Big Basta është sot, një nga emrat më të spikatur në muzikën shqiptare, po si ka qenë ai dikur.

Për të zbuluar një pjesë të panjohur nga jeta e njërit prej reperëve më të përfolur, ju vjen sot në ndihmë suplementi “Gjimnazistët”.

Vitet e gjimnazit i ka kaluar në 2 shkolla, lëndë të preferuara ka pasur letërsinë dhe historinë, ndërsa ajo që nuk duronte dot ishte kimia. Orët e mësimit, thotë se i linte gjithmonë, madje për këtë ekzistonte edhe një ligj i pashkruar, të cilin ai e zbatonte gjithmonë: tri orët e para nuk i ndiqte thuajse asnjëherë. Për mësuesit, thotë se i tërhiqnin vëmendjen shpeshherë, sepse ai gjatë gjithë orës ngacmonte vajzat dhe pak dëgjonte mësimin…Çfarë na rrëfen tjetër Big-u?! E zbulojmë bashkë, përmes rreshtave që do të pasojnë…
Do flasim pak për periudhën e gjimnazit, si ka qenë kjo kohë për ju?
Shumë e bukur. Gati-gati do ta përcaktoja, si periudhën më të mirë të jetës sime.
Ku e keni ndjekur gjimnazin?
Gjimnazi im është ndarë në dy shkolla. Në fillim kam qenë nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri”, pastaj kam kaluar tek një shkollë private, siç është “Vëllezërit Kajtazi”.
Keni mësuar shumë?
Jo edhe aq shumë (qesh).
Cila ka qenë lënda që ‘urrenit’ më shumë?
Kimia, nuk e duroja dot. Rrallë herë e kam mësuar, nuk e di pse nuk më tërhiqte.
Po më e preferuara?
Letërsia dhe Historia.
A kanë qenë prindërit kërkues ndaj jush?
Po, normalisht që po, madje ata dëshironin që unë të bëhesha doktor, por unë u bëra këngëtar. Edhe kështu s’u doli keq, shëroj zemrat e njerëzve (qesh).
Ziheshit me prindërit, dilnit natën?
Gjithmonë, e nuk kalonim dot javën pa u zënë.
E keni provuar alkoolin ose duhanin në këtë moshë?
Në këtë moshë, i nisa të dyja.
Ju kanë tërhequr vëmendjen ndonjëherë mësuesit në shkollë?
Ndonjëherë thatë?! Shpeshherë.
Për çfarë ju tërhiqnin vëmendjen zakonisht?
Më thonin të përqendrohesha në mësim, sepse unë gjatë gjithë kohës e kisha mendjen të ngacmoja vajzat (qesh).
Çfarë notash merrnit zakonisht?
Isha nga ata nxënës që i provonin të gjitha notat.
Po katër keni marrë ndonjëherë?
Mos më bëni më pyetje me ndonjëherë, edhe katra kam marrë shumë herë.
Ok, a keni kopjuar ndonjëherë?
Me raste. Nëse shoku ose shoqja e bankës ishin nxënës të mirë, nuk e humbisja si mundësi.
I keni lënë orët e mësimit?
Tri orët e para e kishim me ligj për t’i lënë.
Ku shkonit?
Në lokalin më të afërt, ku rrinin të gjithë ata që linin orët.
Keni bërë ndonjëherë sherre me shokët?
Shumë rrallë, s’kam qenë kurrë tip që gërricesha dhe si pasojë nuk bëhesha pjesë e konflikteve.
Na tregoni pak për vajzat…Ju gjuanin apo i gjuanit?
Në moshën time akoma gjuanim, por kishte edhe nga ato që na gjuanin.
Kur e keni dhënë puthjen e parë?
Në moshën 11-vjeçare.
Kujtimi më i bukur që keni nga gjimnazi?
Nuk kam ndonjë kujtim specifikisht. Mund të them vetëm që shoqëria në atë kohë ka qenë fantastike, më e mira.
Po ndonjë ekskursion i veçantë?
Ekskursionet s’kanë qenë kurrë të veçanta.
Si e kujtoni mbrëmjen e maturës?
S’kam marrë me vete shumë mbresa. Një mbrëmje normale, ku festojnë të rinj e të reja.
Më pas ju vazhduat shkollën për…
Për sociologji dhe u diplomova po në këtë degë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here