Është një ndër këngëtaret me vokalin më të veçantë në skenën shqiptare. Ka rrëmbyer gjithmonë trofe të rëndësishëm sa herë ka konkurruar në kompeticionet tona muzikore, videot e saj janë ndër më të klikuarat dhe për më tepër është një nga të paktat artiste që di të këndojë ‘live’.

Ekspresive në skenë, por e ëmbël në shpirt. Kjo është Besa Kokëdhima, e adhuruar nga shumëkush për zërin dhe interpretimet e veçanta.

Daljet e saj në media janë të rralla dhe përgjithësisht faqet rozë shkruajnë për jetën e saj profesionale, por sot kemi vendosur të ndryshojmë faqe. Vetë Besa ka pranuar të rrëfejë ekskluzivisht për “Bluetooth” jetën e saj aktuale…Muzika dhe familja për të cilën thotë se e ka mbështetur në çdo hap; i dashuri dhe pasuria, që për Besën duket se nuk ka rëndësi; pjesëmarrja në “X Factor” dhe marrëdhënia me koleget, ku veçon Elvana Gjatën… Besa vjen këtë herë ndryshe, ndaj ju ftojmë të gjithëve të shijoni rrëfimin e saj.
Besa, kemi ndjekur në vazhdimësi karrierën tuaj muzikore dhe kemi vënë re që në periudha të caktuara ju largoheni nga tregu për t’u rikthyer pas disa kohësh me këngë që shndërrohen sa hap e mbyll sytë në hite. Siç thotë një fjalë e urtë vini ‘pak e saktë’.

Nëse do mundeshit ta shmangnit fjalën surprizë, çfarë po përgatisni këtë herë?
Jam duke realizuar 2-3 këngë të reja, ndoshta një pjesëmarrje në festival, një klip të ri..Preferoj të marr pak kohë ndër projekte pasi ndjej se më ndihmon të rigjeneroj idetë.
Çfarë ju mban në skenë, veç dashurisë për muzikën? Ndikojnë fitimet?
Çfarë ju mban ju në gazetari? Besoj se edhe ju do të zgjidhni të parën (Qesh).
A ju ka ndihmuar babai në muzikë, qoftë me financa, qoftë me përkrahje morale?
Babai im është heroi im. Bashkë me nënën time më kanë ndihmuar e përkrahur gjithnjë në jetën time, në zgjedhjet që kam bërë.
Është e vërtetë që s’ju pëlqen të bëni jetën e një milionereje, por jetoni në një shtëpi në vogël e modeste së bashku me të dashurin e zemrës?
Unë jam njeri i thjeshtë dhe pa shumë pretendime (Buzëqesh).

Meqë jemi këtu, dashuria si po ecën? Veç planeve për martesë në të ardhmen, ndonjë plan i afërt cili është?
Mendoj se po jetoj dashurinë e jetës time…Eldi është partneri më i mrekullueshëm dhe jam kaq e lumtur që dashuria jonë forcohet ndër vite. Ndjehem shumë me fat.
Cila është dhurata më e bukur që keni marrë nga i dashuri juaj (veç notave muzikore), sapo kemi kaluar edhe Shën Valentinin.
Nuk ka asnjë dhuratë më të bukur që ai mund të më bëjë përveç prezencës së tij…(Buzëqesh).
Ç’marrëdhënie ke me motrat?
Motrat e mia janë dy vajza shumë të dashura, kreative, kanë botë të pasur shpirtërore, janë inteligjente dhe me shumë humor. Kalojmë shumë bukur me njëra-tjetrën pavarësisht diferencave të dukshme që kemi në karaktere e prirje. Bora është një vajzë shumë e talentuar në modë dhe dizajn, unë besoj se shumë shpejt do dëgjoni për të. E ndërsa Era, një vajzë me inteligjencë brilante, ka rezultate mbresëlënëse në shkollë.
Rikthehemi sërish tek muzika dhe fokusohemi pak tek pjesëmarrja juaj në “X Factor”. Si ishte kjo eksperiencë për ju? Si e shihni raportin e të rinjve me muzikën?
Ishte një eksperiencë e bukur, mua më vjen shumë mirë që erdhi momenti edhe në Shqipëri të realizohen këto evente promovuese për talentet shqiptare. Mendoj se programe të tilla kultivojnë hobe të shëndetshme për të rinjtë si dhe ndihmojnë shumë prej tyre të kenë një karrierë në art.
Ju kujtoi veten ndonjëri prej tyre?
Në fakt, është e çuditshme por shumë herë kur konkurrentët i afroheshin skenës, mendoja si do të ndjehesha unë po të isha në vendin e tyre atëherë kur kisha aspirata për sukses në fushën e muzikës.

Marrëdhënia me koleget në muzikë…Kë konsideroni mike? Kë nuk e duroni dot?
Mikesha ime më e ngushtë është Elvana Gjata. Një miqësi të shkëlqyeshme kam edhe me Eris Hoxhën e Jehona Sopin. Në përgjithësi kam marrëdhënie të mira me kolegët.

“E vogël doja të bëhesha mjeke”
Përveç jetës aktuale, Besa na ka besuar një tjetër ekskluzivitet. Për herë të parë suplementi “Bluetooth” ju sjell sot fotot e saj të fëmijërisë, së bashku me rrëfimin për ato vite. Si e kujton këngëtarja e dashur këtë periudhë, loja që pëlqente më shumë, marrëdhënia me motrat dhe prindërit, zënkat dhe pushimet në Qeparo…
Si ka qenë fëmijëria juaj?
Kam kujtime të mrekullueshme nga fëmijëria, kryesisht lidhen me Qeparoin ku unë dhe motrat e kushërinjtë e tjerë kalonim për vit verën së bashku, festa, Krishtlindje, Pashkë. Shumë lojëra, shumë zhurmë, shumë hare. Ishim të shpenguar, mblidheshim e bënim “koncerte” me korr, mbanim kafshë të pazakonta, përpiqeshim t’ia hidhnim gjyshes kur nuk na lejonte të qëndronim në det shumë gjatë…Flinim përtokë, pikturonim fytyrat e njëri-tjetrit, frikësonim fshatarët e pafajshëm në rrugë…(Qesh) Dua të jem një fëmijë përsëri…
Keni qenë tekanjoze?
Thonë se jo, thonë se kam qenë e urtë, por e gjallë.
Loja që pëlqenit më shumë?
Loja me peta në tokë, topa djegësi, shumë lojëra të improvizuara.

Çfarë ëndërronit për veten kur ishit fëmijë? Çfarë dëshironit të bëheshit?
Kishim shumë pasione, unë kisha dëshirë të bëhesha këngëtare ose mjeke, apo të kujdesesha për kafshët. Bora ishte arrakate, por gjithsesi ishte më e kujdesur ndaj look-ut, veshjeve. Era dëshironte të bëhej mësuese ose teniste (Qesh).
Marrëdhënia që keni pasur me motrat. Ziheshit me to?
Me të dytën, Borën duheshim shumë, por dhe ziheshim pa masë…
Ndërsa me Erën unë gjithnjë kam pasur ndjesi mbrojtëse, mbaja anën e saj dhe pa të drejtë në konfliktet mes tyre (Qesh).
I vishnit rrobat e njëra-tjetrës?
Besoj se po, edhe pse nuk më kujtohet ndonjë episod në veçanti…Rrobat kanë pasur shumë më pak funksion dekorativ atëherë (Qesh).
Ju bërtisnin prindërit?
Na qortonin, kur bënim prapësi (Qesh)…
Ju kanë rrahur ndonjëherë?
Jo, asnjëherë. Janë natyra të paqta.
Me kë nga prindërit jeni më e lidhur?
Me të dy jam shumë e lidhur, por me babin kam më shumë ngjashmëri karakteriale.
I keni veshur fshehtas takat e mamit, apo keni qenë arrakate?
Mbaj mend që një herë kur mami është kthyer nga puna, më ka gjetur me buzëkuqin e saj duke pikturuar pasqyrën (Buzëqesh).

/Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here