpesh fton njerëz në shtëpi?

Thuajse çdo mbrëmje. Janë pjesa më e dashur e ditës.

Për çfarë shpenzon më shumë?

Oh, shtëpia ka shpenzime e s’mbaron kurrë. Jam edhe tip që lodhem shpejt nga gjërat e nga rutina, ndaj shpesh dua diçka të re në shtëpi, e nëse e kam mundësinë e blej pa u menduar dy herë. Kryesisht harxhoj për teknologjinë e fundit, jam shumë i dhënë pas saj. Por dhe mobilimi i shtëpisë me orendi të reja është një argëtim më vete. Harxhoj gjithashtu mjaftueshëm edhe për ushqimin, pasi më duhet të blej gjëra gjysmë të gatshme sepse nuk di të gatuaj.

Sa herë në javë gatuan?

Rrallë. Kryesisht ha jashtë ose tek prindërit. Të themi përditë sepse jo çdo vakt mund ta ha jashtë shtëpisë, por gatime nga ato impenjativet ku duhet të kalosh orë të tëra në kuzhinë, shumë rrallë.

Cili është specialiteti yt?

Makaronat. I bëj vërtet të shijshme. Kam një recetë unike që nuk e di askush, megjithëse shumica e miqve janë përpjekur të ma “vjedhin”. Shumë prej miqve të mi kanë qenë sikundër edhe unë në Itali, ndaj jemi mësuar me makaronat e dimë t’i shijojmë.

Mund të gatuash edhe vetëm për vete?

Makarona jo, s’më shijojnë vetëm. Por vezë, pulë, supë, e disa gjëra të tjera, po.

Cilin nga këta numra shërbimesh ke në celular: ambulancë, polici, elektricist, hidraulik, shërbim taksi…

Vetëm tri të parët. Të tjerët janë në bllokun telefonik.

Deri kur do vazhdosh të jesh single?

Deri sa të gjej dashurinë e vërtetë të jetës sime, atë që dua prej vitesh. Në të kundërt, gjer në vdekje. Mund të bëj shumë gjëra nga “halli”, por krijimi i familjes s’është një prej tyre. Dua të jem një bashkëshort e baba shembullor./MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here